Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj shfrytëzoi dje takimin promovues për librin e ri të këngëtarit Ermal Meta, “Nesër e përgjithmonë”, për të folur për hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit dhe ligjin e miratuar në kohën kur ai drejtonte Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Gjatë fjalës së tij, kryebashkiaku Veliaj theksoi se vendimi i Kuvendit për të hapur dosjet e ish-Sigurimit, sipas tij, se ishte vendimi i duhur për shoqërinë shqiptare. “Në ditën e fundit që drejtoja Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë kaluam në Parlament ligjin e hapjes së dosjeve të diktaturës dhe në atë kohë, si ekip, kemi pasur një dilemë të madhe: nëse hapja e dosjeve do ta shëronte shoqërinë apo do të hapte një plagë më të madhe, a do hakmerreshim me njëri-tjetrin. Ndoshta ne s’do të jemi më këtu, në këtë botë, kur do të jepet vlerësimi për këtë, por besoj se e vërteta na bën të lirë. E vërteta na jep mundësinë të komunikojmë, të dimë të flasim me njëri-tjetrin, të hedhim melhem aty ku ka pasur hemorragji në shoqërinë tonë. Ndaj, mendoj se kemi marrë vendimin e duhur për të hapur dosjet”, deklaroi ai. Ndërkohë, Veliaj shtoi se duke kuptuar që të këqijat më të mëdha ia kemi bërë njëri-tjetrit, është një mënyrë reflektimi për shoqërinë se si do jetë në të ardhmen. “E di se kultura jonë ballkanike, sa herë që ndodh diçka e keqe, ia hedh fajin dikujt tjetër. Por, kur hapim dosjet, ose kur të lexoni librin e Ermalit, do të kuptojmë se gjërat më të poshtra, më të liga dhe më të ndyra, ia kemi bërë vetë njëri-tjetrit. Nuk na i ka bërë as fashizmi, as nazizmi, as shkjau, as greku”, nënvizoi Veliaj.
Hapja e dosjeve, Veliaj thumbon Metën: Vendimi i duhur, mënyra për t’u ndarë nga e shkuara e hidhur
Share
Te tjera