Elona Gjebrea, ish-deputetja socialiste e zgjedhur si përfaqësuese e vetme e Shqipërisë nga organizata prestigjoze italiane e Mjekësisë Ambjentale, SIMA, ishte sot në një intervistë në Dritare TV. Gjebrea u shpreh se do të jetë pjesë e bordit ndërkombëtar të kësaj organizate duke kontribuar edhe për vendin tonë për të prezantuar rëndësinë që kanë strategjitë mjedisore për përmirësimin e cilësisë së ajrit dhe uljes së nivelit të ndotjes.
“SIMA është një organizatë prestigjoze akademike dhe një trup akademikësh që punojnë për mjedisin dhe çështjet ambientale. U mendua që puna e kësaj organizate të shtrihej në nivel ndërkombëtar, duke patur parasysh eksperiencën akademike të kësaj organizate. Ne kemi nevojë që Shqipëria të jetë e përfaqësuar në organizata të tilla dhe të përfitojmë nga ajo që vendet e tjera kanë bërë në fushën e mjedisit. Ndotja e ajrit është rreziku kryesor mjedisor në botë për shëndetin dhe shkaku i sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë nga sëmundjet të ndryshme si ato të zemrës, goditjeve në tru, kancerit të mushkërive, çrregullimet neonatale.
SIMA ka një eksperiencë të gjerë me projekte studimore sa i përket mjekësisë ambientale, prandaj në këtë drejtim ne duhet të mësojmë nga SIMA dhe ta fuqizojmë kërkimin shkencorë në këtë fushë dhe të inkurajojmë që kjo fushë të jetë në prioritet të qeverisë dhe politikbërjes. Këto masa duhet të jenë në dobi të njerëzve, por edhe një test se Shqipëria është gati për standardin e Bashkimit Evropian.”,u shpreh Gjebrea.