E mërkurë, 12 Gusht, 2026

Gjermania “zbut” Serbinë, Vuçiç i bën premtimin e madh ministrit të Mbrojtjes, presidenti serb çudit me lëvizjen, çfarë pritet nga samiti i Tiranës dhe seanca e jashtëzakonshme në Këshillin e Sigurimit

Share

Gjermania duket më shumë se kurrë aktive në “shuarjen e zjarreve” që nisin në Ballkan kohë pas kohe. Vëmendje të veçantë i ka kushtuar po ashtu marrëdhënieve Kosovë-Serbi, dialogut, heqjes së dinarit serb nga qeveria e Prishtinës, apo sfida të tjera. Ndaj, së fundmi, në rajon ka zbarkuar edhe ministri i mbrojtjes i Gjermanisë, Boris Pistorius. Ai thënë se vizita e tij në shtetet e Ballkanit Perëndimor, është bërë për shumë arsye, por njëra ndër më kryesoret janë tensionet e muajve të fundit. Presidenti serb Aleksandër Vuçiç u takua dje në Beograd me ministrin gjerman të Mbrojtjes Boris Pistorius, me të cilin kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për shtyp. Ministri gjerman tha pas takimit se kanë pasur një bisedë të shkurtër, por shumë të hapur dhe të sinqertë, për të cilën është shumë mirënjohës. Megjithatë, nuk ishin të pakta as “kunjat” apo mosdakordësitë, sidomos kur bëhet fjalë për Kosovën.

Premtimi i Vuçiç

Pistroius tha se ka potencial të madh për zhvillim në Ballkanin Perëndimor dhe se kjo është e rëndësishme deri në anëtarësimin në Bashkimin Evropian. “Nëse ka një përshkallëzim, anëtarësimi i mundshëm në BE do të pësojë”, tha ai. “Duhet të bëjmë gjithçka për të mos nxitur tensione”, tha Pistorius.Presidenti Vuçiç tha se biseda ishte plotësisht e sinqertë nga të dyja palët dhe tha se Gjermania është një partner i rëndësishëm ekonomik për Serbinë. “Ne pajtohemi se paqja dhe stabiliteti janë të një rëndësie vendimtare dhe se askush nuk është i interesuar për ndonjë përshkallëzim dhe stabilitet. Është e vërtetë që dhashë fjalën time se Serbia nuk do të befasojë askënd me ushtrinë e saj apo lëvizjet e saj, dhe fjala ime do të thotë shumë më tepër se sa nënshkrimet e shumta që kam parë në rajon. Sa i përket Bosnjë-Hercegovinës, e kam përsëritur këtu 1000 herë, Serbia mbështet integritetin territorial të Bosnjë-Hercegovinës, nuk e ka vënë kurrë në dyshim”, tha presidenti serb.

“Ankesat” për Kosovën

Sa i përket Kosovës, Ministri gjerman tha se Gjermania furnizon me armë jo vetëm Kosovën, por edhe Serbinë dhe se nuk furnizon me armë sulmuese, kur u pyet se në bazë të cilit ligj Gjermania armatos Kosovën. Megjithatë, në këtë çështje u zbulua qartë përplasja e interesave. Vuçiç ka theksuar se Gjermania është protagonistja kryesore e pavarësisë së Kosovës. “Për atë çështje kemi dallime, por e dimë gjithashtu se dialogu është mënyra e vetme për zgjidhjen e problemit”, theksoi Vuçiç, duke shtuar se do të donin të barazoheshin standardet. “Sot Prishtina në mënyrë krejtësisht të kundërligjshme i ka ndalur paratë e destinuara për popullin tonë, duke u bazuar në faktin se është shtet sovran. Nëse është kështu, unë i pyes të gjithë partnerët tanë perëndimorë pse po na ftoni në dialog, çfarë kërkoni nga Serbia nëse keni të drejtë për gjithçka?”, pyeti Vuçiç.Siç tha ai, “në çdo rast, është një situatë e vështirë për popullin” dhe njoftoi se për këtë do të flasë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Ministri i jashtëm serb Ivica Daçiç, njoftoi po dje se Guajana, kryesuese e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ka vendosur që seanca për Kosovën të jetë e hapur.

Samiti i Tiranës

Duke folur për marrëdhëniet me Rusinë, Vuçiç tha se është specifik për shkak të qëndrimit të Serbisë, Kartës së OKB-së, marrëdhënieve me Kosovën. “Prandaj, thashë se gjithçka thotë Pistorius për integritetin territorial të Ukrainës është e vërtetë. Ne në Serbi e dimë më së miri se si duket kur i mohon dikujt të drejtën për integritet territorial”, tha Vuçiç. Ai shtoi se Serbia nuk e rrezikon në asnjë mënyrë bashkëpunimin me Ukrainën dhe se do të marrë pjesë në samitin e Tiranës. “Unë nuk e kam parë presidentin Putin për dy vjet, përveç një kohe shumë të shkurtër në samitin në Kinë”, tha Vuçiç, duke shtuar se “as nuk po fshehim asgjë dhe as nuk po bëjmë asgjë të paligjshme”. Vuçiç tha gjithashtu se është krenar për faktin se përfaqëson një vend që është i lirë dhe i pavarur dhe i merr vendimet e veta. Siç tha ai, “askush nuk mund të më urdhërojë, as nga Uashingtoni, as nga Moska, as nga Berlini, as nga ndonjë vend tjetër”.

Te tjera

Lajme te tjera