Në këtë 7 Mars krerët e institucioneve shqiptare uruan të gjithë mësuesit për misionin dhe punën e çmuar që bëjnë për edukimin e brezave të rinj. Kreu i qeverisë Edi Rama ndau një album fotosh gjatë një vizite të fëmijëve të Manastirit në godinën e qeverisë.
“Me energjinë e fëmijëve nga Manastiri, që na kujtojnë sa e fortë është lidhja përmes gjuhës, ju uroj Gëzuar 7 Marsin”, shkruan kryeministri Edi Rama.
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, bëri bashkë në një pritje mësues shqiptarë nga të gjitha trevat dhe nga diaspora, në një ceremoni kushtuar kontributit të tyre kombëtar për ruajtjen, përcjelljen dhe trashëgiminë e gjuhës shqipe.
“7-Marsi nuk është vetëm festë kalendarike. Është një moment reflektimi kombëtar. Sa investojmë ne në arsim, aq investojmë në të ardhmen tonë. Sa respektojmë dhe nderojmë mësuesin, aq respektojmë dhe nderojmë veten tonë, shoqërinë tonë dhe kombin tonë”, – deklaroi Presidenti Begaj në çelje të ceremonisë.
Urim përcolli edhe kreu i Kuvendit Niko Peleshi, i cili shkroi se arsimi mbetet një nga forcat më të mëdha që formëson jetët dhe të ardhmen e shoqërisë.
Ndërsa Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro flet për arritjet dhe sfidat e mësimdhënies gjatë viteve të fundit.
“Më vjen mirë që ky 7 Mars, ju gjen më të vlerësuar, me paga të rritura, falë një tjetër rritjeje që ka nisur që nga janari; me përpjekje të vazhdueshme për të përmirësuar mjediset ku zhvillohet procesi mësimor, me personel mbështetës që lehtëson punën tuaj. Gëzuar 7 Marsin, Ditën e Mësuesit! Faleminderit për gjithçka që bëni për fëmijët tanë dhe për të ardhmen e Shqipërisë. Ju paçim të palodhur, me shpirtin plot dritë e me pasion të pashtershëm”
Ndërsa Partia Demokratike, gjatë një tryeze me pedagogë dhe ekspertë ngritën shqetësimin për braktisjen masive të mësuesisë në vend.
Nga burgu, mësuesit i uroi edhe kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta, i cili foli nënfinancim të arsimit nga buxheti i shtetit apo pagat e ulëta.
