E premte, 17 Prill, 2026

Dështimi i negociatave me Iranin, Trump: Bllokojmë urgjentisht Ngushticën e Hormuzit, Teherani s’mund të përfitojë taksa të paligjshme! Putin ofron ndërmjetësim

Share

I ashpër ka qenë reagimi i Presidentit amerikan Donald Trump pas dështimit të negociatave me Iranin në Islamabad, Pakistan. Përmes një postimi në rrjetet sociale, teksa shkroi se shkak i dështimit të negociatave ishte ‘kokëfortësia’ e Iranit për të hequr dorë nga programi i tij bërthamor, Trump paralajmëroi se Marina e SHBA-së do të bllokojë Ngushticën e Hormuzit dhe nuk do të lejojë kalimin e asnjë anijeje, veçanërisht të atyre që i paguajnë taksa Iranit. Shefi i Shtëpisë së Bardhë njoftoi se ushtria amerikane do të punojë edhe për demilitarizimin e zonës nga minat e mundshme të vendosura nga Irani dhe do të krijojë kushtet që në të ardhmen atje të ketë kalim të lirshëm të anijeve të naftës.

Më herët zëvendëspresidenti JD Vance tha se SHBA-të dhe Irani, pas bisedimeve maratonë, nuk kanë arritur një marrëveshje për paqe në Pakistan. Kjo bëri që delegacioni amerikan të kthehen në shtëpi pa marrëveshje, pas shpresës së madhe të ngritur në publik.

“Ne largohemi nga këtu me një propozim shumë të thjeshtë, një mënyrë mirëkuptimi që ky është oferta jonë përfundimtare dhe më e mirë. Do të shohim nëse iranianët e pranojnë atë”, tha Vance pas 21 orëve bisedime.

Vance tha se gjatë diskutimeve kishin folur disa herë me presidentin Donald Trump. Ai shtoi se ekipi i tij nuk arriti ta bënte Iranin të konfirmonte se nuk do të kërkojë një armë bërthamore, as mjetet që do t’i mundësonin ta arrinte shpejt një të tillë. Ai e përshkroi këtë si një qëllim thelbësor të Presidentit Trump dhe shprehu zhgënjim.

Sipas palës iraniane, bisedimet u zhvilluan në “një atmosferë të mbushur me mosbesim, dyshim dhe pasiguri”, pas më shumë se 40 ditësh “lufte të imponuar” dhe jo shumë kohë pas hyrjes në fuqi të një armëpushimi. ““Nuk duhej të kishim pritur që në fillim se mund të arrinim një marrëveshje”, u shpreh Teherani.

Në një postim në X, kryeparlamentari iranian Mohammad Ghalibaf u shpreh se delegacioni iranian “paraqiti iniciativa me vizion për të ardhmen, por pala kundërshtare në fund nuk arriti të fitojë besimin e delegacionit iranian në këtë raund negociatash”.

Ministri i Jashtëm i Pakistanit ka thënë se është e domosdoshme që të dy palët të vazhdojnë të respektojnë armëpushimin e rënë dakord para se të vinin në Islamabad, megjithëse të dyja palët tashmë janë akuzuar reciprokisht për shkeljen e tij.

Nga ana tjëtër, Izraeli dhe Libani pritet të ulen këtë të martë në Uashington për bisedime direkte, në një përpjekje historike për të ulur tensionet dhe për t’i hapur rrugën një marrëveshjeje. Ndërkohë Izraeli ka vijuar me sulmet ndaj Libanit, duke ‘anashkaluar’ Bejrutin. Goditjet po ndodhin në jug të vendit, ku raportohet se vala e sulmeve po shënjestron qëllimisht personelin e kujdesit shëndetësor.

Mes gjithë këtyre tensioneve dhe negociatave të dështuara mes SHBA-së dhe Iranit, ka ardhur një reagim nga Rusia, ku Presidenti Vladimir Putin është vetë-ofruar për ndërmjetësim për zgjidhjen e konfliktit dhe dhënien fund të luftimeve.

Te tjera

Lajme te tjera