E shtunë, 18 Prill, 2026

Ja pse fshehja e kontratës me LaCivita mund t’i bëjë “gropën” Sali Berishës në SPAK, avokati Edmond Petraj nxjerr detajet e forta, dyshime për financim të paligjshëm dhe ndikim të huaj në fushatën e PD

Share

Një nga çështje më të komentuara së fundmi në politikë është kontrata e Partisë Demokratike me strategun amerikan të zgjedhjeve, Chris LaCivita. Pse kjo marrëveshje nuk është deklaruar ende në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve? A është financuar përmes burimeve të huaja, duke anashkaluar ligjin shqiptar për financimin e partive politike? Dhe mbi të gjitha, a përbën kjo një formë të maskuar të ndërhyrjes së jashtme në zgjedhjet shqiptare? Avokati i njohur, Edmond Petraj hedh dritë mbi këtë skandal, duke nxjerrë në pah një sërë dyshimesh të forta duke nisur nga mungesa e deklarimit zyrtar, tek mundësia e financimeve të paligjshme dhe ndikimit të huaj në fushatën elektorale të PD-së dhe ku sipas tij çdo element i kësaj çështjeje mund të përbëjë shkak për një hetim të thelluar penal nga SPAK, një hetim që mund të rihapë plagë të vjetra dhe të vendosë në qendër të stuhisë politike vetë Sali Berishën. Në intervistën për gazetën “SOT”, avokati Petraj shpalos faktet, pyetjet pa përgjigje dhe alarmet ligjore që shoqërojnë marrëdhënien e paqartë me LaCivita, një marrëdhënie që, nëse vërtetohet se është e padeklaruar dhe e financuar në mënyrë të jashtëligjshme, mund të bëhet “gropa” që e tërheq drejt përgjegjësisë penale Sali Berishën.

-Avokat Petraj, a e ka deklaruar Partia Demokratike kontratën me Chris LaCivita pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në përputhje me afatet dhe detyrimet e përcaktuara në Kodin Zgjedhor?

Deri më sot, nuk ekziston asnjë dokument i konfirmuar zyrtarisht nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që të dëshmojë se Partia Demokratike ka dorëzuar apo regjistruar kontratën e bashkëpunimit me strategun amerikan Chris LaCivita, ashtu siç kërkohet shprehimisht nga Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë. Kreu i kësaj force politike, z. Sali Berisha, ka deklaruar publikisht se marrëveshja është transparente dhe se do të publikohet në momentin kur të marrë formë ligjore të përfunduar. Ai është shprehur se nuk ka asgjë për të fshehur dhe se do të veprojë në përputhje me detyrimet ligjore. Megjithatë, deklaratat politike nuk janë zëvendësim për transparencën formale dhe ligjore që kërkohet në mënyrë të detyrueshme nga organet e mbikëqyrjes zgjedhore. Kodi Zgjedhor është i qartë: çdo subjekt zgjedhor është i detyruar të deklarojë brenda afateve të përcaktuara të gjitha marrëveshjet që lidhen me fushatën, përfshirë kontratat me këshilltarë, strategë apo konsulentë të huaj. Kjo nuk është çështje vullneti politik, por një detyrim ligjor. Mosdeklarimi në kohë dhe në mënyrë transparente jo vetëm që përbën shkelje të ligjit, por cenon besimin e publikut në integritetin e procesit zgjedhor dhe hap dyer për abuzime të rënda me financat dhe ndikimet e huaja. Në mungesë të një deklarimi zyrtar, kjo çështje mbetet e paqartë dhe ngre dyshime të forta mbi qëllimet reale dhe burimet e këtij bashkëpunimi. Në një klimë politike ku transparenca dhe besueshmëria janë më të rëndësishme se kurrë, fshehja ose vonesa e informacionit esencial nuk është e justifikueshme.

-A ka përfituar Partia Demokratike shërbime këshillimore politike nga Chris LaCivita pa pagesë apo përmes financimeve të palëve të treta të huaja, duke shmangur kështu deklarimin financiar të detyrueshëm?

Kjo pyetje prek thelbin e një prej problematikave më të mëdha në politikën shqiptare: mungesën e transparencës dhe dyshimet për financime të paligjshme. Deri në këtë moment, nuk ekziston asnjë dokument apo raport i dorëzuar publikisht nga Partia Demokratike që të dëshmojë qartë se cilat janë termat e kontratës me z. LaCivita, a ka pasur pagesë, kush e ka kryer atë pagesë apo nëse shërbimi është ofruar “pro bono”. Nëse marrëdhënia është financuar nga palë të treta, veçanërisht nga entitete të huaja, kemi të bëjmë me një shkelje të rëndë të ligjit shqiptar për financimin e partive politike, që ndalon qartësisht pranimin e fondeve, shërbimeve apo favoreve nga burime të huaja. Për më tepër, çdo formë mbështetjeje – qoftë materiale apo këshillimore – duhet të deklarohet me saktësi dhe brenda afateve të përcaktuara. Mosdeklarimi përbën jo vetëm një shkelje administrative, por potencialisht edhe një vepër penale, pasi mund të fshihet pas saj një skemë e ndërhyrjes së huaj në procesin demokratik. Kjo është veçanërisht shqetësuese në një vend si Shqipëria, ku ndërhyrjet e jashtme dhe ndikimet e paligjshme në politikë kanë qenë historikisht një rrezik real për pavarësinë institucionale dhe drejtësinë e garës politike. Partia Demokratike duhet të japë menjëherë një shpjegim të plotë për publikun shqiptar: kush e ka porositur këtë shërbim? Kush e ka financuar? Dhe mbi të gjitha: a është kjo marrëdhënie në përputhje me ligjet e Republikës së Shqipërisë?

-A përbën prania publike, promovimi dhe pjesëmarrja aktive e Chris LaCivita në fushatën zgjedhore një formë të ndërhyrjes së huaj në procesin zgjedhor, në kundërshtim me frymën e Kushtetutës dhe legjislacionit shqiptar?

Po, përbën ndërhyrje të qartë dhe të papranueshme të një shtetasi të huaj në jetën politike të brendshme të Republikës së Shqipërisë. Kur një individ i huaj merr pjesë në mënyrë aktive në fushatë zgjedhore, bën deklarata publike, promovon kandidatë dhe bën propagandë për llogari të një subjekti politik, nuk kemi më të bëjmë me një “këshilltar prapa skenave” – por me një agjent aktiv politik, që ndikon mbi vullnetin e zgjedhësve shqiptarë. Ky akt është në kundërshtim me frymën dhe germën e Kushtetutës së Shqipërisë, e cila garanton sovranitetin kombëtar dhe ndalon qartazi ndikimet e jashtme në proceset demokratike. Është gjithashtu shkelje e ligjit për partitë politike dhe e Kodit Zgjedhor, që përcaktojnë me qartësi se çfarë duhet deklaruar, si duhet bërë publike çdo marrëveshje dhe si ndalohet ndihma e huaj. Nëse shteti shqiptar nuk reagon me forcën e ligjit ndaj një rasti të tillë, atëherë krijohet një precedent shumë i rrezikshëm: që zgjedhjet shqiptare mund të manipulohen, ndihmohen, financohen apo drejtohen nga të huaj, pa asnjë kontroll, pa asnjë transparencë dhe pa asnjë përgjegjësi. Në çdo shtet që respekton veten dhe demokracinë, një rast i tillë do të çonte në ndalim të menjëhershëm të pjesëmarrjes së këshilltarit të huaj, hetim penal për subjektin politik përkatës dhe, në disa raste, përjashtim nga gara për shkelje të rregullave të barazisë zgjedhore.

-A duhet që SPAK të fillojë një hetim penal mbi këtë marrëdhënie të mundshme të padeklaruar, për të shqyrtuar elementët e mundshëm të “fshehjes së të ardhurave”, “financimeve të paligjshme të partive politike” apo “ndikimit të huaj në politikën e brendshme”?

Absolutisht po. Kjo nuk është më një çështje mediatike apo e opinionit publik – është një çështje që prek thelbin e ligjshmërisë, demokracisë dhe sovranitetit të shtetit shqiptar. SPAK ka jo vetëm të drejtën, por detyrimin kushtetues dhe ligjor për të nisur menjëherë një hetim të plotë penal lidhur me këtë marrëdhënie të dyshimtë mes Partisë Demokratike dhe shtetasit të huaj Chris LaCivita. Nëse kemi të bëjmë me shërbime të ofruara nga një i huaj, të cilat nuk janë deklaruar dhe nuk dihet se nga janë financuar, atëherë ka elementë të qartë të veprave penale si: financim i paligjshëm i partive politike, fshehje të të ardhurave apo marrëveshjeve, dhe ndikim të huaj në jetën politike të vendit, që është shkelje direkte e rendit kushtetues dhe e sigurisë kombëtare. SPAK nuk mund të qëndrojë më spektator. Ky institucion është ngritur për të luftuar pikërisht këto fenomene: kapjen e politikës nga interesa të jashtme, financimet e errëta dhe deformimin e procesit zgjedhor. Nëse nuk reagon në këtë rast, atëherë çfarë mesazhi po i jep opinionit publik? Hetimi duhet të përfshijë të gjitha hallkat: kush ka ndërmjetësuar marrëdhënien, kush e ka financuar, si është ndërtuar kontrata, a janë respektuar rregullat e deklarimit dhe mbi të gjitha, pse nuk është bërë publike kjo marrëveshje në kohën e duhur. Në fund të fundit, nëse lejojmë që partitë tona të jenë të sponsorizuara dhe të udhëzuara nga jashtë, atëherë nuk po flasim më për demokraci shqiptare, por për një demokraci të eksportuar dhe të deformuar.

Intervistoi: Rigels Seliman

Te tjera

Lajme te tjera