E mërkurë, 29 Korrik, 2026

Çfarë kërkojnë vërtet “flamingot” e Shqipërisë?

Share

Ishulli i Sazanit në detin Adriatik është pjesë e territorit shqiptar. Ai është i pabanuar, ndërsa aty pranë shtrihet Laguna e Vjosë-Nartës, një zonë e mbrojtur që shërben si habitat për breshkat Caretta caretta, fokat monake dhe flamingot rozë – një magji e paprekur natyrore.

Pikërisht në këtë zonë, Affinity Partners, një kompani investimesh imobiliare e lidhur me Jared Kushner dhe Ivanka Trump (dhëndri dhe vajza e Donald Trump), synon të ndërtojë një resort turistik me 10.000 shtretër, në marrëveshje me kryeministrin shqiptar, Edi Rama.

Vlera e investimit kap shifrën e 4 miliardë eurove. Projekti parashikon hapjen e 10.000 vendeve të reja të punës dhe një rritje prej 1përqind të PBB-së për pesë vitet e ardhshme. Ky plan është në linjë me synimin e Edi Ramës për ta shndërruar Shqipërinë në “Maldivet e Evropës”.

Shqipëria nuk është një vend i pasur dhe treguesit e saj demografikë janë në rënie të lirë, çka e rrit rrezikun e një ngërçi ekonomik. PBB-ja për frymë mbetet nën 10.000 euro në vit – 4 herë më e ulët se ajo e Italisë – megjithëse shënon rritje të vazhdueshme.

Vitin e kaluar rritja ekonomike ishte mbi 3 përqind, krahasuar me mesataren prej 1 përqind të Bashkimit Evropian. Nëse projekti i Kushner dhe Trump realizohet, kjo rritje pritet të kalojë 4 përqind në pesë vitet e ardhshme.

Në strukturën e PBB-së, industria zë 26 përqind (ku mbizotëron ndërtimi), bujqësia 18përqind dhe shërbimet 56 përqind (ku peshën kryesore e ka turizmi). Nga pikëpamja e  pastër ekonomike, projekti duket se ka kuptim, pasi ndërtimi i resortit do të fuqizonte ndjeshëm si sektorin e ndërtimit, ashtu edhe atë të turizmit.

Mirëpo, në Vjosë-Nartë jetojnë flamingot. Dhe pikërisht këtu ka nisur ajo që po quhet ”Revolucioni i Flamingove”. Ky është emri që kanë përqafuar qindra mijëra të rinj, të cilët protestojnë çdo mbrëmje përpara Parlamentit, Kryeministrisë dhe institucioneve të drejtësisë në Tiranë.

Deri në momentin e shkrimit të këtij artikulli, protestat kanë arritur në natën e tyre të gjashtëdhjetë. Protestuesit pretendojnë se pas kësaj afere fshihen interesa korruptive. Le t’i shohim faktet.

Përmes një ndryshimi të shpejtë ligjor në Parlament në vitin 2024, Edi Rama ndryshoi ligjin për zonat e mbrojtura, pikërisht për të hapur rrugën për ndërtimin e “Resortit Trump”. Në fund të prillit të këtij viti, ekskavatorët nisën punimet në terren pa pasur asnjë vlerësim paraprak të ndikimit në mjedis.

Më 2 qershor, SPAK – prokuroria e pavarur antikorrupsion e themeluar në vitin 2019 në bashkëpunim me BE-në – ndërhyri duke hapur një hetim mbi procedurat e ndjekura për miratimin e ligjit që ndryshoi statusin e zonës.

Po ashtu, SPAK vendosi nën sekuestro preventive 128 milionë euro, të cilat rridhnin nga transaksionet e para për blerjen e tokave. Edhe Bashkimi Evropian ndërhyri më 10 qershor duke kërkuar pezullimin e të gjitha procedurave, deri në zbardhjen e plotë të çështjes nga drejtësia dhe verifikimin e përputhshmërisë mes betonizimit të zonës dhe normave mjedisore të BE-së.

Nisja e hetimeve dhe reagimi i BE-së kanë përforcuar bindjen e opinionit publik se pas këtij projekti fshihen përfitime të paligjshme, ku akuzohet edhe vetë kryeministri Rama.

Lëvizja qytetare është rritur dita-ditës, duke arritur kulmin më 22 qershor, kur rreth 100.000 qytetarë zbritën në sheshet e Tiranës.

Për një vend me 2.5 milionë banorë, kjo shifër – pa llogaritur pjesëmarrësit që prej dy muajsh protestojnë në Vlorë dhe qytete të tjera – është jashtëzakonisht e lartë.  Protestuesit thërasin se “Shqipëria nuk është në shitje”, kërkojnë largimin e Edi Ramës dhe shprehin besim te SPAK, me shpresën e një procesi të ngjashëm me “Mani Pulite” (Duart e Pastra) në Itali që do të pastronte tërësisht klasën politike shqiptare.

Nga ana tjetër, opozita politike po përfiton nga situata. Partia Demokratike e Sali Berishës po i fryn zjarrit të protestave, ndërsa Edi Rama duket se po humbet vetëkontrollin.

Përmes podkasteve dhe intervistave të tij, ai ka përdorur një gjuhë jo fort etike për një shtetar: “Atyre që thonë se unë jam koka e kësaj afere, u them: Shkofshi në Djall!…Po të mos ishte e përfshirë familja Trump, manifestuesve nuk do t’u plaste fare”.

Rama pretendon se protestuesit kanë rënë në një kurth dhe po bllokojnë një projekt jetik për të ardhmen e Shqipërisë. Sipas tij, ata janë viktima të lajmeve të rreme të përhapura nga shërbimet sekrete të Iranit (akuzë që Teherani e mohon).

Po pse përmendet Irani? Jared Kushner është një figurë kyçe në delegacionet e SHBA-së që ndërmjetësojnë konfliktet në Lindjen e Mesme dhe është shumë i afërt me pozicionet e Netanyahut.

Prapa investimit të resortit përflitet se qëndrojnë edhe interesa të sipërmarrësve izraelitë, me synimin për ta afruar Shqipërinë (një vend me shumicë myslimane dhe anëtar i NATO-s që nga viti 2009) me bllokun anti-Iran.

Sipas Ramës, Irani po financon protestat për të dështuar këtë aleancë gjeopolitike. Nga ana tjetër, vlen të përmendet edhe paradoksi i Sali Berishës, i cili udhëheq protestat antikorrupsion ndërkohë që vetë ndodhet nën hetim për korrupsion.

Mjerisht në këtë përplasje, të dyja palët kanë pjesërisht të drejtë. Shqipëria, ashtu si shumë vende të ish-bllokut komunist, vuan nga virusi i korrupsionit trans-horizontal që prek çdo krah politik.

Megjithatë, luftimi i këtij fenomeni është një kusht i panegociueshëm për anëtarësimin në BE. Për stabilitetin e vetë vendit dhe të gjithë Ballkanit, do të ishte e udhës që Edi Rama të ruante qetësinë, të pezullonte projektin dhe t’i jepte kohën e nevojshme SPAK-ut për të përfunduar hetimet, duke qetësuar kështu qytetarët.

Shqipëria është një vend i vogël, por ndikimi i saj gjeopolitik në Ballkan shtrihet shumë përtej kufijve zyrtarë – në Kosovë, Mal të Zi, Bosnjë, Maqedoninë e Veriut dhe Greqi. Në këtë kontekst, Bashkimi Evropian duhet të mbetet vigjilent dhe të ofrojë mbështetjen e tij./
 “Gente e Territorio”

Te tjera

Lajme te tjera