E premte, 2 Tetor, 2026

Drafti “sekret” i Ramës ndez “gjakrat” në sistemin e drejtësisë, gjyqtarët dhe prokurorët dalin kundër Kodit të Ri Penal, si po tenton qeveria të paralizojë hetimet anti-korrupsion dhe të “mbrojë” të korruptuarit me ligj

Share

Qeveria shqiptare prezantoi të mërkurën në Tiranë një projektligj prej 106 nenesh që rishikon rreth një të pestën e Kodit të Procedurës Penale, një lëvizje që zuri në befasi sistemin e drejtësisë dhe ndezi një debat të ri mbi fatin e luftës kundër korrupsionit. Duke folur në konferencën e organizuar nga Ministria e Drejtësisë, lryeministri Edi Rama e promovoi draftin si “Paketa e Garancive Procedurale”.

Rama tha se dhjetë vjet pasi politika i dorëzoi gjyqësorit “shpatën e ndëshkimit”, nevojitet të korrigjohen “edhe dështime e deformime që nuk mund të fshihen pas rezultateve”. “Nëse deri tani, e kemi forcuar kryesisht krahun e peshores ku rëndon fuqia e shtetit ndaj njeriut, në këtë paketë i japim peshën që meriton, krahut ku qëndron fuqia e të drejtës së njeriut përballë shtetit,” deklaroi Rama, duke shtuar se në Shqipëri “peshorja e drejtësisë anon shumë dukshëm nga pesha represive e shtetit”.

Qeveria e paraqiti nismën si një produkt të hartuar nga 19 akademikë dhe magjistratë nga Italia, Franca dhe Holanda, në bashkëpunim me Këshillin e Evropës. Por drafti i kapi në befasi prokurorët dhe gjyqtarët shqiptarë. “Gjithçka është bërë sekrete, ndaj dhe sot nuk isha në atë takim.

Sepse u kërkova një kopje dhe nuk ma nisën”, tha për BIRN Engert Pëllumbi, gjyqtar i Gjykatës së Posaçme të Apelit. Ndërsa një prokuror i Prokurorisë së Posaçme i tha gjithashtu BIRN në kushtet e anonimatit se magjistratët e SPAK nuk kishin pasur akses në draft përpara se mërkurës. Duke theksuar se i duhej ende kohë për t’u njohur me të gjitha propozimet, ai e cilësoi paketën si “një përpjekje për të sterilizuar institucionin”. 

Edhe më i ashpër ishte një ish-prokuror me përvojë të gjatë, i cili e quajti draftin “masakër” me gabime të rënda, detajet e të cilit mbeteshin të paqarta. “Duket ose si porosi nga avokatë, ose si porosi e hallexhinjve që presin të përballen me dyert e drejtësisë,” tha ai për BIRN, duke shtuar se ndryshimet “nuk kanë shqetësimin e shumicës dërrmuese dhe nuk zgjidhin problemet e njerëzve normalë”.

Një analizë e projektligjit dhe e relacionit tregon se nisma kodifikon disa garanci të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, direktivave të BE-së dhe Gjykatës Kushtetuese për paraburgimin dhe barazinë e armëve. Megjithatë, drafti fut filtra që vështirësojnë këqyrjen e celularëve, shkurtojnë përgjimet, detyrojnë njoftimin e funksionarëve publikë pesë ditë para masave të sigurimit, kufizojnë gjyqtarët paraprakë dhe vendosin autorizim paraprak gjyqësor mbi raportimin mediatik.

Reagon Shoqata e Prokurorëve

Nga ana tjetër, Shoqata e Prokurorëve ka shprehur shqetësim për ndryshimet e propozuara në Kodin e Procedurës Penale, duke paralajmëruar se ato mund të dobësojnë efektivitetin e hetimeve penale, veçanërisht në çështjet që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Në qëndrimin e saj publik, Shoqata thekson se drejtësia penale duhet të ruajë një ekuilibër të domosdoshëm mes garancive për të drejtat e njeriut dhe hetimeve efektive në mbrojtje të viktimave dhe interesit publik.

Sipas prokurorëve, ky ekuilibër duhet të jetë në themel të çdo ndërhyrjeje ligjore. Shoqata paralajmëron se ndryshimet e propozuara rrezikojnë të fragmentojnë kompetencat hetimore, të kufizojnë mjetet për kërkimin e provës dhe të krijojnë pengesa për ndjekjen penale. Sipas saj, prokurori, si magjistrat i pavarur, ka detyrimin të zhvillojë hetime të plota dhe të gjithanshme, duke mbledhur prova si për fajësinë, ashtu edhe për pafajësinë e personit nën hetim.

Në reagim theksohet se ndërhyrjet në themelet e procedimit penal nuk mund të bëhen pa analiza të thelluara të praktikës dhe pa një vlerësim të plotë të pasojave. Shoqata ngre shqetësimin se marrja mekanike e zgjidhjeve nga modele të ndryshme procedurale, pa respektuar arkitekturën e sistemit shqiptar të drejtësisë, mund të prodhojë paqartësi dhe një sistem atipik.

Një nga pikat më të ndjeshme të kundërshtimit lidhet me zbulimin e të gjitha provave që në fazat e hershme të procedimit, kufizimin e masave të sigurimit personal dhe pengesat për zgjerimin e hetimit drejt fakteve të reja. Sipas Shoqatës, këto ndryshime mund të cenojnë ruajtjen e provave, sekretin hetimor dhe efektivitetin e hetimeve.

Prokurorët kërkojnë gjithashtu që pavlefshmëria e akteve dhe papërdorshmëria e provave të mos kthehen në pasoja automatike, por të lidhen me rëndësinë e shkeljes dhe ndikimin real mbi provën apo të drejtat e mbrojtjes. Shoqata e Prokurorëve kërkon një proces konsultimi real, gjithëpërfshirës dhe me kohën e nevojshme për debat profesional, ndërsa paralajmëron se do të vijojë me një analizë më të thelluar të projektligjit.

Ndryshimet për paraburgimin

Gjatë prezantimit të projektligjit, kryeministri Edi Rama iu referua raportit SPACE të Këshillit të Evropës, sipas të cilit 62% e të burgosurve në Shqipëri janë të paraburgosur, kundrejt mesatares evropiane prej 26% dhe Rusisë me 30%. “Në vitin 2026 duhet të nisim t’i japim fund edhe kulturës së paraburgimit si përgjigje automatike; të hetimit pa afat, si ushtrim force arbitrare mbi individin,” deklaroi kryeministri, sipas së cilit “një drejtësi që thotë: ‘më mirë një fajtor jashtë sesa një i pafajshëm brenda’, nuk është më e dobët, po më e fortë”.

Mbështetur në raportet e Këshillit të Evropës dhe një vendim të Gjykatës Kushtetuese, projektligji vendos detyrimin që masat shtrënguese jepen si rregull vetëm për vepra me dënim maksimal mbi 3 vjet burgim, ndërsa “arresti në burg” ndalohet kur maksimumi i dënimit është nën 5 vjet ose kur parashikohet dënim deri në 3 vjet. Neni 228 kërkon “prova konkrete dhe të verifikueshme” dhe ndalon përdorimin e heshtjes si provë rrezikshmërie për caktimin e masës së sigurisë.

Ndryshimet po ashtu parashikojnë pavlefshmëri dhe përgjegjësi disiplinore për gjyqtarin që nuk bën arsyetim të pavarur nga kërkesa e prokurorit. Paketa krijon gjithashtu “hetimet e mbrojtjes”, ku avokati mbledh prova me vlerë të barabartë me prokurorin, bën të detyrueshëm regjistrimin audioviziv të pyetjeve.  Ndërkohë, neni 105 i dispozitave kalimtare detyron gjykatat të verifikojnë kryesisht brenda 60 ditëve nga hyrja në fuqi e ligjit të gjitha masat e sigurimit aktive, dhe brenda 3 ditëve “arrestin në burg” kur kjo nuk lejohet më sipas ligjit të ri.

Zyrtarët e dyshuar për korrupsion

Hetimet e SPAK-ut dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, BKH, preken drejtpërdrejt nga kreu i parë i draftit, ku parashikohen veprimet që ndërmerren pas sekuestrimit të pajisjeve elektronike, i bazuar sipas referencave në vendimin e vitit 2025 të Kushtetueses mbi mbrojtjen e korrespondencës. “Policia dhe prokuroria mund ta sekuestrojnë pajisjen, nuk diskutohet, por për ta hapur, kopjuar ose përpunuar përmbajtjen e telefonit duhet autorizim paraprak i gjykatës”, tha Rama.

Projektligji ndërton një procedurë të detajuar dhe komplekse që ngushton hetimin digjital. Sipas parashikimeve në draft, edhe në flagrancë apo urgjencë, policia dhe prokurori mundet vetëm ta sekuestrojnë celularin pa të drejtë ta aksesojnë pa vendim gjykate. Nga kjo mbrojtje e korrespondencës përjashtohen rastet e dyshimeve për terrorizëm, krimeve kundër jetës, krimeve seksuale, rrëmbimit dhe trafiqeve, por jo të akuzuarit për korrupsionin. Sipas draftit, gjykata cakton paraprakisht kategoritë e të dhënave, aplikacionin elektronik ku do të kërkohet, periudhën kohore dhe fjalët kyçe që do të kërkohen.

Nëse gjatë këqyrjes dalin të dhëna përtej këtyre fjalëve kyçe apo kufizimeve në urdhrin e gjykatës, prokurori detyrohet të kërkojë autorizim të ri, ndërsa në fund zhvillohet një kontroll i dytë gjyqësor me palët dhe çdo provë në tejkalim të autorizimit shpallet e papërdorshme. Në fjalimin e tij, Rama garantoi se “për korrupsionin, krimin e organizuar, terrorizmin, trafiqet, krimet me armë ose dhunë të rëndë dhe çështjet e Gjykatës së Posaçme, ruhen regjime të posaçme”.

Por teksti i projektligjit tregon se në tri dispozita kyçe, nga lehtësimet përjashtohet vetëm krimi i organizuar, duke lënë jashtë përjashtimit korrupsionin. Ndërkohë edhe masat e sigurisë ndaj zyrtarëve të lartë, përfshi ato të pezullimit nga detyra nuk mund të merren, pa e njoftuar personin të paktën 5 ditë përpara me akuzën dhe pa e marrë në pyetje.

Për hetime me afat të përcaktuar, nenet 65 dhe 66 të draftit i japin të drejtë të dyshuarit t’i kërkojë gjyqtarit “retrodatimin”, pra caktimin e një date të mëparshme kur duhej regjistruar si i dyshuar, çka sjell llogaritjen prapavepruese të afateve të hetimit dhe papërdorshmërinë e provave të marra para regjistrimit. Gjithashtu drafti parashikon se nëse gjykata nuk vendos brenda 48 orëve mbi kërkesën e të dyshuarit për akses në akte, provat i jepen automatikisht atij duke caktuar përgjegjësi disiplinore për prokurorin. Drafti po ashtu parashikon kufizime për median.

Neni 10 ndalon publikimin e vendimeve për masat e sigurimit, të përgjimeve të pacituara në vendim, të pamjeve të personave në pranga dhe të akteve hetimore deri në fillimin e gjykimit të themelit, përjashton ankimin te Komisioneri për Informimin për këto akte. Në pikën 14 kërkon autorizim paraprak gjyqësor edhe për dokumentet që gazetarët i kanë tashmë në dorë.

“Në rastin e të tretëve dhe veçanërisht gazetarëve, mediave, që zotërojnë tashmë të dhëna që bien në regjimin e këtij neni, ata mund t’i kërkojnë gjykatës kompetente të shkallës së parë autorizimin për publikimin e të dhënave… Në çdo rast, publikimi nuk mund të kryhet pa autorizimin gjyqësor”, thuhet në draft. Një ish-prokuror i tha BIRN se parashikimet për masa disiplinore dhe kërkesat e rritura ndaj prokurorëve dukej qartë që synonin ndër të tjera të trembnin dhe pengonin përpjekjet për të hetuar korrupsionin.

Te tjera

Lajme te tjera