E premte, 17 Prill, 2026

Ja fundi i hidhur që e pret Sali Berishën, Romeo Kara paralajmëron zhvillime “bombastike” në politikë, kush janë “kokat” që do të priten në PS dhe çfarë fshihet pas arrestimit të Erion Veliajt

Share

Juristi i njohur Romeo Kara ka analizuar goditjen ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj nga SPAK, duke theksuar se ky nuk është një akt i izoluar, por një sinjal i qartë se sistemi ka nisur të konsumojë figurat që nuk i duhen më. Në një intervistë për gazetën “SOT”, Z.Kara e sheh Veliajn si një produkt tipik të një strukture të korruptuar që për vite ka përdorur pushtetin për pasurim personal, pastrim parash dhe kontroll politik. Arrestimi i tij, sipas Karës, është më shumë një “kurban” i mirëllogaritur sesa një triumf i drejtësisë, dhe paralajmëron se nëse zinxhiri i përgjegjësisë nuk ndiqet deri në majë, gjithçka do të mbetet një lojë fasadash. Ai nuk ndalet vetëm tek Veliaj. Kara ngre alarmin për një luftë të brendshme që ka nisur brenda Partisë Socialiste, ku disa nga figurat më të njohura të saj mund të jenë në radhë për “prerje koke”. Sipas tij, nuk është më çështje nëse do të ketë të tjerë të goditur, por se kush do të jetë i radhës që do të sakrifikohet nga sistemi për të ruajtur balancat e brendshme. Ai flet për një mekanizëm selektiv goditjesh, ku drejtësia përdoret si instrument për eliminimin e atyre që bëhen të rrezikshëm për kupolën, qoftë për shkak të ambicieve politike, qoftë për faktin se dinë shumë. Në këtë kuadër, Romeo Kara nuk lë jashtë vëmendjes as Sali Berishën, për të cilin thotë se po i afrohet fundit politik. Ai shuan çdo iluzion për ndihmë nga jashtë, duke theksuar se as SHBA dhe as rikthimi i Donald Trump nuk do ta shpëtojnë dot nga një dosje e rëndë, e ndërtuar mbi fakte, korrupsion dhe zhvatje.

-Z. Kara, kryebashkiaku Veliaj është tashmë zyrtarisht nën akuzë nga SPAK. Si e shihni këtë zhvillim? Është fundi i një karriere politike, apo fillimi i një lufte të brendshme brenda Partisë Socialiste?

Ky është një zhvillim i rëndësishëm, por nuk duhet parë si një rast i izoluar. Aktakuza ndaj z. Veliaj nuk është as fundi i një karriere, as thjesht një krizë brenda Partisë Socialiste.  Ky nuk është fillimi i një ‘lufte të brendshme’ në PS. Kjo është krisja publike e fasadës së një strukture që për vite me radhë ka funksionuar si një korporatë kriminale me mbulesë politike. Është pasqyrë e një sistemi që për vite me radhë ka prodhuar arrogancë, pandëshkueshmëri dhe zhvatje me firmë institucionale. Akuzimi i Erion Veliajt nuk është thjesht një ngjarje penale, por është një aktakuzë politike ndaj një modeli pushteti që ka përdorur bashkitë dhe shtetin për pasurim personal, për pastrim parash, për kontroll total mbi jetën publike dhe për shtypjen e çdo zëri kritik. Veliaj është produkt i këtij sistemi dhe sigurisht që ai nuk ka vepruar i vetëm. A do të jetë ky fundi i karrierës së tij? Kjo gjë varet nga drejtësia, por e sigurt është që, nëse drejtësia ndalet vetëm te Veliaj dhe nuk shkon te i gjithë zinxhiri i plotë i përgjegjësisë, atëherë kjo do të jetë vetëm një lëvizje kozmetike, një ‘kurban’ për të shpëtuar sistemin. Unë absolutisht nuk gëzohem kur dikush akuzohet, por jam i bindur se, Shqipëria nuk mund të ecë përpara pa pasur përgjegjësi individuale dhe institucionale.  Kjo nuk është thjesht një luftë brenda PS-së, por është një lëvizje e vonuar e drejtësisë ndaj një elite që ka menduar se është mbi ligjin. Edhe një herë, unë nuk kam luftë personale me askënd, por kam një luftë të hapur dhe të pandalshme me çdo formë pushteti që vjedh, manipulon dhe dhunon të drejtën, dinjitetin dhe pasurinë publike të shqiptarëve. Çështja e Veliajt është vetëm maja e ajsbergut. Nëse nuk shkon më thellë, në rrënjët e bashkëpunimit politik-biznes-mafia, atëherë rrezikojmë që gjithçka të përfundojë si një fasadë e radhës. Populli shqiptar nuk ka më kohë për fasada.

-Sipas jush, kush e “fundosi” realisht Erion Veliajn? Ishte një goditje nga drejtësia e pavarur, apo një pasojë e përplasjeve dhe llogarive të brendshme në kupolën socialiste?

Aktakuza ndaj Erion Veliajt është tronditëse vetëm për ata që kanë zgjedhur të mbyllin sytë për vite me radhë. Për pjesën tjetër të shoqërisë, kjo ishte një kronikë e paralajmëruar dhe kjo jo sepse drejtësia po bën më në fund detyrën, por sepse sistemi po sakrifikon një nga figurat e veta, jo për të pastruar veten, por për të shpëtuar kokën.  Ai nuk është një personazh i rastësishëm, por një produkt i një modeli politik ku besnikëria ndaj establishmentit është më e rëndësishme se ligji, dhe ku meritat maten me aftësinë për të kontrolluar, manipuluar dhe prodhuar fasadë. Erion Veliaj nuk u fundos vetëm nga drejtësia. U fundos nga vetë sistemi që e ngriti, e mbrojti dhe e përdori për vite me radhë si vegël e bindur e pushtetit absolut.  Në një regjim të ndërtuar mbi marrëveshje, patronazhim, frikë dhe heshtje të paguar, fundi nuk vjen nga morali, por nga momenti kur bëhesh i padobishëm ose je i rrezikshëm për qëndrën e kontrollit. Veliaj nuk ra sepse drejtësia u bë e pavarur papritur. Ai ra sepse, brenda sistemit që e prodhoi, dikush vendosi se ai nuk i shërbente më qëllimeve strategjike. U bë i dëmshëm, u bë shumë ambicioz, u bë i konsumuar dhe mbi të gjitha u bë i rrezikshëm për ekuilibrin delikat të interesave të të gjithë establishmentit. Drejtësia pati rolin e vet, por pyetja që duhet të bëjmë është: a do ta kishte guxuar drejtësia këtë akt nëse qendra e pushtetit nuk do ta kishte lejuar apo ndoshta urdhëruar? Kjo është më shumë një llogari e brendshme, sesa një fitore e drejtësisë. Në një sistem vërtet demokratik, drejtësia nuk zgjedh kë dhe kur të godasë, por ajo i shkon deri në fund përgjegjësisë së çdo hallke, përfshirë dhe majën e piramidës, por në Shqipëri, kur dikush fundoset, nuk është drejtësia që i nxjerr të palarat, pasi janë ata që i kanë ditur prej kohësh, i kanë përdorur si shantazh dhe i hedhin në zjarr kur u prishen llogaritë. Veliaj është një simbol i përdorimit politik dhe i konsumimit të kontrolluar. Nëse kjo goditje ndalet tek ai, atëherë nuk kemi drejtësi, por kemi thjesht një vetëpastrim i orkestruar nga kupola, që po e dorëzon njërin nga bijtë e saj për të ruajtur establishmentin. Do të ketë goditje të tjera, por nuk do të jenë goditje ndaj sistemit. Ato do të jenë goditje brenda sistemit, luftë klanesh për mbijetesë politike, për kontroll mbi burimet dhe për zhdukje të dëshmitarëve potencialë. Në këtë betejë, populli është spektator dhe viktimë njëkohësisht. Mos u mashtroni nga tymi i asaj që duket si drejtësi. Kjo nuk është një epokë e re, por një lojë e vjetër me maskë të re. Sot është Veliaj, nesër mund të jetë një tjetër. Për sa kohë kupola mbetet e paprekur, Shqipëria nuk po çlirohet, por po riformatohet për të mbijetuar më gjatë në të njëjtin kalbëzim moral. Ndaj, përgjigjja nuk duhet të vijë vetëm nga SPAK-u. Ajo mbi të gjitha duhet të vijë nga qytetarët që nuk pranojnë më të zgjedhin midis së keqes më të vjetër dhe së keqes më të re.

-A jemi përballë një lufte të hapur klanesh brenda PS-së, ku çdo figurë që rrezikon të dalë jashtë kontrollit të qendrës, eliminohet një nga një? Dhe a mund të ketë të tjera goditje nga SPAK ndaj eksponentëve të tjerë të PS-së?

Nuk jemi thjesht përballë një lufte klanesh brenda PS-së.  Jemi përballë një sistemi të kalbur, ku lufta për kontrollin e pushtetit dhe për mbijetesën politike është bërë e pamëshirshme.  Atyre që dalin nga rreshti, apo rrezikojnë të dëmtojnë interesat e qendrës së vendimmarrjes, u jepet mesazhi: nëse nuk je i kontrollueshëm, je i konsumueshëm. SPAK nuk është duke goditur në mënyrë të verbër. Goditjet konsideroj që janë selektive.  Janë pjesë e një skenari më të gjerë, ku drejtësia ndonjëherë përdoret për pastrim imazhi të sistemit, jo për pastrim real të shtetit.  Pyetja që duhet të bëjmë është: pse tani? dhe pse vetëm disa, kur të gjithë i dimë aferat që e kanë kapur shtetin në çdo hallkë. Po, unë besoj se do të ketë goditje të tjera, por nëse ato nuk çojnë në shpërbërjen e të gjithë zinxhirit të korrupsionit që ka kapur pushtetin qendror dhe lokal, atëherë jemi përballë një ‘lvetëpastrimi të kontrolluar, ku sistemi flijon figura për të shpëtuar vetveten. Unë nuk kam iluzione. E vetmja drejtësi që do ta shpëtojë këtë vend është ajo që vjen nga poshtë, nga një popull i zgjuar, i ndershëm dhe i vendosur të mos pranojë më asnjë klan mbi ligjin.

-Sali Berisha kishte shpresë se administrata Trump do ta ndihmonte për të zhbërë “non grata-n” amerikane. Por zhvillimet e fundit në SHBA duket se nuk po i ecin në favor. Si e shihni këtë pritshmëri që duket se po zbehet? A është koha kundër tij?

Pritshmëria e Sali Berishës se një rikthim i Donald Trump-it do të përmbyste vendimin ‘non grata’ është një tjetër iluzion i një njeriu që prej vitesh ka jetuar me idenë se aleancat ndërkombëtare janë kartë mbrojtjeje personale dhe jo vlera që duhen respektuar. Amerika nuk është një njeri i vetëm.  Shtetet e Bashkuara nuk e ndërtojnë politikën e jashtme në funksion të halleve personale të liderëve të korruptuar ballkanikë. Vendimi‘non grata’ ndaj Berishës është bazuar në një vlerësim të thelluar të Departamentit të Shtetit, shërbimeve inteligjente dhe raporteve të dokumentuara për korrupsion madhor. Koha nuk punon për Sali Berishën, përkundrazi po punon kundër tij. Ai është një figurë që përfaqëson të kaluarën e errët të një tranzicioni të deformuar dhe një nga simbolet e paprekshmërisë që sot është më i vetmuar se kurrë.  Nuk ka më mburoja ndërkombëtare dhe nuk ka më pazare që e mbajnë në këmbë.  Atij po i mbarojnë edhe aleatët e brendshëm, edhe hapësira e manovrës. Kjo pritshmëri që po zbehet nuk është thjesht rënie personale, por është rënia e një miti të rremë: se politika është mbi ligjin, dhe se një ditë dikush nga jashtë do të vijë ta pastrojë të kaluarën e pistë. Historia nuk fshihet me fjalime patriotike dhe as me nostalgji të fabrikuara, por vetëm me drejtësi. Koha e Sali Berishës nuk ka mbaruar sepse e thotë një ambasadë apo një akt formal. Ajo po mbaron sepse shoqëria shqiptare, ngadalë por pa kthim, po zgjohet dhe po i kthen shpinën atyre që për dekada e përdhosën shtetin, drejtësinë dhe vetë fjalën Atdhe.

Intervistoi: Rigels Seliman

Te tjera

Lajme te tjera