Teksa Plani Kombëtar i Përshtatjes ndaj Ndryshimeve Klimatike 2026–2036 kërkon 9.8 mld USD ndërhyrje, ndërsa hendeku financiar arrin në 9.1 mld USD, në draftin e nxjerrë për konsultim publik parashikohen një sërë formash për gjetjen e financimit, duke kombinuar burimet vendase me fondet ndërkombëtare dhe kapitalin privat. Sipas dokumentit, deri në vitin 2030 të paktën 20% e fondeve të nevojshme duhet të mobilizohen nga buxheti i shtetit, ndërsa ministritë do të duhet të tregojnë se si programet e tyre buxhetore afatmesme mbështesin objektivat e adaptimit. Për herë të parë, vendi pritet të zbatojë Etiketimin e Buxhetit për Klimën, një sistem që gjurmon shpenzimet publike të lidhura me përshtatjen dhe e kthen buxhetimin e gjelbër në një proces standard të politikëbërjes.
Në të njëjtën kohë, Shqipëria synon të zgjerojë aksesin në financimin ndërkombëtar për klimën, përmes partneriteteve me Fondin për Klimën e Gjelbër, Fondin Global të Mjedisit, Fondin e Përshtatjes dhe programet IPA të Bashkimit Evropian.
Ndërkohë, një pjesë e rëndësishme e financimit pritet të vijë edhe nga sektori privat. Qeveria planifikon të nxisë përdorimin e Partneriteteve Publike-Private, si dhe të zhvillojë instrumente sigurimesh për risqet klimatike, përfshirë bujqësinë dhe sektorët e cenueshëm.
Në fushën e inovacionit financiar, Shqipëria po punon për studimin e fizibilitetit të obligacionit të parë të gjelbër kombëtar, parashikuar për vitin 2026, si dhe për krijimin e një strukture rajonale sigurimi kundër rreziqeve klimatike. Këto instrumente synojnë të diversifikojnë burimet e financimit dhe të rrisin qëndrueshmërinë fiskale të vendit ndaj ngjarjeve ekstreme të motit.
Plani Kombëtar i Përshtatjes ndaj Ndryshimeve Klimatike 2026–2036 është një dokument strategjik që synon rritjen e aftësisë së vendit për t’u përballur me rreziqet klimatike dhe pasojat e tyre ekonomike e sociale.
