E shtunë, 19 Prill, 2025

Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare, aktivitet për ruajtjen e shqipes dhe identitetit të saj

Share

“Gjuha, shoqëria, e ardhmja” titullohej aktiviteti i zhvilluar sot nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit në bashkëpunim me Muzeun Historik Kombëtar me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, i cili kishte si qëllim diskutimin mbi gjuhën, diversitetin gjuhësor dhe kulturor.

Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Alda Bardhyli, në fjalën e saj tha se “sot është Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare e shpallur nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në vitin 1999. Në këtë datë, pothuajse të gjitha vendet anëtare të OKB, organizojnë tubime ndërgjegjësuese, në mbrojtje të diversitetit kulturor e të gjuhës amtare. Pikërisht edhe ky takim që sot ka bërë bashkë disa nga emrat më të rëndësishëm të filologjisë shqiptare, ka në qendër reflektimin mbi nevojën e mbrojtjes së gjuhës shqipe, prandaj edhe e kemi quajtur “Gjuha, shoqëria, e ardhmja” për të diskutuar mbi rëndësinë e gjuhës dhe diversitetin kulturor që ajo mbart”.

“Ruajtja e pastërtisë së gjuhës shqipe, pa humbur pasurimin që i jep koha mendoj se është një detyrë morale jo vetëm e institucioneve përgjegjëse, por edhe e shoqërisë dhe individit. Pjesë e familjes së gjuhëve indoevropiane, shqipja ka tërhequr vëmendjen e filologëve të huaj për mundësinë e pafundme të shprehjes, forcën dhe peizazhin e saj të brendshëm. Me një strukturë të thellë ajo i ka mbijetuar presioneve historike duke ruajtur thellësisht identitetin e saj, por fatkeqësisht sot ajo është vënë përballë një sërë presionesh që po dëmtojnë identitetin e saj duke përmendur gjuhën e përdorur në diskursin publik ,fjalët e huaja të ardhura në gjuhën shqipe, gjuha e përdorur nga politika e media etj. Ndaj ky takim ka në thelb ndërgjegjësimin në ruajtjen e një lloj pastërtie të shqipes dhe identitetit të saj”, theksoi Bardhyli.

Prof. Gjovalin Shkurtaj evidentoi disa problematika që prekin gjuhën shqipe në ditët e sotme duke e vënë theksin tek ndikimi i fjalëve të huaja, që duhet të jetë i kontrolluar dhe vetëm atëherë kur është thellësisht i nevojshëm dhe për rëndësinë, që i duhet dhënë studimit të gjuhës në shkolla.

“Për dëshirën për të folur shqip e të papërzier është derdhur edhe gjak ka thënë Naimi ndaj gjuha shqipe është simbol i bashkësisë etnike të shqiptarëve dhe duhet të marrë një rëndësi të veçantë”, theksoi ai.

Prof. Xhevat Lloshi në fjalën e tij theksoi se “pas 50 vjetësh gjuhën e sotme duhet ta shohim të përdorur në rrethana të reja, Duke shpresuar të bëhemi pjesë e Bashkimit Evropian, gjuha shqipe do jetë pjesë e të gjitha dokumenteve zyrtare ndaj kujdesi ndaj gjuhës shqipe sot duhet të përkthehet si kujdes për t‘ju shërbyer shqiptarëve në nivel kulturor e kombëtar”.

“Duke qenë se kanë ndryshuar format e komunikimit, hyrja e fjalëve të huaja dhe përdorimi i saj gjerësisht në mjetet elektronike si një formë e re komunikimi duhet treguar një kujdes i madh në ruajtjen e pastërtisë dhe identitetit të gjuhës”, tha Prof.Lloshi.

Prof. Anila Omari u shpreh se “kohët e fundit vëmë re ndryshime të shpejta dhe të vrullshme në gjuhë aq sa na bëjnë të mos njohim fytyrën e vërtet të saj. Këto problematika na bëjnë ti kthejmë sytë nga arsimi dhe rëndësia e tij në edukimin e brezave të rinj. Problemet e gjuhës sot prekin shumë rrafshe atë morfologjik,sintaksor dhe drejtshkrimor si në rastin e përdorimit të apostrofës apo trajtave të bashkuara ku shihen shpesh gabime”.

Ndërsa Prof. Linda Meniku theksoi se “për ruajtjen e gjuhës shqipe në diasporë dhe brenda vendit duhen hartuar politike për ruajtjen normative të gjuhës standarde. Është me rëndësi ruajtja e identitetit kombëtar ndaj duhen bërë studime të përhershme në fushën e gjuhës prandaj duhet të kemi të rinj, studiues të apasionuar dhe të interesuar për këtë fushë”.

Te tjera

Lajme te tjera