E diel, 16 Gusht, 2026

Hysaj merr prioritet tek Lacio, Manaj zbulon arsyen e largimit nga Uotfordi

Share

Lojtarët e Kombëtares duan të lënë gjurmë me skuadrat e tyre në kompeticionet europiane dhe një prej tyre është mbrojtësi dhe njëherësh kapiteni i përfaqësueses, Elseid Hysaj, i cili është pjesëtar i formacionit titullar tek Lacio në Serie A italiane. Me këtë skuadër shkodrani luan edhe në Conference League dhe ka ambicie për ta fituar këtë aktivitet. Hysaj ka fituar besimin e stafit dhe tani dëshiron të lerë gjurmë. Kështu, të enjten rikthehen duelet me eliminim direkt në Europa dhe Conference League. Lacio sfidon rumunët e Kluzhit rumun për një biletë në raundin e 1/8-ve. Ndeshja e parë do të zhvillohet në “Olimpico”, të enjten në orën 21:00. Elseid Hysaj po luan rregullisht me bardhekaltrit, ndryshe nga sezoni i kaluar. Lojtari i kombëtares shqiptare, theksoi në prononcimin për shtypin se Lacio synon fitimin e trofeut. “Duam të fitojmë Conference League. Mund t’ia dalim. Të gjithë lojtarët duan të kenë një trofe më shumë në karrierën e tyre. Si po shkon ky sezon? Jam më i qetë dhe po përmirësohem. Nuk dua të dorëzohem deri në fund. Ndihem më i qetë se më parë. Kemi parë një video të Kluzh, por fusha ishte e ngrirë. Kanë 3-4 lojtarë që bëjnë diferencën. Nuk duhet t’u lejojmë hapësira”, shprehet Hysaj. Më pas një koment për Sarrin, me të cilin ka punuar edhe tek Empoli e Napoli. “Ai nuk zbutet kurrë. Më pëlqen mënyra sesi i bën lojtarët të kuptojnë idetë e tij. E njoh prej vitesh, ai gjithmonë dëshiron të përmirësohet. Jemi një skuadër dhe një grup i madh. Ndihem më mirë, pasi më keq se vjet nuk mund të bëhej. Më vjen mirë që kam rifituar besimin e të gjithëve. Puna të shpërblen gjithmonë”, u shpreh Hysaj.

Sulmuesi/ Rei Manaj i larguar nga Uotfordi vetëm përkohësisht

Mediat spanjolle japin një shpjegim interesant në lidhje me ndërprerjen e kontratës së sulmuesit shqiptar Rei Manaj me Uotfordin. Sipas “El Mundo Deportivo”, sulmuesi shqiptar vendosi t’i japë vetëm përkohësisht lamtumirën klubit anglez. Thjesht për një çështje kontraktuale që iu leverdis të dyja palëve. Manaj që zbarkoi në Uatford verën e kaluar pasi ishte lënë i lirë nga Barça, vuan një dëmtim. Mediet spanjolle shkruajnë se do ta mbajë jashtë fushe të paktën deri në mesin e marsit. Për këtë arsye klubi dhe lojtari kanë diskutuar duke arritur në konkluzionin se për të dyja palët do të ishte më mirë të zgjidhnin kontratën. Në këtë mënyrë Manaj do të ishte i lirë për të nënshkruar me një klub deri në qershor. Në Spanjë apo në çdo kampionat tjetër si lojtar i lirë, ndërsa klubi do të kishte vendin e lirë për të marrë një zëvendësues. Por, gjithsesi, klubi do të respektojë dy vitet e kontratës që mbeteshin duke nisur nga sezoni i ardhshëm. Kështu sido që të shkojnë gjërat, lojtari do të kthehet te Uotford. Sa i përket të ardhmes, po nga Spanja njoftojnë se është Albacete që po interesohet për të siguruar shërbimet e Manajt si lojtar i lirë. Klubi që militon në Segunda Divizion, e ka pasur edhe më parë Manajn. Drejtuesit spanjollë besojnë se shërbimet e tij mund t’i vlejnë për pjesën e mbetur të sezonit. 25-vjeçari luajti me Albaceten në vitet 2018/2020, duke shënuar 10 gola me skuadrën spanjolle.

Te tjera

Lajme te tjera