E mërkurë, 12 Gusht, 2026

Fitorja bindshëm e Vuçiç mund të fusë në kaos Beogradin, opozita serbe zbret në shesh, kërkon anulimin dhe përsëritjen e zgjedhjeve, nis greva e urisë dhe shpërthejnë protestat

Share

Lista e Partisë Përparimtare Serbe e Aleksandër Vuçiç ka fituar 46.6 për qind të votave në zgjedhjet e 17 dhjetorit, që sipas rezultateve të numëruara, rezulton të kenë fituar 129 deputetë nga 250 që ka parlamenti serb. Në vendin e dytë është koalicioni opozitar “Serbia kundër dhunës”, me 23 për qind të votave apo 63 mandate. Në vendin e tretë është Partia Socialiste Serbe, e ish-ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daçiç, me 6.9 për qind të votave apo 19 mandate. Daçiç ka shprehur gatishmëri që të bashkëpunojë me partinë e Vuçiçit. Por ky rezultat nuk është pranuar nga opozita serbe. Një numër i madh qytetarësh kanë protestuar dje në qendër të Beogradit, duke kërkuar anulimin e zgjedhjeve lokale të mbajtura. Koalicioni opozitar “Serbia kundër dhunës” e thirri këtë protestë, pasi pretendon se fitorja e Partisë Progresive Serbe (SNS) në pushtet në Beograd “është rezultat i vjedhjes së zgjedhjeve”. “Ne nuk duam dhe nuk guxojmë t’i njohim zgjedhjet në Beograd, sepse janë kundër ligjit, janë keqpërdorur njerëz nga vendet e tjera”, tha përfaqësuesja e koalicionit “Serbia kundër dhunës”, Marinika Tepiç, gjatë protestës para selisë së Komisionit Republikan Zgjedhor (KRZ). Ajo deklaroi se koalicioni i saj ka “dhjetëra mijëra prova” për rishkrimin e vullnetit elektoral të qytetarëve. “Ne kemi prova dhe kërkojmë anulimin e zgjedhjeve të Beogradit”, tha Tepiç para se disa nga përfaqësuesit e koalicionit opozitar të hynin në selinë e KRZ-së për ta paraqitur kërkesë për anulimin e zgjedhjeve.

Grevë urie

Marinika Tepiç bëri të ditur se, ajo bashkë me një tjetër kryesuese të listës “Serbia kundër dhunës” Miroslav Aleksiç, do të futen në një grevë urie deri në, siç tha ajo, anulimin e zgjedhjeve. Demonstruesit para hyrjes së KRZ-së fishkëllyen dhe brohoritën: “Nuk do të japim fitore”, “Tradhti”, “Hajdutë”, si dhe hodhën vezë, domate dhe letra higjienike në drejtim të ndërtesës së komisionit. Një incident ndodhi për një çast kur një grup i vogël protestuesish tentoi ta thyente një gardh mbrojtës që ishte vendosur para selisë së komisionit. Drejtuesit e opozitës parandaluan zhvillimin e ndonjë incidenti të madh, duke i bërë thirrje turmës që “të mos binte në provokime”, dhe të qëndronte e qetë. Partitë e koalicionit “Serbia kundër dhunës” pretendon se në zgjedhjet lokale në Beograd të 17 dhjetorit SNS-ja e shkeli vullnetin elektoral të qytetarëve. “Duke pasur parasysh se më shumë se 40.000 persona pa vendbanim të ligjshëm u sollën në Beograd në mënyrë të organizuar për të mbështetur listën e SNS-së, e cila ndryshoi në mënyrë drastike vullnetin elektoral të qytetarëve të Beogradit, ne kërkojmë anulimin e zgjedhjeve në qytetin e Beogradit dhe përsëritja e votimit për Kuvendin Komunal”, tha koalicioni. Nga ky koalicion, po ashtu, kërkuan “pastrimin e listës zgjedhore”. Presidenti i SNS-së, Millosh Vuçeviç, deklaroi se është “i sigurt” se lista e tij ka fituar në kryeqytetin serb, Beograd, dhe se ai beson se Alleksandar Shapiç, do të jetë “kryetari i ri apo i vjetër” i qytetit.

Reagon OSBE

Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë deklaroi të hënën se “trysnia ndaj votuesve, angazhimi vendimtar i Presidentit, si dhe përparësitë e partisë në pushtet kanë minuar procesin zgjedhor në tërësi.” Sipas OSBE-së, këta faktorë krahas njëanshmërisë së mediave “krijuan një fushë të pabarabartë për garë.” Sipas raporteve, serbë nga Bosnja janë dërguar në mënyrë të organizuar me autobusë për të votuar në Beograd, rreth 40,000 dokumente identifikimi u janë lëshuar njerëzve që nuk jetojnë në kryeqytet, ndërkohë që në një qytet verior të Serbisë një ekip vëzhguesish është sulmuar dhe makina a tyre është goditur me shkopinj bejzbolli. Partia në pushtet është akuzuar se ka paguar votuesit apo ka bërë trysni mbi ta. Ndër urimet e para për fitoren e zotit Vuçiç erdhën nga Rusia. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov përgëzoi zotin Vuçiç dhe tha se Rusia beson se fitorja e tij “do t’i kontribuojë për zhvillimit të mëtjeshëm të Republikës.

Te tjera

Lajme te tjera