Alqi Bllaku është thirrur sot për të dëshmuar në Komisionin hetimor për inceneratorët, si ish Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit. Ai deklaroi se duke qenë se ka dhënë deklarimet e tij në SPAK, nuk mund të dëshmojë në Komision pasi do të shkelte sekretin hetimor. Ndërkohë Bllako i ka dhënë edhe një shuplakë kryetares së komisionit, Jorida Tabaku, teksa i ka kujtura kësaj të fundit të jetë më etike, pasi përveç ndaj tij, ka hedhur edhe baltë ndaj familjes së tij.
Pjesë nga debati:
Jorida Tabaku: Është në dëshirën e tij nëse mund të deklarojë ose jo, por këtu deklaratë nuk mund të bëjë.
Alqi Bllako: Unë e firmosa deklaratën në fjalë, përsa i përket konfliktit të interesit unë e kam bërë një shpjegim përpara se të jepja dëshminë pranë organit të akuzës, ndaj të njëjtën dëshmi do doja ta ndaja dhe me ju në këtë Komision. Doja 3 minuta kohë.
Jorida Tabaku: Sipas dëshmive që kemi administruar në këtë Komision ne kemi material të bollshëm për të gjykuar nëse ka apo jo konflikt interesi. Këtë Komision s’do e përdorni si foltore.
Alqi Bllako: Nuk kam asnjë merak për ta përdorur si foltore. Unë jam i angazhuar në politikë dhe kur mora këtë vendim, mora parasysh edhe gjithë baltën që do binte ndaj këtij vendimi. Por familja ime nuk e ka kusur dhe të përbaltet për diçka të pavërtetë. Megjithatë është në diskrecionin tuaj, nuk ka asnjë problem, ka dhe mediume tjera për ta sqaruar këtë gjë. Duhet të jeni më etike në akuzat që bëni.