Kryeministri Edi Rama ka shpallur një seri ndryshimesh të mundshme në administratën lokale dhe strukturat e kontrollit të territorit, duke përfshirë ndërhyrje në Institucionet e Mbrojtjes të Territorit (IMT) dhe policitë bashkiake.
Rama përmes një dalje në Facebook ditën e sotme theksoi se këto reforma synojnë të sjellin përmirësime të ndjeshme në menaxhimin e territorit, ndërkohë që theksoi se do të ketë një fokus të veçantë në përdorimin e teknologjisë për të rritur efikasitetin dhe transparencën në këto struktura.
“Do të ketë një përshkallëzim të lëvizjeve me drejtuesit në bashki dhe gjithashtu lëvizje të ngjashme edhe në strukturat e kontrollit të territorit. Kjo përfshin të famshmet IMT dhe policitë bashkiake, ku do të ketë reforma të mëdha. Por, qëndra e këtyre ndryshimeve do të jetë teknologjia”, deklaroi Rama.
Ky plan përfshin një ristrukturim të mundshëm të institucioneve, me synim modernizimin dhe rritjen e kapaciteteve të tyre për të përballuar sfidat e menaxhimit të territorit dhe urbanizimin në rritje. Përdorimi i teknologjisë është theksuar si një element kyç për të avancuar këtë proces dhe për të siguruar më shumë kontroll dhe eficiencë në punën e këtyre institucioneve.
Ky paralajmërim nga Rama vjen disa javë pas urdhërit të shkarkimeve në bashkitë e vendit.
Shefi i qeverisë nuk harroi të flasë sërish për lirimin e hapësirave publike, të zaptuara nga pronat private, që shteti tani u kujtua se ato ekzistonin.
Rama tha se kjo nismë nuk është sulm ndaj sipërmarrësve, ndërsa tha se po përgatitet një rregullore kombëtare, që do ta çojnë vendin në BE.
“Ky nuk është sulm ndaj aktivitetit sipërmarrës, po përgatisim një rregullore kombëtare që do të vendosë qartë kufijtë dhe do të japë qartë hapësirat e lirisë.
Çfarë është e përbashkët, është e paprekshme. Çarë i takon të gjithëve bashkë, nuk mund të jetë pre e sulmit të dikujt që merr guximin që të behet gllabërues dhe plaçkitës.
Te gjumi mos më ngatërroni me atë që i keni vajtur mbrapa me kohë.”-u shpreh Rama ndër të tjera./
