E premte, 24 Prill, 2026

“Hapësira ime publike”, 8351 denoncime nga qytetarët, zgjidhen 3112 prej tyre

Share

Në aplikacionin “Hapësira ime publike” vijojnë raportimet e qytetarëve për denoncimin e problematikave që hasin në komunitetin e tyre dhe jo vetëm.

Agjencia Për Media dhe Informim informoi sot se “deri më tani në faqen e prezantuar nga kryeministri Edi Rama pak kohë më parë, janë raportuar 8 351 raste, nga të cilat 3 112 raste janë të zgjidhura dhe 5 239 në proces”.

Ndërkohë që lirimi i hapësirave publike po vijon në gjithë territorin e vendit.

Kjo iniciativë e re e qeverisë në përballjen me problemin e zaptimit të hapësirave publike, i jep mundësi qytetarëve të denoncojnë duke bashkëlidhur foto dhe video për 7 problematika të ndryshme. Denoncuesi mund të vetëidentifikohet përmes portalit e-Albania, ose të qëndrojë në anonimat. Në rast se qytetarët nuk marrin përgjigje për ankesën e parë brenda 24 orësh, në portal është vendosur në dispozicion një formular për ndjekje të mëtejshme të problematikës.

Në portalin “Hapësira ime publike” mund të denoncohen të gjitha rastet që shqetësojnë komunitetin duke nisur nga zënia e trotuareve, parkimet e paligjshme, ndërtime pa leje, dëme të pronës publike, ndotje fizike apo akustike të hapësirës publike, zaptim të rrugëve kombëtare, përfshirë kantieret e ndërtimit me rrethime të pasigurta.

Te tjera

Lajme te tjera