E premte, 17 Prill, 2026

Berisha: Protesta e 22 marsit jehonë të gjerë në mediat ndërkombëtare. Edi Rama nuk do e vëjë kurrë nën kontroll vullnetin dhe dinjitetin e shqiptarëve

Share

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se protesta e zhvilluar më 22 mars ka pasur jehonë të gjerë ndërkombëtare, ndërsa paralajmëroi vijimin e aksionit opozitar me forma të reja proteste.

Në konferencën e sotme për mediat, Berisha u shpreh se protesta u pasqyrua nga mediat kryesore ndërkombëtare dhe e cilësoi atë si një reagim qytetar kundër korrupsionit dhe qeverisë së kryeministrit Edi Rama. Sipas kryedemokratit Sali Berisha, opozita është e vendosur të vijojë atë që ai e quajti ‘kryengritje paqësore’, duke shtuar se data dhe forma e protestës së radhës do të bëhen publike së shpejti.

‘Protesta e 22 marsit pati jehonë të jashtëzakonshme europiane dhe botërore. Qytetarët shqiptarë ngritën zërin kundër korrupsionit dhe qeverisjes aktuale,’ u shpreh Berisha. Ai shtoi se, pavarësisht zhvillimeve në institucionet e drejtësisë, sipas tij, ‘vullneti i qytetarëve nuk mund të vihet nën kontroll’, duke ftuar qytetarët të marrin pjesë në protestat e ardhshme.

Gjatë fjalës së tij, Berisha dërgoi një mesazh mbështetjeje për të burgosurit që ai i cilësoi si ‘politikë’, duke përmendur edhe ish-presidentin Ilir Meta, të cilit i uroi ditëlindjen. Kryetari i PD-së Sali Berisha hodhi akuza për akte intimidimi ndaj tij në ambientet e paraburgimit, dhe se pas këtyre sulmeve intimidues qëndron Edi Rama i cili ka urdhëruar Ergys Agasin, që të ndërmerrte akte të tilla ndaj presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta:

FJALA E PLOTE

Ju jeni dëshmitar të jehonës së jashtëzakonshme europiane dhe botërore të protestës së 22 Marsit. Mediat më të mëdha të botës, agjencitë më të mëdha, rrjetet televizive, gazetat më të mëdha paraqitën gjerësisht revoltën e qytetarëve të Tiranës dhe Shqipërisë, ndaj dyshes së korruptuar Rama-Balluku.

Pra, në protestë shndriti zëri i qytetarëve shqiptarë që mbrojnë me dinjitet interesat e tyre nga një grusht hajdutësh të papërgjegjshëm dhe nxiu, nxiu si me zift figurat e urryera të shqiptarëve, Edi Rama dhe Lubi Balluku.

Unë garantoj qytetarët se PD është e vendosur që stinën e kryengritjes paqësore ta vazhdojë me vendosmërinë më të madhe dhe se nuk do të tolerojë kurrë, që një dyshe hajdutësh të vazhdojnë të vjedhin, të pangopur duke përdorur mandatet e tyre si thika krimi, mburojë për vjedhjet e tyre.

Edi Rama vërtetë në një betejë me një prokuror guximtar, duhet ta them këtu, përdori gjithë pushtetin ekzekutiv për të mposhtur dhe për ta vënë, tani siç del në pah, në kontroll total SPAK-un, por nuk do të verë kurrë nën kontroll, vullnetin e qytetarëve shqiptarë, dinjitetin e tyre, vendosmërinë e tyre për tu ndarë me këtë të keqe të madhe.

Ndaj dhe njëherë ftoj shqiptarët, në datën dhe orën e caktuar që do të jetë shumë e shpejtë, të dalim në shesh në kryengritjen më të fuqishme që të çojmë Shqipërinë drejt fitores, drejt përmbysjes së këtij regjimi armik të shqiptarëve.

U dërgoj një përshëndetje të përzemërt, të burgosurve politikë në qelitë e komisariateve dhe ti uroj nga zemra ditëlindjen, ish-presidentit dhe ish-kryeministrit Ilir Meta, i burgosur kryesor politik në Shqipëri që po bën një betejë të jashtëzakonshme edhe nga qelia e burgut kundër narkoshtetit.

Dënon me neverinë më të madhe, aktet e turpshme të intimidimit që ata i bëjnë, duke dërguar kriminelë për ti shpuar shishet e ujit. Dhe akte të tilla që tregojnë fytyrën e poshtë të Edi Ramës.

Që të gjitha janë me urdhër të Edi Ramës.

Dhe kur një nga eksponentët kryesorë socialistë, me kërkesën e Tedi Blushit, deputetit, merret me këtë problem, rezultonte se operacionin e kryente Ergys Agasi me urdhër të Edi Ramës.

Shikoni ku shkon Edi Rama. Shiko çfarë shpirt, se s’po i vë epitete, se meriton çdo epitet ka ky njeri.

Çon kriminelë për të shpuar shishet e ujit, që ta lejë pa ujë. Mund të shkojë gjer këtu njeriu? As sigurimi i shtetit nuk i bënte këto.

PYETJE PERGJIGJE ME GAZETARET:

Anisa Kadesha: Zoti Berisha, cila do jetë strategjia e opozitës në protestën e radhës dhe a ia ka dalë deri tani opozita të sensibilizojë faktorin ndërkombëtar me protestat e deritanishme?

Sali Berisha: Tani, strategjia do të shpallet. Ne jemi përcaktuar për diversifikimin dhe i qëndrojmë atij përcaktimi.

Forma e protestës së ardhshme do shpallet së shpejti.

Besoj se në rrafshin ndërkombëtar, ju jeni dëshmitarë vetë që me datën 22 mars në darkë, lajmet më kryesore pas luftës në Lindjen e Mesme, kanë qenë lajmet për betejën e qytetarëve të Tiranës kundër korrupsionit në Shqipëri.

E keni parë vetë se me çfarë dashamirësie dhe simpatie të madhe i kanë përcjellë, me çfarë korrektese.

Dhe kjo e tërboi narkoregjimin dhe puthadorët e tij, të cilët kaluan në marrëzira dhe absurditete, duke treguar lepurin në bark që u ka hyrë.

Vazhdon e pandërprerë beteja jonë.

Ftoj qytetarët të bashkohen me ne se janë interesat më jetike të tyre.

Marsi Korreshi, SYRI TV: Sot PS nëpërmjet Taulant Ballës ka prezantuar projektligjin për referendumet të paralajmëruar pak ditë më parë nga asambleja e PS nga Edi Rama, i cili tha se, do të ulet numri i deputetëve në Kuvend.

Sali Berisha: Nuk votojmë asnjë ligj me PS-në. Jemi të angazhuar në procesin e reformës, në dy reformat, sepse kjo mendojmë ne është, jo se besojmë se Edi Rama do pranojë të ketë një produkt të përbashkët, jemi të bindur që nuk beson.

Por nga ana tjetër ne kemi një opinion të tërë, që kërkon që ne të paraqesim variantin tonë dhe ata të njihen me të. Dhe ne jemi në këtë.

Por ne të votojmë të njëanshme ligje të PS-së, nuk votojmë asnjë. Kjo është shumë e prerë.

Edi Rama përpiqet me shashka që të mbulojë vjedhjet që ka bërë. Përpiqet të mashtrojë shqiptarët se duke shkurtuar 40 deputetë po i bën të lumtur, në një kohë kur ai vjedh në ditë shumëfishin e rrogave të të gjithë parlamentit bashkë me zyrtarët e tij.

Pra është një hipokrizi e madhe e tij

Te tjera

Lajme te tjera