E hënë, 13 Janar, 2025

Holanda kalon raundin e grupeve, por surprizën e bën Senegali që fiton me Ekuadorin dhe kualifikohet

Share

Nga grupi A i Botërorit, kalojnë në raundin tjetër Holanda si e para në renditje dhe Senegali. Ekipi afrikan bëri surprizën e madhe ditën e djeshme, pasi mposhti Ekuadorin dhe siguroi kalimin e fazës së grupeve, pra u kualifikua në 1/8 e finales së Kupës së Botës. Senegali kishte përballë Ekuadorin të cilit i duhej vetëm një barazim, pra vetëm një pikë, por amerikanolatinët nuk ia dolën ta merrnin atë dhe Senegali u tregua trim e i vendosur në fushë, duke e realizuar objektivin e tij.

Ndeshja e luajtur në “Khalifa International Stadium” u mbyll me rezultatin 2:1 në favor të Senegalit. Me këtë fitore, Senegali përfundoi i dyti në grup me gjashtë pikë, ndërkohë Ekuadori mbeti në katër pikë të tubuara dhe u eliminua pasi përfundoi i parafundit.Për Senegalin, kjo është hera e tretë që kalon me sukses fazën në grupe në tri pjesëmarrje në Kupën e Botës, ndërsa suksesin më të madh e ka në vitin 2002 kur arriti deri në çerekfinale.Një gol në pjesën e parë dhe një tjetër në të dytën, i siguruan fitoren Senegalit që ia shkaktoi humbjen e parë Ekuadorit në këtë Botëror.Ismaila Sarr shënoi nga penalltia në minutën e 44-të për epërsinë e Senegalit, ndërsa rezultatin përfundimtar e vulosi kapiteni Kalidu Kulibali në minutën e 70-të.Golin e vetëm në këtë takim për Ekuadorin, e realizoi mesfushori Moises Kaicedo në minutën e 68-të.Ndërkohë, përfaqësuesja e Holandës nuk ka pasur telashe për ta fituar ndeshjen e fundit në grup në Kupën e Botës.

Të martën pasdite, Holanda fitoi 2:0 ndaj nikoqirit, Katarit. Me fitore, Holanda e Luis van Galit, ka siguruar vendin e parë në grupin A. Ka mbledhur shtatë pikë në tri ndeshje dhe në një të tetën e finales do të paraqitet me vetëbesim të rritur. Kody Gakpo shënoi golin e parë të ndeshjes, në minutën e 26-të. Ndërkohë për 2:0 realizoi Frenkie de Jong në minutën e 49-të. Më pas “tulipanëve” iu anulua një gol për lojë me dorë.Gakpo ka shënuar në të tri ndeshjet. Shënoi golin e parë në fitoren e vështirë, 2:0, ndaj Senegalit. Më pas shënoi për barazimin 1:1 me Ekuadorin.Ndërkohë, Katari ka hyrë në histori si përfaqësuesja më e dobët nikoqire në Kupën e Botës. Katari u bë nikoqiri i parë që humbi ndeshjen e parë të Botërorit. Dhe u bë nikoqiri i dytë që u ndal në fazën grupore të Kupës së Botës. Afrika e Jugut kishte dështuar të kaloi grupin në vitin 2010, por kishte mbledhur katër pikë. Katari ka humbur tri ndeshjet dhe ishte thuajse inferior në grupin A.Në raundin pasardhës, “Tulipanët” sfidojnë SHBA, që mundi minimalisht 0-1 Iranin. Për senegalezët rezervohet një përballje “jetë a vdekje” me Anglinë, që triumfoi si kryesuesja e grupit B me 7 pikë, pasi likujdoi 0-3 Uellsin.

Te tjera

Lajme te tjera