Liga e Kampioneve u kthye mbrëmë në fushën e blertë, në kuadër të fazës së 1/8 të finales, me dy ndeshjet e para të këtij raundi. Kryendeshja e mbrëmjes së djeshme ishte ajo mes Bajernit të Mynihut dhe Paris San Zhermenit, e konsideruar edhe si finale e parakohshme, luajtur në stadiumin “Parc des princes” të Parisit. Gjermanët ishin shumë lart në pjesën e parë. Dominimi ishte i dukshëm në çdo aspekt. Vetëm rezultati nuk ndryshoi, por duke nisur nga goditjet në portë, apo drejtim të saj,, pasimet, aksionet e rrezikshme, sulmet, goditjet nga këndi, pasimet kyce etj, të gjitha ishin në favor të Bajernit të Mynihut. Në skuadrën e PSG-së mungonte në formacionin titular Mbape dhe kjo e frenoi shumë skuadrën franceze, të cilës i mungonte shpejtësia, zhdërvjelltësia dhe efikasiteti në sulm. Mei e Nejmar nuk e nisën si duhet këtë ndeshje dhe francezët vuajtën shumë përballë bavarezëve.
Mjafton një tregues, ai i kontrollit të tipit, me 60% nga gjermanët, për të kuptuar dominimin e Bajernit në këtë fraksion loje. Në pjesën e dytë loja dominuese e gjermanëve do të jepte fryte. Ishte Koman që realizoi për Bajernin në minutën e 53-të, pas asistit të Davies. Kjo solli një tension të lartë në radhët e francezëve, kurse Bajerni vijoi të dominojë volumin e lojës. Parizienët e rritën forcën sulmuese në minutat në vazhdim dhe arritën të shënonin me anë të Mendez në minutën e 83-të, por VAR e anuloi golin si pasojë e pozicionit jashtë loje të Kilian Mbape. Ky i fundit u fut në fushë si zëvendësues në minutën e 57-të, në vend të Soler. Përpjekjet e Paris San Zhermen deri në fërshëllimën e fundit, por gjermanët u mbrojtën mirë. Në minutën e fundit Bajerni mbeti me 10 lojtarë pasi Pavard doli me karton të kuq (mori dy të verdha). Përfundimisht fiton Bajerni 1-0 që bën një hap drejt kualifikimit. Fiton Milani 1-0, por fatet e kualifikimit vendosen në duelin e kthimit. Ndeshja tjetër e mbrëmjes së djeshme ishte ajo mes Milanit dhe Totenhemit. Italianët e gjetën shumë shpejt rrugën e rrjetës, pasi shënuan me anë të Diazit, në minutën e 7-të. Ky gol i dha Milanit epërsi psikologjike për të menaxhuar më mirë lojën, ndërsa anglezët, konfuzë në pjesën e parë, përpiqeshin të gjenin kontrollin në mesfushë e të befasonin me goditje të shpejta nga krahët. Pjesa e parë u mbyll 1-0 për Milanin, edhe pse në treguesit sportivë ishte një ekuilibër i plotë. Në pjesën e dytë italianët luajtën me kujdes, duke lëshuar disi terren në fushë, por duke u përpjekur të ruanin të paprekur rrjetën e tyre. Natyrisht që Milani e bëri mirë rolin mbrojtës, duke i bllokuar mirë hapësirat. Sot do të luhen dy takimet e tjera në Champions, konkretisht, Klub Bruzh-Benfika dhe Borusia Dortmund-Ҫelsi.
