Komiteti për Marrëdhëniet me Jashtë i Senatit të Shteteve të Bashkuara ka miratuar me votim 19-3 emërimin e Eric Wendt si Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i SHBA-ve në Republikën e Shqipërisë, mëson Albanian Post përmes një komunikimi zyrtar me zyrën e shtypit të Komitetit. Emërimi i Wendt është mbështetur nga shumica e anëtarëve të komisionit, përfshirë senatorë nga të dyja partitë kryesore, duke e çuar kandidaturën një hap më afër konfirmimit final në Senatin amerikan.
Sipas të dhënave të votimit, 19 senatorë votuan pro dhe 3 kundër. Ndër senatorët që mbështetën kandidaturën janë Risch, Ricketts, McCormick, Daines, Hagerty, Barrasso, Lee, Paul, Cruz, Scott, Cornyn, Shaheen, Coons, Murphy, Kaine, Duckworth dhe Rosen, mes të tjerëve. Pas këtij vendimi në komision, kandidatura pritet të kalojë për votim në seancë plenare të Senatit, ku do të vendoset përfundimisht për konfirmimin e tij si ambasador i ri në Tiranë. Nëse konfirmohet nga Senati, Wendt do të marrë drejtimin e Ambasadës së SHBA-ve në një periudhë të konsideruar të rëndësishme për marrëdhëniet SHBA–Shqipëri, veçanërisht në fushat e sigurisë, investimeve dhe bashkëpunimit euroatlantik.
Mbështetja e fortë për SPAK
Wendt ka renditur para Senatit si prioritete kryesore luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, forcimin e partneritetit ushtarak mes SHBA-së dhe Shqipërisë, sigurinë kibernetike dhe krijimin e një klime më të favorshme për investimet amerikane. Ai shprehu gjithashtu mbështetje për SPAK-un, të cilin e cilësoi një institucion të rëndësishëm dhe vlerësoi bashkëpunimin e tij me agjencitë amerikane të zbatimit të ligjit. Sipas Wendt, puna e strukturës antikorrupsion do të jetë e një rëndësie kyçe, për sa kohë ajo mbetet e pavarur dhe e papolitizuar.
“SPAK-u, nga gjithçka që kam lexuar, dhe gjatë vizitave të mia të mëparshme në Shqipëri nuk kam pasur ndërveprim me ta, kam bashkëpunuar me ushtarakë dhe personel ushtarak në Shqipëri, por SPAK-u, nga gjithçka që kam lexuar, ka qenë një organizatë shumë e vlefshme. Ka qenë apolitike. Ka qenë e pavarur. Prokurorët që hyjnë në SPAK i nënshtrohen një procesi shumë të kujdesshëm verifikimi. Ata mbikëqyren nga IMO-ja, Organizata Ndërkombëtare e Zbatimit të Ligjit e evropianëve dhe amerikanëve. Ata kanë organin e tyre hetimor me BKH-në, Byronë Kombëtare të Hetimit. Kanë zyrën e tyre me DFSO-në që ndodhet aty, si edhe forcat e tyre speciale.
Dhe janë të sanksionuar në nenin 148 të Kushtetutës së Shqipërisë. Prandaj, nëse konfirmohem, sigurisht që mund të angazhohem për të çuar përpara dhe mbështetur vazhdimin e funksionimit të tyre apolitik dhe të pavarur. Ju përmendët gjithashtu organizatat kriminale ndërkombëtare kundër të cilave ata po punojnë. Ata kanë qenë të paçmueshëm. Gjithçka, përsëri, që kam lexuar për ta, shkëmbimi i informacionit me agjencitë amerikane të zbatimit të ligjit në Tiranë, me Departamentin e Drejtësisë, FBI-në, zyrën e DEA-s që ndodhet aty, ka qenë i pandërprerë. Ka qenë transparent.
Dhe më është thënë përsëri, po flas bazuar në atë që kam lexuar, se kjo ka çuar në ndjekje penale kundër elementëve kriminalë në Shtetet e Bashkuara dhe në qytete amerikane. Gjithashtu, së fundmi, në një operacion për bllokimin e disa tonëve kokainë që vinte nga Karaibet. Pra, për ta përmbledhur, mendoj se puna e tyre në këto fusha është kritike për sa kohë që mbeten apolitikë dhe të pavarur. Dhe gjithashtu mendoj se kjo ndikon pozitivisht në mundësitë e biznesit amerikan, në zbatimin e ligjit për kontratat… Do të ndihmojë sigurinë dhe tenderët, transparencën, dhe do të ndihmojë në krijimin e kushteve të barabarta për të gjithë”, tha Wendt disa ditë më parë. Shqipëria nuk ka një ambasador të konfirmuar amerikan që prej largimit të Yuri Kim në vitin 2023. Një nominim i mëparshëm i administratës Biden për diplomatin David Kostelancik nuk arriti të përfundonte procesin e konfirmimit në Senat.
Kush është Eric Wendt?
Eric P. Wendt i përket një brezi oficerësh amerikanë që u formuan në fundin e Luftës së Ftohtë dhe u testuan në terrenet më komplekse të sigurisë globale në dekadat që pasuan. I dalë nga programi ROTC në Universitetin e Kalifornisë, Santa Barbara, në vitin 1986, ai hyri në Ushtri si një oficer këmbësorie, por shumë shpejt e orientoi karrierën drejt botës më elitare dhe të padukshme të operacioneve speciale. Raporti nënvizon përvojën e tij të gjatë ushtarake dhe aftësitë drejtuese si bazë për emërimin në Tiranë, duke e konsideruar kandidaturën e tij të rëndësishme për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe mes SHBA-së dhe Shqipërisë. Gjeneral Lejtnant në pension Eric Wendt punon si Profesor i Praktikës, duke dhënë mësim mbi Komandimin dhe Lidershipin në Shkollën Pasuniversitare të Marinës (Naval Postgraduate School – NPS).
Kur ishte ende në shërbim aktiv me uniformë si gjeneral, ai ishte i angazhuar në Evropë dhe shërbeu si Komandant i Shtabit të Operacioneve Speciale të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO). Ai komandonte të gjitha Forcat e Operacioneve Speciale të caktuara për NATO-n (përfshirë njësitë shqiptare të operacioneve speciale) dhe ka punuar në Shqipëri me drejtues të mbrojtjes dhe ushtarakë. Më parë, ai ka shërbyer për një vit në Afganistan si Zëvendëskomandant Rajonal, ku përfshihej edhe mbikëqyrja e ushtarakëve nga Shqipëria. Gjatë më shumë se 34 viteve shërbim aktiv, ai ka mbajtur disa pozicione të larta komanduese dhe ka drejtuar organizata me deri në mijëra personel ushtarak, civil dhe ndërinstitucional.
Ai ka punuar për Departamentin Amerikan të Shtetit për dy vjet si pjesë e rëndësishme e Ambasadës së SHBA-ve në Jerusalem, ku drejtoi një koalicion me tetë vende si Koordinator i Sigurisë i Shteteve të Bashkuara për Izraelin dhe Autoritetin Palestinez, dhe raportonte drejtpërdrejt te Sekretari i Shtetit. Përvoja e tij e gjerë në lidership, aftësia e provuar për të menaxhuar organizata komplekse shumëkombëshe dhe ndërinstitucionale, si dhe ekspertiza e tij rajonale në të gjithë Evropën e bëjnë Gjeneral Lejtnant (në pension) Wendt shumë të kualifikuar për të shërbyer si Ambasador i Shteteve të Bashkuara në Republikën e Shqipërisë.
Gjeneral Lejtnant (në pension) Wendt ka përfunduar studimet Bachelor në Universitetin e Kalifornisë, Santa Barbara dhe një diplomë Master në Shkollën Pasuniversitare të Marinës në Monterey, Kaliforni. Ai flet gjuhën arabe e koreane. Ai është nderuar me çmime dhe dekorata të shumta, përfshirë Medaljen e Shërbimit të Shquar të Mbrojtjes, Medaljen e Shërbimit të Shquar, Medaljen e Yllit të Bronzit, si dhe Çmimin e Nderit të Lartë të Departamentit të Shtetit të SHBA-ve.
