E shtunë, 18 Prill, 2026

Belinda Balluku nuk arrestohet, rrëzohet me 82 vota kërkesa e SPAK! PS: S’ka arsye për arrestin, s’pengojmë hetimin! PD proteston brenda dhe jashtë Kuvendit: Rama po mbron veten

Share

Belinda Balluku nuk iu dorëzua SPAK! Me 82 votat pro të socialistëve e të PSD dhe 47 votat kundër të opozitës, Kuvendi rrëzoi kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për arrestimin e ish-zv.kryeministres, e pandehur për shkelje të barazisë në tenderë, dhe hetimi ndaj saj do të vijojë në gjendje të lirë dhe vetëm me masën e ndalimit të daljes jashtë shtetit.

Ashtu siç e kishin paralajmëruar, Partia Socialiste i qëndroi argumenteve të saj se nuk ka asnjë arsye për zëvendësimin e masës, duke thënë se ky vendim në asnjë rast nuk pengon hetimin e SPAK. Ulsi Manja i cili lexoi raportin e mazhorancës, theksoi se Balluku ka respektuar masat e sigurisë që janë vendosur ndaj saj dhe procesin penal, nuk ka asnjë fakt që ajo mund të prishë provat apo që ajo të arratiset dhe fakti që nuk është më në detyrë garanton se nuk mund ta përsëritë krimin.

“Masa e sigurimit personal, ajo e pezullimit nga detyra, nuk prodhon më asnjë efekt, në të njëjtën linjë, raporti ynë e qartëson edhe narrativen mbi të cilën SPAK ka ndërtuar kërkesën e aplikimit masave më të rënda, prishja e prova, apo arratisje, janë hipotetike për sa kohë lidhet me ushtrimin e funksioneve ekzekutive, detyra në fjalë që nuk i ushtron më”, tha Ulsi Manja.

Këtë vendim të socialistëve për të mos e lëshuar Ballukun në duart e drejtësisë, demokratët e lexuan si një mbrojtje ndaj Edi Ramës. Deputeti Oerd Bylykbashi, i cili lexoi raportin në mungesë të Gazment Bardhit, tha se Kuvendi po kthehet në strehë të të korruptuarve dhe ritheksoi edhe njëherë argumentet e tyre pro kërkesës së SPAK.

“Imuniteti nuk mundet dhe nuk duhet që të shndërrohet në mburojë apo si pengesë për drejtësinë. SPAK tregoi qartë se ekziston rreziku për prishjen e provave të procedimit penal, nga deputetja Balluku. Është përpjekur të ushtrojë presion përmes dëshmitarëve përmes të fortëve”, tha Bylykbashi. 

Ndonëse pritej një e enjte tensionuar dhe me kaos, siç PD kishte paralajmëruar, seanca dhe protesta e demokratëve jashtë Kuvendit u mbyll pas rreth 1 ore e gjysme. Seancës plenare i parapriu një mbledhje e grupit të PS për unifikimin e qëndrimit, çka u tregua qartë edhe në momentin e votimit.

Belinda Balluku mungoi në seancën ku kolegët e saj ngritën kartonin për të mos lejuar arrestimin. Punimeve të Kuvendit iu bashkua edhe vetë kryeministri Edi Rama, por munguan Elisa Spiropali, Fatmir Xhafaj dhe Blendi Gonxhja. Nga opozitarët në sallë nuk ishte kreu i grupit, Gazment Bardhi, Klevis Balliu dhe as Agron Shehaj të përjashtuar për shkak të përplasjeve në senaca plenare. 

Pas leximit të dy raporteve, u hodh në votim kërkesa e SPAK, e cila u rrëzua me 79 votat e socialistëve, të cilave iu bashkua edhe vota e 3 deputetëve të PSD-së së Tom Doshit. Ky moment u prit me kontestime nga opozita, e cila kësaj radhe kishte zgjedhur si strategji dy protesta paqësore.

Demokratët me në krye Sali Berishën bllokuan foltoren dhe u shfaqën pranë saj me pankarta në duar, ndërsa me kërkesë të PS pjesa tjetër e rendit të ditës u kalua në votim. 

Belinda Balluku u mor e pandehur për shkelje të barazisë në tendera tetorin e vitit të kaluar, ndërsa në nëntor GJKKO vendosi pezullimin e saj nga detyra. Më 16 dhjetor SPAK paraqiti kërkesën për arrestim, ndërsa Kryeministri Rama vendosi shkarkimin e saj më 26 shkurt. Balluku dyshohet për shkelje në 11 tendera që kalojnë vlerën  e 1.1 miliardë euro, ndërsa aktualisht po hetohet me masën e ndalimit të daljes jashtë vendit e cila vijon të jetë në fuqi.

Te tjera

Lajme te tjera