Fortlumturi Joan Pelushi, Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, përmes një interviste te “Shqiptarja” na jep shumë përgjigje të vlefshme për jetën, për bashkëjetesën mes nesh, për bashkëjetesën në Ballkan e më gjerë. Në hyrje të kësaj interviste kemi shkëputur disa citime, por në të vërtetë, e gjithë intervista është mbushur plot me mesazhe që mund të ruhen si pilula për një jetë më harmonike dhe më të mirë për cilindo, duke krijuar një të përbashkët paqësore. Ja disa:
1.“Hiqja jetës gëzimin, dhe jeta e njeriut do të thahet. Besoj se të gjithë njerëzit duan gëzim në jetën e tyre”.
2.“Fatkeqësisht, ne jetojmë sot në një kohë kur njeriu e ka humbur nocionin e qëllimit të vërtetë të ekzistencës, duke u bërë qëllime mijëra gjëra të parëndësishme. Nga të gjitha qytetërimet që kanë ekzistuar në historinë botërore vetëm ky i sotmi nuk ka më një përgjigje për pyetjen bazike të jetës….” .
3.“…Duke mos pasur përgjigje rreth kësaj pyetjeje jeta jonë po çoroditet dhe duke u çoroditur po gjymtohet dhe, nëse ne nuk kemi më as pyetje, do të thotë që ne po humbasim njerishmërinë tonë, thelbin e asaj që e bën njeriun njeri…”.
4.“…Shpeshherë shohim shumë konflikte, sharje, shpifje kundër njëri-tjetrit dhe mosrespektim të dinjitetit. Këto fenomene shihen kudo në media, në bisedat private dhe publike. Besoj që kjo e dëmton në thelb shoqërinë…”
5.“…Pa dyshim, si në gjithë vendet e botës, edhe në Shqipëri, ka njerëz me shpirt të artë. Por, siç thotë proverbi italian: I miri është, por nuk bën zhurmë. Ata që kanë shpirt të artë kontribuojnë në shoqëri gjithmonë pa zhurmë. Të këqijtë bëjnë shumë zhurmë dhe krijohet përshtypja sikur nuk ka të mirë. Por e mira gjithmonë ekziston dhe nuk mund të zhduket kurrë. Gjithmonë do të gjenden disa shpirtra të ndritur për të përhapur dritë, sidomos në kohë kur ka shumë errësirë…”.
6.“…Besoj se tani është koha që të gjithë popujt e Ballkanit të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin. Nëse pranohen gabimet që janë bërë gjatë historisë, pajtimi mund të vijë më shpejt. Pajtimi në gjithë Ballkanin do të ndihmonte të gjithë rajonin…”
7.”… Është detyra e elitave të vendeve të Ballkanit të punojnë për më të mirën, për bashkëpunimin dhe për paqen. Duke qenë në paqe, bashkëpunim dhe mirëkuptim me njëri-tjetrin, ka shumë mundësi që vendet tona të zhvillohen akoma më shumë…”
Por si mund të jetohet në ditët tona, në këtë epokë moderne me gëzim? Si është shëndeti shpirtëror i shqiptarëve, i të rinjve? Si jemi ne me fqinjët dhe si është Ballkani në Botën që përherë bëhet më globale e ku nuk mungojnë konfliktet, varfëria dhe urrejtja? Në këtë mënyrë, ndërsa me hapa të lehtë, me zë të ulët, me fjali të qarta të një shqipeje të rëndësishme, Fortlumturi Joani po merr nën kujdes të gjithë besimtarët ortodoksë të Shqipërisë, ne të tjerët, po përpiqemi ta njohim më mirë. Nuk është tashmë mister që i ndjeri Anastas na la të befasuar: Të papërgatitur ta njihnim mirë vetë atë, të papërgatitur të njihnim mirë atë qëndisje që i kishte bërë në 30 e më shumë vite rimëkëmbjes dhe ringjalljes së besimit dhe strukturave të Komunitetit Ortodoks në Shqipëri, të papërgatitur ta dinim me kohë se rreth tij, ai greku që e patëm kujtuar se kishte për zemër vetëm “madhështinë e Greqisë” mblodhi, mësoi e përgatiti si pasues djem shqiptarë, të cilëve u la amanet të gjejnë e të nxjerrin në dritë “shpirtin e artë” që me siguri ka strehë edhe në Shqipëri. Kemi sot mes nesh një komunitet të Kishës Ortodokse Auteqefale shqiptare të konsoliduar dhe një Kryepeshkop, ashtu siç e donim: shqiptar.
Me Fortlumturi Joan Pelushin do të jetë një rrugë e gjatë njohjeje reciproke ku durimi, përkushtimi, serioziteti, lutja, besimi, do të shoqërojnë besimtarët, por edhe Kishën Autoqefale të Shqipërisë të drejtuar tashmë prej kësaj pranvere 2025 prej tij. Ndërkohë, neve si gazetarë, na takon tua prezantojmë lexuesve bashkëatdhetarë si Fortlumturinë Joan, me të gjitha ngjyrat që përbëjnë aureolën e një personaliteti të tillë. Është një “investigim shpirtëror” që urojmë të jetë një dritë e ndezur për të gjithë.