E martë, 25 Gusht, 2026

Grid Rroji nxjerr detajet e forta: Rama dhe Berisha përballë një vjeshte të nxehtë nga SHBA, katër dosjet e hapura të kryeministrit dhe prapaskenat e heqjes së “non-gratës” së liderit të opozitës, ja çfarë mund të ndryshojë me ardhjen e ambasadorit të ri amerikan

Share

Grid Rroji, pedagog i shkencave politike në universitetin CUNY-New York në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) tha se shtatori mund të sjellë zhvillime të reja politike në Shqipëri, ndërsa protestat pritet të testohen për forcën dhe drejtimin e tyre.

 Në një intervistë për “Agora News”, ai u ndal edhe te marrëdhënia e Edi Ramës dhe Sali Berishës me SHBA-në, duke theksuar se të dy kanë çështje të ndryshme për t’u përballur. Sipas Rrojit, ardhja e ambasadorit të ri amerikan mund të sjellë një qëndrim më të qartë të Uashingtonit ndaj politikës shqiptare. Rroji theksoi gjithashtu se ndryshimi politik, sipas tij, nuk mund të pritet vetëm nga ndërhyrja amerikane, por kërkon angazhim më të madh qytetar.

Zoti Rroji, në optikën tuaj, si i keni parë protestat që nga fillimi deri më sot dhe sa gjasa ka që këto protesta, duke nisur nga shtatori e tutje, të rrëzojnë nga pushteti Edi Ramën? 

Grid Rroji: Unë që në fillim i kam parë këto protesta më gjerë sesa thjesht protesta për të rrëzuar njërin apo tjetrin. Këto protesta, mënyra se si filluan, mënyra se si janë mbajtur përditë dhe mënyra se si janë zhvilluar, na tregojnë që paria e Tiranës – dhe ajo që ka bërë paria e Tiranës, e cila sot është nën kryesimin e Edi Ramës si kryeministër – ka dështuar. Projekti i saj politik, ekonomik dhe shoqëror është më se i dështuar, dhe kjo po bëhet përditë e më e qartë për sa më shumë qytetarë të jetë e mundur.

Përveç kësaj, paria e Tiranës tanimë nuk ka zgjidhje tjetër përveçse ta shesë Shqipërinë, ta japë Shqipërinë me koncesione në fillim dhe tani ta shesë krejtësisht. Pra, në një vend ku paria e Tiranës ishte fillimisht pronare, tanimë nuk është më as pronare. Shqipëria ka kaluar në duar të sindikatave ndërkombëtare të krimit dhe, si i tillë, roli i parisë nga kontrollues të pushtetit është tanimë thjesht në sekserë të pushtetit. Në qejf të madh, janë të detyruar që të mbyllin sytë, të mbyllin veshët, të mbyllin gojën dhe të bëjnë atë që u detyrohen pronarëve të tyre të mëdhenj, me një objektiv të vetëm në mendje, që është pasurimi i vetes për parinë. Ndërkohë, këtë po e kuptojnë shumë më shumë shqiptarë, dhe ky është thelbi i këtyre protestave.

 Pra, shqiptarët kanë kuptuar që sistemi është jo thjesht i kalbëzuar, por i ndërtuar kundër shqiptarëve, i ndërtuar kundër nesh, kundër gjithkujt që e ndien veten shqiptar. Sistemi nuk është thjesht oligarkik, por është i kapur në të gjitha hallkat e veta, dhe interesat ekonomike të Shqipërisë janë shitur te prurësi më i parë, që në këtë rast janë sindikatat ndërkombëtare të krimit. Situata shoqërore nuk është thjesht e dëshpëruar; nuk është thjesht që ka përfunduar arsimi, ka përfunduar shëndetësia, kanë ikur të gjitha në drejtim të paditur, janë kthyer të gjitha në sekserllëqe për para, dhe çdo gjë të mirë që mund të bënte një shtet, shteti shqiptar nuk e bën më.

Të gjitha këto kanë një dhe vetëm një burim, i cili është paria e Tiranës, dhe si të tilla, protestat janë kanalizuar kundër sistemit, në ndryshimin e sistemit, në krijimin e një sistemi të ri politik, ekonomik dhe shoqëror, që do të ishte në gjykimin tim sistemi më i mirë dhe më i duhur për shqiptarët sot: shtet-kombi. Ose, për ta thënë më thjesht, që ta kuptojmë të gjithë, sepse ndoshta fjala “shtet-komb” i tremb disa njerëz: një shtet i shqiptarëve për shqiptarët. Pra, ky është thelbi i asaj që kërkojnë protestat. Pavarësisht se brenda protestave pastaj ka grupime të ndryshme, sigurisht që paria e Tiranës është përpjekur me të gjitha mënyrat e veta që ta kontrollojë këtë protestë. Brenda protestës ka, grupe ushunjëzash që pinë gjak nga protesta, që janë pjesë e politikës aktive.

 Ka shumë e shumë të tjerë që punojnë për njerëz që nuk janë tanimë në politikë aktive, që janë në burg, si Ilir Meta dhe Erion Veliaj, të cilët janë duke punuar fort brendapërbrenda protestës. Por ajo që vlen dhe ajo që ka mbetur gjatë gjithë këtyre ditëve dhe muajve të protestës, është se shpirti i protestës është i duhuri. Shpirti i protestës është ai që shqiptarët nuk duan më të jetojnë si skllevër. Jo më larg se sot, kryeministri doli dhe u tall me emigrantët që rikthehen në Shqipëri, të cilët kërkojnë një sistem të ri.

U tall sepse është i vetmi segment që paria e Tiranës ka frikë realisht, sepse diaspora është i vetmi segment që nuk kapet dot nga interesat e parisë, pavarësisht se ata i kanë dërguar njerëzit e tyre në të gjitha vendet e mundshme dhe në të gjitha organizatat e diasporës të mundshme. Por ka një shpirt pastërtie tek diaspora shqiptare në përgjithësi, e cila mund ta rrezikojë parinë. Tani, nga kjo duhet të dalim edhe në një pikë tjetër që është e rëndësishme për t’u thënë. Kjo protestë deri më sot nuk ka mbërritur dot të krijojë mesazhin e qartë për një shtet-komb të shqiptarëve.

Brenda saj ka shumë njerëz të cilët e kuptojnë; sheshi, sipas eksperiencës sime, e kupton në pikëpamje të ndjesive se shteti i ri i shqiptarëve duhet të jetë për ne, i ndërtuar në mënyrë të ndryshme nga ky i sotmi e të tjera, e të tjera. Por nuk është artikuluar qartë, nuk ka artikulim ende të qartë dhe të futur në një linjë të qartë ideologjike të protestës, dhe ende po ka përplasje brendapërbrenda saj për linjën dhe për vijën ideologjike të protestës. Unë mendoj që vjeshta, shtatori, që të jemi më të saktë, do të jetë pjesa ku do të ndahet shapi nga sheqeri.

Ose shqiptarët, ata që e ndiejnë veten realisht shqiptarë, do të rebelohen në mënyrë qytetare dhe do t’i kundërvihen kësaj parie me të gjitha llojet dhe format e mundshme, që nga bojkotet e deri te të gjitha llojet e tjera; ose kjo protestë do të përfundojë në një protestë që i shërben shumë pak shqiptarëve dhe mund t’i shërbejë kujtdo tjetër. Le të mos harrojmë që paria e Tiranës jo vetëm që është duke e shitur vendin, jo vetëm që e ka rrënuar vendin ekonomikisht duke ndërtuar një ekonomi oligarkike, jo vetëm që i ka skllavëruar shqiptarët, masivisht po i hedh të gjitha hapat për krijimin e një konflikti me bazë fetare, sektare, rajonale dhe etnike në Shqipëri, i cili do të jetë shumë më i frikshëm sesa ajo që mendojnë njerëzit.

Pra, nuk është thjesht çështja se a do ta heqim Edi Ramën nga pushteti – gjë që ai nuk e ka merituar kurrë të jetë në pushtet, sepse vetëm një popull kaq gjeneroz, kaq bujar siç jemi ne shqiptarët, mund t’i jepte atij 25 e kusur vite pushtet, atij dhe Sali Berishës e Ilir Metës dhe të gjithë këtyre plehrave të tjerë të kombit shqiptar që na kanë drejtuar ne këto 36 vite. Por problemi themelor është mbijetesa e shqiptarëve. Nëse shqiptarët duan të mbijetojnë si një komb me gjak, me etni, me histori, duhet të rebelohen sot.

Jo nesër, jo pasnesër, jo mbas pushimeve, jo mbasi të kthehen nga fundjava, jo mbasi të kenë kryer ca punë të vogla se “ashtu e kam një hall”. Duhet të rebelohen sot! Në qoftë se nuk ka ndjeshmëri për këtë punë, atëherë paria do ta ketë të thjeshtë që ta anashkalojë protestën dhe të krijojë kushtet që kjo protestë të jetë njëra nga shumë gjërat e tjera, siç protesta në Shqipëri ka pasur gjithmonë. Puna është që kjo ka tjetër thelb, kjo protestë ka tjetër bosht, ose duhet të ketë tjetër bosht, dhe këtë do ta tregojë vjeshta.

Zoti Rroji, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes Ambasadës Amerikane në Tiranë, kanë dhënë një mesazh sipas të cilit çdokujt që ka cenuar sigurinë kombëtare apo ka kryer vepra të tjera të caktuara do t’i anulohet viza amerikane, pra nuk do t’i jepet vizë. Në këtë rast, nëse marrim parasysh Edi Ramën, i cili ka disa çështje (përmendim këtu rastin e Charles McGonigal, ku në njëfarë mënyre ka cenuar sigurinë kombëtare), a mendoni se edhe ky mesazh në këtë rast është një adresim për vetë kryeministrin e Shqipërisë?

Grid Rroji: Ky është një adresim për të gjithë ata që janë të përfshirë në interesa kriminale dhe të cilët përdorin afërsinë që mund të kenë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për t’i kryer këto veprime kriminale. Kryeministri nuk është i vetmi që e ka të vështirë udhëtimin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mos të harrojmë që edhe i ashtuquajtur kryetar i opozitës mbetet non grata, pavarësisht se e ka mundësinë për të kërkuar vizë – sepse nuk i është hequr non grata, pavarësisht gënjeshtrave dhe rrenave të pafundme që ai thotë.

Por ato i thotë për fshatarët, se fshatarët aq e kanë, duan të dëgjojnë që ky ua thotë si gjithmonë. Mirëpo tani i ka rënë besueshmëria, sepse fshatari shqiptar beson herën e parë, por herën e dytë pastaj, po e gënjeve, e ka një çikë më të vështirë dhe të sheh. Pavarësisht se nuk përgjigjet, të sheh dhe thotë “po, po”, dhe me veten e vet Zoti e di se çfarë mendon. Por të dalim përtej kësaj. Kryeministri ka katër çështje të hapura. Kryetari i ashtuquajtur i opozitës ka edhe ai problemet e veta, çështjet e veta të hapura në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Unë mendoj që Shtetet e Bashkuara të Amerikës tanimë do t’i thonë haptas dhe qartë gjërat për shqiptarët, sidomos me ardhjen e ambasadorit të ri, dhe nuk do të ketë më dyshime – ose do të ketë më pak mëdyshje – sepse në diplomaci gjithmonë përdoret edhe gjuha e dyfishtë.

Por do të ketë shumë më pak mëdyshje me këtë vjeshtën e re që po vjen dhe me administratën amerikane, e cila po e qartëson pozicionin e saj ndaj tyre. Paria e Tiranës e sheh që nuk ka më shpëtim që mund t’i vijë nga të qenët garantuese ose garanci e stabilitetit në Shqipëri, sepse këtë punë ka përdorur paria e Tiranës, këtë punë po përdor Edi Rama, ose po përpiqet të përdorë. Këtë punë ka përdorur Sali Berisha në ’97-ën; këtë punë kanë përdorur të gjithë këta gjatë luftës në Kosovë: Fatos Nano, Ilir Meta, Pandeli Majko, kushdo që ka qenë kryeministër. Kjo ka qenë mënyra se si ata janë përpjekur që të përdorin stabilitetin e Shqipërisë për nderin e tyre.

Unë nuk mendoj që këtë herë do t’u funksionojë. Unë mendoj që këtë herë Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të qarta, por le të mos harrojmë se njerëzit kanë këtë perceptimin që “le të vijë të na shpëtojë… Pse s’na shpëton Amerika? Çfarë ka bërë Amerika për ne?”. Nuk të shpëton Amerika në qoftë se ti rri në divan dhe sheh ato emisionet e tmerrshme të darkës ku flitet për gjithçka, vetëm pse jo për interesin e shqiptarëve, ku dalin ca personazhe të fryrë e të pafryrë, të cilët flasin për gjithçka që mendojnë ata se e dinë dhe nuk flasin për asgjë reale që ndodh në shtetin shqiptar.

Nuk të shpëton Amerika në qoftë se ti lejon që të jetosh si skllav. Në qoftë se ti mendon që të jetosh si skllav – sepse ke një shtëpi, ha e pi, dhe bën ca punë të tjera në darkë – mjafton. Në qoftë se ti sillesh si skllav, nuk të vjen njeri të të shpëtojë. I vetmi shpëtim për shqiptarët, do të jetë në gjykimin tim, shqiptarët. Mos prisni të vijë të na shpëtojë Amerika.  /gazeta sot/

Te tjera

Lajme te tjera