Ashtu siç e kishte paralajmëruar, Ilir Meta ka bërë kallëzim penal në SPAK dhe Prokurorinë e Tiranës për anëtarët e Autoritetit të Dosjeve. Kjo vjen pasi emri i tij doli në dosje si bashkëpunëtor i ish Sigurimit të Shtetit.
Meta ka bërë kallëzim penal për Gentiana Sulën, Albert Nikollën, Altin Hoxhën, Gjergj Markun dhe Skënder Vrionin me pretendimin se kanë falsifikuar dokumentet shtetërore, kanë bërë falsifikim kompjuterik, kanë falsifikuar vulat, stampat apo formularët, kanë shpërdoruar detyrën, kanë përhapur informata të rreme që ngjallin panik si dhe kanë zbuluar akte ose të dhëna sekrete.
Në kallëzimin drejtuar SPAK dhe prokurorisë së Tiranës, kërkon që të bëhet hetim i plotë, objektiv dhe i pavarur brenda një afati sa më të shpejtë.
“Anëtarët e AIDSSH-së, në shpërdorim të pastër të funksionit publik janë kthyer në vegla për të stisur dhe ekzekutuar një sulm politik të shëmtuar me pasoja të rënda edhe për besimin e publikut në institucionet shtetërore dhe funksionimin e shtetit të së drejtës”, shkroi Meta në kallëzim duke shtuar se është i hapur për bashkëpunim në lidhje me hetimet.
Në dokumentin e kallëzimit penal të drejtuar për SPAK dhe Prokurorisë së Tiranës që ka shpërndarë në Facebook, Meta thotë se ka bërë këtë veprim për shkeljet e rënda dhe të qëllimshme që sipas tij, anëtarët e Autoritetit të Dosjeve i kanë bërë ligjit organik për dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, për manipulimet dhe falsifikimet flagrante në shërbim të shantazhit politik, për llogari të Edi Ramës. Gjithashtu paralajmëron një konferencë shtypi në funksion të transparencës.