E premte, 14 Gusht, 2026

Ja pesë kurthet e Albin Kurtit për serbët në tre muajt e fundit që hodhën në erë të gjitha planet e Beogradit, mediat në Serbi japin alarmin

Share

Duket se Kosova dhe Serbia nuk do të arrijnë “nivele normale komunikimi”, deri kur të zgjidhet një nga çështjet që i tensionon më shumë marrëdhëniet: Asociacioni. Sipas medias serbe “Blic”, pengesa kryesore është vetë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Siç shkruan gazeta, ai, pa kaluar ende një javë nga Marrëveshja e Ohrit, e cila ndër të tjera parashikon formimin e Asociacionit, gjeti mënyrën për të anashkaluar detyrimin nga Marrëveshja e Brukselit nënshkruar në vitin 2013. “Me një sërë vendimesh irracionale, ai ngriti tensionet në veri të Kosovës në prag të luftës, saqë tani të gjithë po mendojnë vetëm për ruajtjen e paqes”, shkruan “Blic”, duke prezantuar të gjitha lëvizjet që bëri Kurti për të shmangur detyrimin për themelimin e Asociacioit.

Zgjedhjet në veri

Disa ditë pas Marrëveshjes së Ohrit, ishte e qartë se marrëveshja ishte thuajse një “letër e vdekur” pasi Kurti vendosi vendosmërisht të organizojë zgjedhjet lokale në veri të Kosovës, edhe pse shumica dërrmuese e serbëve vendosën t’i bojkotojnë zgjedhjet. Zoran Milivojeviç, diplomat, thekson se me zgjedhjet, Kurti u përpoq të “impononte sovranitet të plotë politik dhe juridik” në veri të Kosovës. “Gjatë gjithë kohës përdoret teza se në veri funksionojnë institucione paralele dhe grupe kriminale”, tha Milivojeviç për “Blic”.

Vendosja e kryetarëve

Pavarësisht pjesëmarrjes, Kurti vendosi që në fund të majit t’i vendoste kryetarët jolegjitimë në detyrë dhe t’i detyronte ata të shkonin në ndërtesat komunale, duke dërguar edhe policinë e Kosovës në veri dhe duke shkaktuar protesta disajavore. Milivojeviç beson se thelbi i strategjisë së Kurtit është të “dëshmojë se Kosova është shtet i pavarur”. “Në këtë kuptim ai përdor edhe represionin, pra policinë dhe forcat speciale. Me represion dëshiron të arrijë kontroll të plotë mbi tërë territorin dhe me frikë ta pengojë faktorin serb nga rezistenca”, analizon Milivojeviç.

Përfshirja e Policisë

Me largimin e serbëve nga policia e Kosovës, rolin e tyre e morën policët shqiptarë në numër dukshëm më të madh. Mirëpo, përveç tyre, në kundërshtim me marrëveshjen e Brukselit, në veri po veprojnë edhe njësi të ndryshme speciale, të uniformuara dhe civile, të cilat arrestuan një numër të madh serbësh me pretekstin e Kurtit “për të zbatuar ligjet e Kosovës”. “Kurti po bën gjithçka që konfirmimi i shtetësisë së Kosovës të bëhet i qartë si në terren ashtu edhe në kuptimin faktik. Ai erdhi në pushtet duke propaganduar politikën e mosrespektimit të të gjitha marrëveshjeve të mëparshme me Beogradin”, kujton Milivojeviç.

Arrestimet masive

“Siç e kemi thënë tashmë, Kurti po i shfrytëzon incidentet në veri të Kosovës që i provokoi me lëvizje të njëanshme për represion ndaj serbëve nën maskën e zbatimit të ligjit”, shkruan “Blic”, duke theksuar se kohët e fundit nuk kalon asnjë ditë pa policinë civile të Kosovës të arrestojë një serb në veri të Kosovës. Ajo që e shqetëson më shumë Milivojeviçin është se pas secilës prej këtyre lëvizjeve, Perëndimi nuk përgjigjet në mënyrë adekuate. “Në këtë drejtim, Kurti ka mbështetjen e heshtur të Perëndimit, i cili me mosveprimin e tij bën të ditur se i kupton masat e Kurtit. QUINT në fakt ka të njëjtin synim si Prishtina, të konfirmojë shtetësinë e Kosovës. Prandaj vetëm verbalisht dënon lëvizjet e Kurtit. Vetëm SHBA-ja e ndëshkoi Kosovën duke e përjashtuar nga stërvitjet ushtarake, por kjo nuk i dëmtoi shumë qytetarët e Kosovës”, thotë Milivojeviç.

Mbyllja e kufijve

“Kurti tregoi se është i gatshëm të shkaktojë kaos të plotë në rajon javën e kaluar kur reagoi tërësisht në mënyrë të pamatur pasi pjesëtarët e njësive speciale të policisë serbe arrestuan tre forcat speciale të Kosovës”, shkruan “Blic”, referuar vendimit për të penguar kalimin e kamionëve dhe autobusëve serbë. Kështu ai ndaloi hyrjen e mallrave serbe në Kosovë. Milivojeviç thotë se të gjitha këto lëvizje e ngritën popullaritetin e Kurtit në Kosovë dhe sipas tij kjo është arsyeja pse QUINT nuk e kundërshton plotësisht. Po ashtu ai theksoi, se Perëndimi dëshiron ta zgjidhë çështjen e Kosovës deri në fund të vitit.

Te tjera

Lajme te tjera