Ditën e djeshme u mbajtën zgjedhjet e parakohshme në Serbi. Presidenti Aleksandër Vuçiç tha se është pothuajse i sigurt për fitoren e Partisë së tij Progresive Serbe. “Kur flas për një fitore bindëse, mendoj se lista (SNS) do të jetë afër shumicës absolute, ose do të ketë një shumicë absolute”. Mendoj se ky është një kusht i rëndësishëm që Serbia të vazhdojë në rrugën e prosperitetit”, tha Vuçiç pas votimit në Beograd. Gjithashtu kryeministrja serbe Ana Brnabiç doli dje dhe shpalli fitoren e Partisë Përparimtare Serbe në zgjedhjet parlamentare në Serbi. Brnabiç tha se partia e tyre do të marrë më shumë se 125 mandate deputetësh, ndërsa projeksionet nxjerrin fitues sërish partinë e Vuçiç me 129 deri në 133 deputetë. Brnabiç tha se rezultatet e para në 50 për qind të vendvotimeve tregojnë se partia ka fituar 47.1 për qind të votave. Sipas këtyre parashikimeve, sipas saj, koalicioni opozitar “Serbia kundër dhunës” ka fituar 23 për qind të votave dhe Partia Socialiste e Serbisë, 6.7 për qind të votave. “Vetëm lista jonë do të ketë më shumë se 125 mandate parlamentare”, ka thënë ajo.
Opozita pretendon se ka fituar Beogradin
Ndërkohë, pas mbylljes së kutive të votimit, përfaqësuesi i koalicionit opozitar i “Serbia kundër dhunës”, Pegja Mitroviç, është shprehur se beson te fitorja në Beograd. Ai theksoi se të gjitha perspektivat janë të tilla që ai të fitojë në Beograd, sepse pjesëmarrja në vendet ku opozita fitoi vitin e kaluar është rritur në këtë proces zgjedhor. Ndërsa në zonat ku partia e Vuçiç ka fituar vitin e kaluar, ka rënë ndjeshëm numri i votuesve, sipas tij.
Zëri i shqiptarëve në parlamentin serb
Shaip Kamberi pritet të jetë fitues i një tjetër mandati për të përfaqësuar shqiptarët në Luginën e Preshevës. Këtë herë shqiptarët në Serbi votuan të ndarë, teksa përballë Kamberit garoi Visar Memeti nga Presheva. Sipas rezultateve, Kamberi ka dominuar në vota në pjesën më të madhe të njësive. “Jemi shumë afër sigurimit të një mandati, kjo nuk përcaktohet vetëm nga votat që marrim, por nga dalja e përgjithshme, nga fakti se a do të digjet ndonjë listë e partive qendrore të cilat s’arrijnë të marrin 3% të votave të domosdoshme, sa është kuota ajo që ligji e përcakton si pragu natyror për një mandat”, ka deklaruar Kamberi për RTK-në. Në një lidhje të drejtpërdrejtë nga Bujanoci, ai ka shprehur mirënjohjen e tij për votuesit nga Kosova, duke i quajtur si ndihmues të betejës. Shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë treguar një model të shkëlqyer në procesin e votimit, pa incidente apo akuza për manipulime, ndryshe nga shumë zona të tjera të votuesve serbë ku janë raportuar incidente të rënda si presione, votim i hapur, fotografim i votës e të tjera.
Detajet nga votimi
Dje votuan 55.5 për qind e qytetarëve. Fillimisht ka nisur numërimi i votave për Parlament, më pas për krahina dhe ato lokale. Procesi u shoqërua dhe me përplasje. Rasha Nedellkov, drejtor i organizatës joqeveritare për vëzhgim zgjedhjesh CRTA, ka pretenduar se vëzhguesit e organizatës janë sulmuar fizikisht dhe makinat e tyre janë dëmtuar rëndë në komunën Oxhaci në veri të Serbisë. Policia ka arrestuar gjatë ditës një të dyshuar lidhur me këtë incident dhe është thënë se po kryhen hetime. Nedellkov ka shtuar se ka pasur votues që janë bartur me autobusë prej entitetit serb të Bosnje -Hercegovinës, për të votuar në Beograd. Misioni Vëzhgues për Demokraci dhe Zgjedhje të Lira, i themeluar në Beograd më 1997 ka raportuar se ka parë “mosrespektim të përsëritur” të procedurave zgjedhore në disa qendra të votimit dhe prezencë të “materialit propagandues”. Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, ka thënë se i ka vizituar disa qendra zgjedhore në Beograd. “Ambasada amerikane i ka 14 ekipe të shpërndara nëpër Serbi dhe Beograd”, ka thënë ai, teksa ka komentuar praninë e vëzhguesve të huaj në këto zgjedhje. Këto janë zgjedhjet e pesta që janë organizuar në Serbi prej vitit 2012, dhe janë mbajtur vetëm 18 muaj pas organizimit të procesit të fundit zgjedhor. Zgjedhjet janë nxitur prej zemërimit në rritje të publikut për të shtënat masive të këtij viti dhe kërkesës së vazhdueshme të opozitës për proces të ri zgjedhor. Dy sulmet me të shtëna masive të majit maj, që kanë lënë të vdekur 18 persona, përfshirë nëntë nxënës dhe adoleshentë, kanë rezultuar me protesta në rrugë me javë të tëra.
