E diel, 16 Gusht, 2026

Fillojnë ditët e ferrit për Serbinë, përfaqësuesit e BE, SHBA, Gjermanisë dhe Francës zbarkojnë në Beograd, në fokus plani franko-gjerman

Share

“Përfaqësuesit e BE-së, SHBA-së, Gjermanisë dhe Francës sigurisht që nuk janë Krishtlindjet kolektive të Batës. Nëse do të kenë një “dhuratë”, do të jetë një pije e hidhur edhe për Beogradin edhe për Prishtinën”, ka thënë për Danas, Radomir Dikiç, ish-ambasador i Serbisë në Francë, duke komentuar njoftimin e mbërritjes në Beograd të përfaqësuesve më të lartë të Perëndimi për zgjidhjen e problemit të Kosovës. Mënjanë shakanë, shton ai, tashmë është e qartë se ka filluar përshpejtimi i paralajmëruar, pra presion më i madh ndaj presidentit serb Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për të nisur negociatat serioze. Mediat serbe kanë zbuluar se përfaqësuesit e BE-së, SHBA-së, Francës dhe Gjermanisë duhet ta vizitojnë Beogradin pas festave të Krishtlindjeve, për të përshpejtuar zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Sipas “Novostit”, Beogradin fillimisht duhet ta vizitojë përfaqësuesi special i BE-së për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lakçak, dhe i dërguari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, së bashku me të dërguarin e presidentit francez dhe atij gjerman, Emanuel Bonn dhe Jens Pletner, vizita të mundshme nga zyrtarë të tjerë. Novosti, duke iu referuar burimeve të saj, thekson se qëllimi i këtyre vizitave është që të bindin lidershipin shtetëror serb që të fillojë negociatat politike me Prishtinën, të cilat do të bazoheshin në propozimin franko-gjerman, përkatësisht propozimin e Bashkimit Evropian për çështjen e Kosovës.

Plani franko-gjerman

Pika e nisjes është e qartë, është plani gjermano-francez. Disa elemente nga dokumentet dhe marrëveshjet e nënshkruara deri më tani, sigurisht që do të merren parasysh, por, më duket, do të jenë edhe objekt rishikimi”, thotë ai. Siç thekson ai, afatet dhe datat nuk janë prioritet. “Për Perëndimin është e rëndësishme të ndalet “gjykimi” i Serbisë dhe Kosovës. Me rrezikun që këto fjalë të tingëllojnë jo mjaftueshëm diplomatike, mendoj se po fillon finalja e gjithë sagës së Kosovës dhe nëse dikush mendon se mund të dalë nga ajo finale si fitues absolut, gabon rëndë. Nëse Serbia apo Vuçiçi vazhdojnë të “xhonglojnë” me fatin e serbëve të Kosovës, çdo ofertë e mëvonshme nga bashkësia ndërkombëtare do të jetë më e keqe për serbët e Kosovës. Të paktën kështu na mësoi historia e luftërave në tokën e ish-Jugosllavisë”, përfundon ai.

Skenarët

Ndërkombëtarët po kërkojnë që të arrihet sa më shpejt një marrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës. Nga ana tjetër Brukseli është gati të sanksionojë Beogradin nëse vazhdon të ndjekë politikat me dy karrige me presidentin rus Vladimir Putin. Edhe pse nuk ka asgjë zyrtare, media serbe “Danas” ka nxjerrë detaje nga plani 13 pikësh i Gjermanisë dhe Francës që i është propozuar presidentit Vuçiç dhe kryeministrit Kurti. Në vitin 2023 duhet të nënshkruhet marrëveshja e dytë për normalizim të marrëdhënieve, pas asaj të vitit 2013, me të cilën Serbia faktikisht e pranon realitetin e Kosovës shtet të pavarur, por nuk e njeh formalisht. Në një fazë të mëvonshme, hipotetikisht pas 10 vitesh, atëherë kur BE-ja është e gatshme të zgjerohet dhe ta përfshijë Ballkanin perëndimor, arrihet marrëveshja për njohje të ndërsjellë, si parakusht i të dy shteteve për anëtarësim në BE. Dokumenti me katër faqe, i cili shpjegon logjikën e kornizës së re, përmban një vizion 10-vjeçar për të trajtuar problemin dhe ofron një “perspektivë makro”.

Çfarë përfiton Serbia dhe Kosova?

Sa i përket Kosovës, ajo merr njohjen e pesë vendeve të BE-së, duke zhbllokuar perspektivën e anëtarësimit në NATO dhe BE, ndërsa Serbia merr ndihmë të konsiderueshme financiare dhe ekonomike dhe “do të njihet si një forcë që udhëheq ekonomikisht dhe politikisht rajonin”. Gjithashtu thuhet se nëse Beogradi nuk e pranon këtë plan, do të pasojë “izolimi ekonomik dhe financiar”, po ashtu theksohet se pesë vendet që nuk e njohin Kosovën përfundimisht do të largohen nga Serbia dhe do t’u bashkohen vendeve të tjera që e kanë njohur Kosovën. Megjithatë ka skenarë të tjerë që janë diskutuar pasi dokumenti nuk është publikuar asnjëherë zyrtarisht.

Te tjera

Lajme te tjera