Rigels Seliman
Milorad Dodik po i numëron ditët e fundit në fronin e entitetit serb në Bosnje dhe Hercegovinë, Republika Srpska. Duket se më në fund i ka mjaftuar diplomacia perëndimore, pas vitesh kërcënimesh për shkëputje dhe kundërshtim ndaj Kushtetutës dhe ligjeve të vendit të tij, të cilin, absurdisht, e drejtoi dikur si anëtar i Presidencës. Perëndimi po shtrëngon unazën rreth tij dhe përfaqësuesi i lartë i komunitetit ndërkombëtar, Christian Schmidt, mund ta largojë atë nga posti i kreut të RS, duke përdorur kompetencat e tij. Por jo vetëm kaq, Dodik pritet të arrestohet pasi ditën e djeshme ai kaloi vijën e kuqe. Presidenti i entitetit të Republikës Sërpska, ka nënshkruar ligjin kundërthënës sa i përket vendimeve të përfaqësuesit të lartë në Bosnje e Hercegovinë, njoftoi kabineti i tij. Sipas ligjit të dekretuar, vendimet e përfaqësuesit të lartë më nuk do të publikohen në këtë entitet. Dodik nënshkroi legjislacionin pavarësisht faktit që përfaqësuesi i lartë, Christian Schmidt, me vendimin e tij të 1 korrikut ka shfuqizuar të gjithë procedurën legjislative për këtë çështje.
Kërcënimi i Schmidt, ja sa vite burg rrezikon Dodik
Christian Schmidt kërcënoi këdo që nuk i bindej dispozitave të tij se mund të përballeshin me akuza penale, të cilat do t’i kushtonin nga gjashtë muaj deri në pesë vjet burg. Mirëpo, kryetari i Kuvendit të RS-së, Nenad Stevandiç , thotë se kjo është e pamundur sepse deputetët janë të “mbrojtur me imunitet” dhe gjithmonë mund ta thërrasin atë. Në komentin e saj, Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ) thekson se Dodik tha paraprakisht se do ta injoronte shkarkimin “nëse ai imponohet nga OHR”. Domethënë, ka një problem në të gjithë këtë. Sipas FAZ, Christian Schmidt nuk ka si ta zbatojë vendimin e tij, sepse nuk ka nën kontroll një organ të akuzës që do ta zbatonte atë. Nëse kjo ndodh, sigurisht që do të jetë një precedent serioz, por edhe një mesazh domethënës për liderët e tjerë në Bosnje dhe Hercegovinë, veçanërisht liderët kombëtarë, siç është numri 1 kroat i Bosnje-Hercegovinës. Dragan Çoviç, kryetar i HDZ-së lokale, por edhe lideri boshnjak Bakir Izetbegoviq, të cilin Schmidt, kujtojmë, arriti ta pengojë në përpjekje për të penguar votimin e fundit të qeverisë së Federatës së BeH-së në të cilën nuk kishte vend për përfaqësues të SDA-së.
Ndarja e BiH
Në të njëjtën kohë, ish-zëvendëspresidenti i RS dhe anëtari aktual i parlamentit të entitetit, Ramiz Salkiç (SDA), shprehu shqetësimin se Dodik mund të përdorë masa radikale, duke përfshirë përdorimin e armëve, nëse e sheh të përshtatshme, për të përkeqësuar më tej situatën. “Dodik mund të vendosë shumë shpejt 100,000 njerëz të armatosur, të cilët janë pak a shumë të gatshëm për të mbrojtur qëllimet e tij politike me armë, për të zbatuar idenë e tij për ndarjen e Bosnjës dhe Hercegovinës pa vështirësi të mëdha”, pohoi Salkiç në një postim në profilin e tij në Facebook të hënën. Ai e justifikoi paralajmërimin dramatik duke pretenduar se përveç 7000 policëve të armatosur dhe rezervistë policie, autoritetet e Republikës Sërpska, kanë gjithashtu një njësi antiterroriste speciale, të armatosur rëndë dhe vlerësoi se rreth 70,000 gjuetarë të regjistruar mund të shndërrohen gjithashtu në paraushtarak brenda natës. Salkiç pretendon se për shkak të gjithë kësaj, mundësia e konfliktit është reale, ndaj u bën thirrje autoriteteve në Federatën e Bosnjë-Hercegovinës që të marrin masa për mbrojtjen e boshnjakëve dhe kroatëve në territorin e RS-së, sepse ai supozon se do të ketë një bllokadë nga ana e qeverisë shtetërore dhe agjencive të sigurisë. Pra situata në Bosnjë e Hercegovinë duket mjaft e tensionuar dhe vendi mund të shkojë drejt një konflikti të egër, nëse nuk merren masa. Ky vend shihet si një satelit i Vladimir Putinit për të shkaktuar trazira dhe deklaratat e tij të fundit e konfirmojnë më shumë këtë tezë.
