Në ditën e dytë të dëshmisë në gjyqin për ish-krerët e UÇK-së në Hagë, ish-zyrtari i lartë amerikan James Rubin shprehu kritika ndaj Gjykatës Speciale për paraburgimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, të cilët mbahen në qeli që prej 2020-ës me akuzën e krimeve të luftës. Ai e cilësoi të padrejtë vendimin e Speciales për mbajtjen për pesë vjet në paraburgim të të akuzuarve, të cilët, sipas tij, u dorëzuan vullnetarisht dhe nga ana tjetër kanë bashkëpunuar me Prokurorinë.
“Më është dukur si fajësim kolektiv për shkak të faktit se i akuzuari ka qenë udhëheqës i UÇK-së. Duke qenë se i kam parë nga afër liderët e UÇK-së. Duke pasur një ide të mirë të funksionimit të UÇK-së, për tre ditë e kam pa se si janë sjellë ata, se kush ishin përgjegjës, kush ishte komandanti, kush zëvëndësi. Duke pasur këtë lloj njohurie, unë mendoj kjo ka qenë e gabuar, kjo nuk është drejtësi.”, tha Rubin.
Rubin tha se UÇK fitoi kredibilitetin e SHBA pasi firmosi marrëveshjen e Rambujesë dhe të paqes, pasi deri atëherë e shihnin si një organizatë terroriste duke mos patur mjaftueshëm informacione për veprimtarinë dhe strukturën e saj. Në vëmendje u sollën artikujt dhe raporte të organizatave ndërkombëtare për vrasjet e pretenduara nga udhëheqësit e UÇK-së. Një ndër to ishte edhe një raport i OKB-së në vitin 1998 që fliste për rrëmbime të civilëve serbë, shqiptarë, romë e policë serbë, nga njerëz që besohej se i përkisnin UÇK-së. Rubin tha se raportet e OKB i shihte me skepticizëm.
“Kam lexuar një raport të OKB-së për Kosovën, por kam qenë shumë skeptik për atë raport, sepse organet e OKB-së nuk e kanë përshkruar shumë mirë situatën shumë shpesh. Jo domosdoshmërisht ka qenë i besueshëm”, tha Rubin.
Edhe në rastet e artikujve të mediave të mëdha botërore si CNN apo Nju Jork Times, Rubin tha se ka patur dyshime për vërtetësinë e informacioneve. Prokurori e pyeti James Rubin se përse refuzoi në fillim të ishte dëshmitar i prokurorisë në çështjen ndaj Thaçit e të tjerëve. Ish-zyrtari amerikan tha se kjo kishte të bënte me mënyrën se si ai e shihte aktivitetin e Gjykatës Speciale, moment kur edhe kur shpërtheu në akuza për padrejtësi ndaj ish-presidentit të Kosovës dhe ish krerëve të UÇK.
Mbrojtja e Thaçit parashikohet të zgjasë për të paktën një muaj e gjysmë dhe rreth javës së dytë të nëntorit pritet të kenë përfunduar edhe dëshmitë që do të jepen nga ana e palës mbrojtëse për të katërt të akuzuarit. Aktakuza pretendon se Thaci Krasniqi Veseli dhe Selimi Aktakuzës, kryen krime nga marsi 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë Veriore.
Pretendohet se këto krime u kryen nga anëtarë të UÇK-së kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime.
