Dje në mbrëmje u hodh shorti i Kupës së Botës “Katar-2022”. Kur mbeten vetëm disa muaj nga zhvillimi i këtij aktiviteti, më i rëndësishmi për futbollin gjatë këtij viti, në Doha të Katarit, figura të mëdha të topkëmbës ishin zgjedhur për të tërhequr goglat dhe për të përcaktuar 8 grupet e fazës finale të Kampionatit Botëror. goglat surprizuan në pjesën më të madhe, edhe pse trajnerët e përfaqësueseve duhet të ndihen të kënaqur me grupet ku ranë, pasi mund të ndodhte edhe më keq e më vështirë. Por padyshim, kulmi i shortit të djeshëm ka qenë rënia në një grup e Zvicrës dhe Serbisë, njëlloj sikurse ndodhi katër vjet më parë në Botërorin e Rusisë. Theksojmë se para katër vjetësh, me Zvicrën përballë ishte edhe Brazili, e për ironi të fatit këtë edicion Brazili është në grup me helvetët. Kjo do ta bëjë shumë interesante grupin G, sidomos për faktin se tek Zvicra luajnë lojtarët me origjinë shqiptare, e kujtojmë këtu se ishin pikërisht Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri që e përmbysin Serbinë në Rusi, duke festuar me shqiponjë dhe duke sjellë një debat të fortë atëherë në mbarë Europën, sepse festimi me shqiponjën shqiptare për serbët ishte “provokacija”. Ndërkohë, vihet në dukje se grupi E ka përplasje titanësh, sepse Spanja dhe Gjermania do të jenë përballë, por shihen favorite ndaj Japonisë dhe fituesit të çiftit Kosta Rika-Zelanda e Re. Një tjetër grup “zjarri” është grupi F, ku Belgjika dhe Kroacia do duelojnë për vend të parë e do të kenë shqetësimin e Marokut dhe të Kanadasë. Portugalia e Ronaldos në grupin H do të ketë rivalitetin e Ganës, Uruguajt të Suarezit dhe Kortesë së Jugut. Franca në grupin D duket favorite absolute për tu kualifikuar përballë Danimarkës, Tunizisë dhe fitueses së çiftit Peru-Emiratet e Bashkuara Araba/Australi. Argjentina e Leo Mesit ka short të vështirë, pasi në grup është Polonia e Levandovskit dhe Meksika, si dhe modestët e Arabisë Saudite. Një nga pretendentet, Anglia, ka short të pranueshëm ku më shumë spikat dueli Iran-SHBA. Kurse vendasit e Katarit, do të kenë në grup Ekuadorin, Senegalin dhe Holandën si favorite të grupit.