Presidenti Bajram Begaj, prej ditës kur Kuvendi nuk i dha mundësinë të ushtrojë një nga kompetencat Kushtetuese që ka kreu i shtetit; adresimi i deputetëve, duhet të dekretojë shpërndarjen…
Nuk kishte ndodhur asnjëherë që Presidenti i Republikës të ndalohet t’i drejtohet Parlamentit, në një fillim sezoni. Prej kohës së Ramiz Alisë, adresimi publik i kreut të shtetit ka qenë një rutinë institucionale.
Një shtet normal, lejimin e protokollit rutinor institucional e vijon edhe në ditët më të rënda të tij. Për të treguar se funksionon. Kur bllokohet ndonjë ingranazh, atëherë makineria ndalon.
Kështu ndodhi dhe të hënën, kur Presidenti i Republikës, nuk mundi t’i adresohet Kuvendit, siç ishte planifikuar.
Imagjinoni, sikur presidenti i SHBA-së të duhej të mbante një fjalë në Kuvend, e deputetët e Foltores ta pengonin. Sipas të gjitha gjasave, të nesërmen nuk do të kishte më Parlament. Mirëpo në rastin që po flasin, kreu i Kuvendit Lindita Nikolla e gëlltit me një gotë ujë, sikur të ishte një bllokim i thjeshtë gryke. Faktikisht jemi para një skandali. Një Parlament që nuk arrin dot të funksionojë në një adresim të Parlamentit, ai institucion ka mbaruar së funksionuari. Dhe kjo tashmë është fakt.
Parlamenti nuk funksionon, përveç numrave të mazhorancës në votime të sforcuara. Po kjo nuk se është zgjidhje. Parlamenti nuk është një organ që vulos me shpejtësi akte administrative apo ligjore.
Parlamenti është institucioni më i lartë i vendit, ku jo vetëm debaton, por edhe kërkon llogari mbi të gjitha institucionet që rrjedhin prej tij. Nëse nuk e bën, ç’ka në të vërtetë nuk e ka bërë, ajo sallë nuk është më Kuvend. Ka humbur funksionin e tij.
Parlamenti shqiptar nuk është i tillë. Mund të quhet një mbledhje e zgjeruar e qeverisë, Asamblesë së PS-së, apo çfarë të duash, veçse Parlament nuk mund të jetë.
Presidenti Bajram Begaj, prej ditës kur Kuvendi nuk i dha mundësinë të ushtrojë një nga kompetencat Kushtetuese që ka kreu i shtetit; adresimi i deputetëve, duhet të dekretojë shpërndarjen. Sepse ky Parlament është de fakto i shpërndarë.
Kryeministri, i cili e ka për detyrim Kushtetues të kontrollohet e të gjykohet nga Kuvendi, shkon atje thjesht për votën e tij si deputet. Por Parlamenti është organi Kushtetues që kërkon llogari mbi Këshillin e Ministrave. E së paku, kryeminisri e anëtarët e qeverisë, janë të detyruar të jenë prezent në çdo seancë, si një i pandehur apo person nën hetim që merr pjesë në seancë gjyqësore.
Për qeverinë, çdo seancë Kuvendi është një seancë gjyqësore që kërkon llogari, natyrisht jo penale, por kushtetuese mbi punën e qeverisë.
Nuk ndodh që një kryeministër i Britanisë së Madhe, apo Gjermanisë të mungojë në Kuvend. Ndryshe, nuk ka legjimititet kushtetues.
Presidenti Bajram Begaj ka bërë shumë mirë që e dha fjalën e tij për Parlamentin nga Presidenca, por realisht, politikisht dhe institucionalisht duhet të përgatisë dekretin për shpërndarjen e këtij Parlamenti. Pasi de fakto ky Parlament është shpërndarë; duhet edhe konfirmimi de jure