E premte, 17 Prill, 2026

Fund i epokës Orban! Çfarë la pas? Skandalet që tronditën Hungarinë në 16 vite qeverisje, nga luksi me zebra në oborr tek eurodeputeti gej me drogë e presidentja e përfshirë në pedofili

Share

Gjatë gjashtëmbëdhjetë viteve të qeverisjes së Viktor Orban, Hungaria është përfshirë në një sërë skandalesh që kanë tronditur opinionin publik dhe kanë dëmtuar imazhin e vendit në arenën ndërkombëtare.

Një nga rastet më të bujshme ishte dorëheqja e presidentes së vendit pas një rasti pedofilie që u bë publik në vitin 2024. Ky skandal shkaktoi protesta masive në Budapest dhe u cilësua nga opozita si kriza më e madhe politike e epokës Orbán, duke nxjerrë në pah dobësitë e institucioneve dhe mungesën e transparencës në pushtet.

Një tjetër element i rëndësishëm ka qenë pasurimi i elitave të afërta me kryeministrin. Familja e Orban dhe miqtë e tij të ngushtë, si Lorinc Meszaros, kanë përfituar kontrata publike dhe fonde të Bashkimit Europian, duke u bërë ndër më të pasurit në vend.

Media raportuan prona luksoze dhe shfaqje të hapura të luksit, si rezidenca e babait të Orban me zebra në oborr, që u kthye në simbol të korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin. Këto raste kanë sjellë kritika të ashpra nga BE, e cila ka akuzuar Hungarinë për keqpërdorim të fondeve europiane.

Një skandal i veçantë që ekspozoi hipokrizinë e partisë Fidesz ishte ai i eurodeputetit Jozsef Szajer në vitin 2020. Ai u kap në Bruksel duke marrë pjesë në një festë seksi “gay”, në kundërshtim me ligjet e izolimit gjatë pandemisë, ndërsa policia gjeti drogë në çantën e tij.

Szajer, një nga themeluesit e Fidesz dhe arkitekt i kushtetutës konservatore të Hungarisë, u përpoq të largohej duke zbritur në një tub kullues. Dorëheqja e tij dhe falja publike për “një dështim personal” u panë si dëshmi e hipokrizisë së partisë që ndërtonte reputacionin mbi retorikën anti-LGBT dhe vlerat tradicionale.

Përveç skandaleve individuale, qeverisja e Orban është kritikuar për dobësimin e demokracisë dhe kontrollin e institucioneve. Mediat, gjyqësori dhe administrata publike janë vënë nën ndikimin e pushtetit, duke e kthyer sistemin politik në atë që kritikët e quajnë “autokraci elektorale”.

 Zgjedhjet e vitit 2026 u cilësuan si më të rëndësishmet që nga rënia e komunizmit, me opozitën që për herë të parë kishte shanse reale për të sfiduar pushtetin e tij, duke e bërë të pasigurt të ardhmen politike të Orbán.

Këto skandale kanë minuar besimin e qytetarëve, kanë izoluar Hungarinë në arenën ndërkombëtare dhe kanë polarizuar politikën e brendshme.

Rezultati i sotëm shënon një kthesë të madhe për Hungarinë, duke mbyllur një kapitull të gjatë nën sundimin e Viktor Orban dhe duke hapur një epokë të re nën drejtimin e Peter Magyar. Për shumë qytetarë, kjo fitore është jo vetëm një ndryshim politik, por edhe një shpresë për një Hungari më demokratike dhe më të besueshme në arenën ndërkombëtare.

Te tjera

Lajme te tjera