E shtunë, 7 Dhjetor, 2024

Dodik i kthehet “avazit të vjetër”, kërcënon sërish me shkëputje të Republikës Srpska nga Bosnjë-Hercegovina, gjithçka do të vendoset brenda kësaj jave, ja njeriu që ka në dorë “fatin” e vendit

Share

Edhe pse i shpallur non grata nga SHBA-të kreu i serbëve të Bosnjës, Mirolad Dodik ka vendosur të jetë “rebel”, duke mos hequr dorë nga synimet e tij të kahershme, të cilat duket se janë bërë “refren” për të.  Udhëheqësi i Republika Srpska, ka përsëritur se ky ent do të shkëputet nga BiH në rast se përfaqësuesi i lartë ndërkombëtar Christian Schmidt imponon ndryshime në Ligjin Zgjedhor dhe njoftoi një takim me partitë kryesore boshnjake dhe kroate për të arritur një marrëveshje lidhur me këtë.Schmidt, i cili kryeson administratën ndërkombëtare në BiH, njoftoi në mes të dhjetorit se do të ndërhynte në legjislacionin zgjedhor të vendit për të garantuar transparencën e procesit zgjedhor në rast se politikanët vendas nuk bien dakord për këtë çështje. Në një prononcim për mediat vendase, ai shtoi se liderët e partive në pushtet pritet të bisedojnë këtë javë për një sërë reformash dhe e quajti atë takim Dita D. “Do të jetë “D-Day”, nëse dikush guxon të kalojë kufijtë dhe të realizojë një skenar që i hap hapësirë ​​për të imponuar diçka. Federata jofunksionale”, tha Dodik për mediat. Ai ka kërcënuar më parë në disa raste me shkëputjen e Republika Srpska në rast se Schmidt, autoritetin e së cilës ai e kundërshton, të imponojë disa nga ligjet.

Kërcënimet e Dodik

Ndryshimi i Ligjit Zgjedhor me përmirësime teknike është një nga kushtet e Komisionit Evropian për t’i rekomanduar Këshillit Evropian deri në mars hapjen e pakushtëzuar të negociatave të anëtarësimit me BiH. Dodik akuzoi partitë boshnjake për sjellje servile ndaj të huajve dhe se në fakt ato janë problemi më i madh që nuk ka marrëveshje për reforma.”Boshnjakët politikë nuk kanë kapacitet për vendimmarrje të pavarur dhe për negociata. Nënshtrimi i tyre ndaj të huajve që i emëruan ata çon në faktin se marrëveshjet nuk respektohen dhe se ne dyshojmë seriozisht në vendosmërinë e tyre që BiH të ecë përpara,” tha Dodik. Përveç ndryshimeve në Ligjin Zgjedhor, Komisioni Evropian i informoi politikanët vendas se duhet të reformojnë Ligjin për Ndalimin e Financimit të Terrorizmit dhe Pastrimit të Parave, Ligjin për Gjykatat e BiH dhe Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit.Polemikat më të mëdha janë për ndryshimet në Ligjin Zgjedhor dhe pala kroate në BiH pret që këto ndryshime të garantojnë përfaqësim legjitim politik, pra të parandalojnë mundësinë e mbivotimit të atij kombi gjatë zgjedhjes së një anëtari të Presidencës së BiH.

Krizë në BiH

Zheljko Komshiç u zgjodh në krye të shtetit katër herë me votat e votuesve kryesisht boshnjakë , legjitimiteti i të cilëve kundërshtohet nga partitë kroate. Ai, është i mendimit se është keq që politika aktuale e SHBA-së në BiH bazohet në realizimin e interesave strategjike të Kroacisë. Në një intervistë, Komshiçfoli për situatën politike në BiH, marrëdhëniet me vendet e rajonit dhe Turqinë, marrëdhëniet me SHBA dhe politikën e saj në BiH, si dhe për çështje të politikës së brendshme. “Situata në Bosnje dhe Hercegovinë ka qenë jashtëzakonisht komplekse për më shumë se tre dekada”, tha ai dhe shtoi se beson se është koha që qytetarët të kuptojnë momentin në të cilin janë, duke theksuar rrezikun e kthimit “në një formë të viteve ’90 nga shekulli i kaluar”. “Tek ne shpërthejnë periodikisht krizat. Ajo që tani kemi pasur mundësinë të shikojmë nuk është asgjë e re. Fjalimet e Milorad Dodik janë rrëfim që ai i flet për gati 20 vjet. Asgjë e re. Sot kuptojmë që ajo nuk është thjesht retorikë, por një plan qe po realizohet, po shpaloset dhe çdo vit ai plan përparon. Për fat të keq ky është momenti ynë aktual në të cilin jetojmë”, tha Komshiq, duke shtuar se situata rezultoi nga përmbyllja e Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit.Megjithatë, duke folur për alternativat, Komshiq beson se nuk mund të hedhin poshtë marrëveshjen ndërkombëtare, sepse në këtë rast, sipas tijm fitojnë ata që janë kundër Bosnje e Hercegovinës. Ai u shpreh se realiteti nuk duket shumë i ndritshëm për Bosnje e Hercegovinën, duke shtuar: “Por, ne na takon të vazhdojmë të luftojmë dhe të qëndrojmë në këtë luftë. Mendoj se ka mjaft njerëz në Bosnje dhe Hercegovinë që do të qëndrojnë në këtë luftë”.

Te tjera

Lajme te tjera