Mbrëmë u luajtën dy ndeshjet e radhës në 1/8 e finales së Ligës së Kampioneve. Borusia e Dortmundit dhe Ҫelsi u përplasën mbrëmë në duelin e parë midis tyre në këtë raund me eliminim direkt të Champions League, konsideruar që në short si një prej përplasjeve më të forta të këtij raundi. Pjesa e parë u mbyll në barazim 0-0, ku të dy ekipet u përpoqën të imponohen, por nuk ia dolën të konkretizojnë rastet e tyre. Në fakt, gjermanët ishin dominues në çdo aspekt të lojës, qoftë në kontrollin e topit si përqindje, ashtu dhe në raste të goditjes drejt kuadratit dhe në kuadrat, me goditje këndi, me pasime në total, e sigurisht dhe në aksione të rrezikshme sulmuese. Në pjesën e dytë loja vijoi me të njëjtin ritëm si në pjesën e parë, por në futboll diferencën e bën goli dhe atë e shënoi Dortmundi në minutën e 63-të. Ishte një veprim i bukur i Adejemi, që shënoi një supergol. Avantazhi u dha epërsi gjermanëve në planin psikologjik dhe u mbetej vetëm të menaxhonin rezultatin. Ҫelsi e rriti ndjeshëm presionin në 20 minutat e fundit, duke shtuar forcën sulmuese.
Por gjermanët u mbrojtën me fanatizëm dhe e fituan këtë duel të parë me blutë anglezë me rezultatin 1-0. Fatet e kualifikimit vendosen në takimin e kthimit në Londër. Nga ana tjetër, duhet thënë se është një situatë e bukur për disa skuadra që kanë pretendime si në kampionatet e tyre ashtu dhe në Champions. Një e tillë është skuadra e Klub Bruzhit të Belgjikës, e cila është një surprizë në këtë fazë të aktivitetit, pasi ka mundur të imponohet me lojë e rezultate. Por në këtë fazë vështirësia është shumë e madhe. Mbrëmë Klub Bruzhi priti në Belgjikë Benfikën, skuadrën e njohur portugeze. Dominimi i miqve ishte i dukshëm në cdo aspekt të lojës, por Bruzhi kishte zgjedur të luante i tërhequr me një mbrojtje solide, të disiplinuar taktikisht dhe që nuk lëshonte asnjë centimetër në fushë. Pjesa e parë, pavarësisht dominimit të Benfikës, mbyllet në barazim 0-0.
Në pjesën e dytë situata do të ndryshonte në favor të portugezëve. Xhek Hendri (Klub Bruzh) pengon një lojtar kundërshtar dhe gjyqtari Davide Masa sinjalizon një faull. Arbitri bën një thirrje të shpejtë dhe tregon gishtin në pikën e penalltisë. Nga 11-metërshi do të godiste saktë Zhao Mario që kalon Benfikën në avantazh 1-0. Belgët përpiqen të balancojnë rezultatin, por nuk ia dalin. Në minutën e 88-të portugezët i vunë “kapak” fitores, duke shënuar golin e dytë me anë të Neres që përfitoi nga një gabim i mbrojtjes së Bruzhit. Fituan portugezët me shifrat 2-0, duke hedhur një hap përpara drejt kualifikimit për në çerekfinale.
