E diel, 20 Prill, 2025

Ish-presidenti spiun i Sigurimit? Rama: Ilir Meta apo Metaj po shantazhon Autoritetin e Dosjeve, ndryshimi i ligjit i hap rrugë hetimit të plotë

Share

Kryeministri Edi Rama ka thyer heshtjen mbi verifikimin e Autoritetit për Informim mbi Dosjet e Sigurimit te Shtetit pasi rezulton se Ilir Meta apo Metaj ka qenë bashkëpunëtor i ish Sigurimit të Shtetit. Në reagimin e tij këtë të shtunë, Rama i ka kthyer përgjigje publike Ilir Metës, i cili mohon të ketë lidhje me dosjen e siguruar edhe nga Report Tv. Një qëndrim të qartë pro kërkesës së Autoritetit të Dosjes e tregoi duke shkruar se politika duhet të votojë në Kuvend ndryshimet ligjore në mënyrë që t’i hapet rrugë hetimit të plotë për bashkëpunëtorët e ish Sigurimit të Shtetit. Rama theksoi se në shtator, me nisjen e sesionit të ri parlamentar, Kuvendi duhet të diskutojë edhe mbi idenë e hedhur që spiunët e Sigurimit të kthehen në subjekte të Ligjit për Pastërtinë e Figurës së të Zgjedhurve (i quajtur ndryshe Ligji i Dekriminalizimit). 

Më gjatë ndalet tek Ilir Meta, veprimet e të cilit i cilëson si “shpërthim tërbimi me piskama e lëvizje të pakontrolluara të krahëve” dhe e krahason me Sali Berishën. Krahasimin e Metës me Sali Berishën që Rama tashmë nuk e thërret as në emër por e quan ‘të shpallurin non grata’ e bën duke iu referuar sulmeve dhe shantazheve ndaj kryetares së Autoritetit të Dsojeve. Kryeministri e kthen prapa në kohë Ilir Metën duke i kujtuar koalicionin PS-LSI dhe bisedat për Genta Sulën. Ishte vetë Meta që propozoi emrin e saj duke i thënë Ramës: “Bëhen këto emërimet tek Autoriteti i Dosjeve, ta çojmë Gentën atje se këta të përndjekurit e ke parasysh… Nuk mbushin mirë.”

Pasi morën në dorë CV e saj, u arrit që Genta Sula, e cila sot akuzohet vazhdimisht nga Meta, të bëhej kryetare e Autoritetit me votën e shumicës parlamentare të kohës. Këtë e hodhi poshtë bashkëpunëtori i Ilir Metës, Tedi Blushi, i cili në një reagim në rrjete sociale akuzon Ramën për mashtrim dhe falsifikim duke thënë se Sula ka qenë e preferuara e tij dhe kryebashkiakut Erion Veliaj. Ndër të tjera, Rama thekson se nuk ka pasur asnjë kontakt me Genta Sulën, të cilën e ka takuar vetëm në aktivitete publike. Teksa nuk kursen vlerësimin për punën e saj duke thënë se nuk e ka aspak të lehtë, tregon se nuk ka folur me të as pas historisë që e cilëson “të shpifur” të politikanit me inicialet I.M., që ka qenë bashkëpunëtor i ish Sigurimit të Shtetit.

“Unë nuk e di a është Ilir Meta apo Metaj, ky spiuni me inicialet I.M dhe as e kam parë vetë dosjen!” – tha Rama. Megjithatë mes ish-presidentit dhe Autoritetit thotë se zgjedh të besojë të fundit. Por sipas Ramës, këtë histori nuk i takon politikës ta ndajë, po vetëm Autoritetit të Informimit mbi Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit.

Në mbrojtje i doli edhe Lindita Nikollës, të cilën Ilir Meta e sulmoi duke e quajtur ‘pula e Kuvendit’ pasi nuk e njoftoi atë personalisht mbi verifikimin e Autoritetit të Dosjeve, por thirri me urgjencë kryetarët e grupeve parlamentare. Meta u revoltua nga ky fakt duke thënë se nuk e kontaktoi asnjëherë atë personalisht. Ndërsa Rama thotë se Meta i hakërrehet me gjuhën e trashur si të kishte një hall të papritur në vend që të mbështesë kërkesën e Autoritetit të Dosjeve që të verifikohen politikanët që dolën në të pastër në Komisionet në vitet ’90. Në përfundim, Rama thotë se historia e kësaj thele mbi bishtin e gjatë e të neveritshëm të Sigurimit të Shtetit është sa befasuese dhe e trishtë në shëmtinë e saj, aq edhe motivuese për një reagim konstruktiv ndaj të shkuarës, përmes institucioneve të shtetit demokratik.

Kujtojmë se Report Tv siguroi dokumentin ekskluziv të Autoritetit të Dosjeve që zbulon se Ilir Meta është politikani i lartë i Shtetit që përmendet në dosjen e Autoritetit për Informim mbi Dosjet e Sigurimit të Shtetit. Në dokumentin e ekskluziv të Autoritetit të Dosjeve të siguruar nga Report Tv thuhet se ish-presidenti Meta rezulton bashkëpunëtor i Sigurimit të shtetit dhe nëse verifikimi i Metës do të bëhej sot certifikata e pastërtisë së tij do të ishte ndryshe. Autoriteti i Dosjeve i kërkon Kuvendit të Shqipërisë që të verifikohen politikanët që dolën në të pastër në Komisionet në vitet ’90. Autoriteti i Dosjeve, me qëllim që situata të tilla të mos përsëriten më, kërkojnë miratimin e propozimit për disa ndryshime në Kodin Zgjedhor të Shqipërisë.

Te tjera

Lajme te tjera