Lirimi i tre policëve të Kosovës, të rrëmbyer nga Serbia, pas 12 ditësh në paraburgim, u duk sikur u kthye me apo pa dashje në një luftë egosh personale, midis liderëve ballkanikë, palëve ndërkombëtare dhe çdo lloj aktori tjetër që pretendonte se kishte disi ndikim. Që nga kryeministri i Shqipërisë e deri tek kryeministri hungarez Viktor Orban, të gjithë u dukën se “rrahën gjoksin” për të marrë meritat, ndonëse në thelb, Kosova edhe një herë tjetër, duket se i detyrohet vetëm Amerikës. Një telefonatë e Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç dhe ultimatum i përsëritur i SHBA-së, duket se vulosën gjithçka. E gjithë situata krijoi të ashtuquajturin efekt “Roshomon”, që nga japonishtja nënkupton mënyrën se si palët e përshkruajnë një ngjarje në një mënyrë të ndryshme dhe kontradiktore, e cila pasqyron interpretimin e tyre subjektiv dhe këndvështrime të ndryshme, për të njëjtën ngjarje.
Lirimi i 3 policëve
Tre zyrtarët policorë të Kosovës, u liruan nga autoritetet e Serbisë, të arrestuar nga forcat serbe qysh më 14 qershor, u liruan paraditen e së hënës. Drejtësia në Serbi i ngarkoi tre policët, Beqir Sefa, Mustafë Shemi dhe Rifat Zeka, me veprën penale: prodhim, posedim, mbajtje dhe trafikim i paligjshëm i armëve dhe lëndëve plasëse, qëdënohet me burg deri në 12 vjet.I menjëhershëm ishte reagimi i kryeministrit hungarez, Viktor Orban. Përmes një postimi në Facebook, ministri i Punëve të Jashtme të Hungarisë, Peter Szijjarto ka thënë se presidenti serb ka informuar kryeministrin Orban për lirimin e policëve, pas kërkesës së Hungarisë dhe se kjo ishte dëshmi e qartë e miqësisë me Serbinë. Ndërsa kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, që vazhdimisht ka ndërhyrë në çështje, ndonëse nuk ia ka kërkuar asnjëherë askush, postoi foto nga vizitat në Bruksel dhe takimi me Presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel, për të treguar se edhe ai kishte ndikuar.
Versioni i Vuçiç
Pak pas, lirimit të tyre, zyra e Presidentit të Serbisë njoftoi se Aleksandër Vuçiç kishte biseduar me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken. Duke lexuar tekstin e Beogradit, të cilin Politika e përktheu në një artikull në faqen e internetit, të krijohej përshtypja se ishte një bisedë e këndshme. Zyra e Vuçiçit, me vetëm 113 fjalë, thoshte se “Blinken kishte insistuar në qetësimin e situatës në veri të Kosovës dhe kishte mbështetur plotësisht planin evropian për deeskalim”. Vuçiç madje vendosi kushte: “Presidenti Vuçiç i tha Sekretarit të Shtetit Blinken se Serbia sillet me seriozitet dhe me përgjegjësi, por se forcat speciale të policisë së Kosovës çdo ditë arrestojnë pjesëtarët e kombit serb në mënyrë krejtësisht arbitrare dhe kanë kërkuar lirimin e të gjithë serbëve të arrestuar”.
Versioni i DASH
Kur shikoni se çfarë ka njoftuar Departamenti Amerikan i Shtetit, pamja ndryshon tërësisht. Së pari, konfirmohet se Blinken foli me Vuçiçin duke “kërkuar” për de-përshkallëzimin në Kosovë. Prandaj, Uashingtoni nuk konsideron se Serbia është e privuar nga përgjegjësia. Blinken, thuhet në deklaratë, “përsërit se ata që janë përgjegjës për sulmet ndaj KFOR-it, forcës paqeruajtëse ndërkombëtare në Kosovë nën udhëheqjen e NATO-s, duhet të mbajnë përgjegjësi”. Sa për arrestimet arbitrare, dhe sulmet ndaj KFOR, që u sulmuan nga serbët lokalë nga veriu i Kosovës, të cilët janë politikisht nën kontrollin e Beogradit, Uashingtoni specifikon se kjo nuk është sjellje “serioze dhe e përgjegjshme” e Serbisë. Sekretari i Shtetit po ashtu ka theksuar mbështetjen e përhershme të SHBA-ve për planin e BE-së, që përfshin deeskalim, zgjedhje të reja në veri të Kosovës, kthim në dialog dhe normalizim të Beogradit dhe Prishtinës. Por siç shkruan gazeta kroate “Jutarnji List”, Antony Blinken ka folur edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. “Departamenti i Shtetit ishte sa më i përmbledhur dhe Kurti mori qortime, ashtu si edhe Vuçiç”, shkruan “Jutarnji List”. Blinken i ka thënë se kryetarët e komunave në veri të Kosovës duhet të punojnë në lokacione alternative, gjë që kryeministri i Kosovës e kundërshton.
As Orban, as Edi Rama, ja e vërteta e lirimit të 3 policëve që u morën peng nga Serbia, ultimatumi i SHBA dhe Blinken për Vuçiçin solli zgjidhjen e çështjes
Share
Te tjera
