Pas daljes në skenë të një personazhi me profil të lartë publik me iniciale I.M, i cili rezultonte të ishte bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit, që sipas dokumentit ekskluziv të Autoritetit të Dosjeve, zbulohet se bëhej fjalë për Ilir Metën. Kësaj të dhënë të faktuar, i është përgjigjur me një postim në “Facebook” ish-kryeministri Sali Berisha, i cili pretendon se ky është një falsifikim nga kryeministri Edi Rama. Përmes një statusi në rrjetet sociale, Berisha shkruan se Meta, i cili ka nisur karrierën e tij si parlamentar që nga viti 1996 nuk ka rezultuar asnjëherë me asnjë lidhje me policinë sekrete.
“Një akt i shëmtuar i turpshëm i Edi Ramës! Pas inaugurimit të monizmit të plotë, Edi Rama, në traditën më të shëmtuar të bllokmenëve hoxhistë, i tmerruar nga opozita, urdhëron falsifikimin dhe manipulimin e dosjeve dhe sulmoi në një akt hakmarrjeje të verbër, nëpërmjet veglave të tij, ish – Presidentin e Republikës Ilir Meta, duke aluduar se ai paska qenë bashkëpunëtor i sigurimit të shtetit. Pa dyshim një falsifikim dhe manipulim i shpifur ky. Ish Presidenti Meta si parlamentar i është nënshtruar nga viti 1996 deri sot verifikimit periodik si kandidat opozite dhe mazhorance për deputet në Parlamentin e Shqipërisë, nga i cili në të gjitha rastet ai ka rezultuar pa asnjë lidhje me policinë sekrete. Me këtë sulm të ulët dhe amoral Edi Rama përpiqet të vendosë në harresë firmën prej xhelati të Kristaq Ramës në varjen e poetit Havzi Nela dhe pushkatimin e qytetarëve të tjerë të pafajshëm”, shkruan ai.
Më tej Berisha hedh akuza të forta në adresë të Ramës, ndërsa e paralajmëroi se po i vjen fundi. “Me këtë sulm Edi Rama përpiqet të krijojë tymnajë për vjedhjet e tij të tmerrshme gjatë 23 viteve në pushtet si kryetar bashkie dhe kryeministër, ai përpiqet të sfumojmë akuzën për 200 milionë euro të fshehura prej tij në bankat offshore të denoncuara në Raportin e OSBE – së në vitin 2014, për të cilin heshti si fije bari. Duke dënuar me forcën më të madhe këtë akt amoral, e siguroj Edi Ramën se asgjë nuk do të shpëtojë ty dhe vjedhësit e tu të ekipit tënd ‘Hajnia‘, nga gjykimi publik popullor”, nënvizoi Berisha.