E shtunë, 18 Janar, 2025

Antoneta Dhima bën “identikitin” e presidentit të ri dhe “i mbyll derën” Berishës: Nuk negocioj me non gratën dhe shpurën e tij, ftesa e PS për PD për president konsensual e sinqertë, kreu i ri i shtetit duhet të jetë i përgjegjshëm dhe të përfaqësojë unitetin e popullit

Share

Teksa nesër është raundi i katërt i votimit të kandidatit për Presidentin e ri të Republikës së Shqipërisë, deputetja e Partisë Socialiste për Qarkun e Fierit, Antoneta Dhima ka zbuluar “identikitin” e kreut të ri të shtetit që do të pasojë Ilir Metën në krye të Presidencës. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, deputetja Dhima theksoi se presidenti i ri duhet të plotësojë disa kushte, sikundër duhet të jetë i përgjegjshëm, seriozë, dinjitozë, me integritet të lartë, i cili sipas saj, do të përfaqësojë unitetin e popullit dhe nuk do jetë një president që i ngjan zgjedhjes së presidentëve të mëparshëm, ndërkohë që shtoi se pasuesi i Metës gjithashtu duhet të gëzoj respektin e qytetarëve dhe të jetë garant i Kushtetutës.

-Zonja Dhima, Kuvendi i Shqipërisë ka nisur një proces për zgjedhjen e presidentit të ri, i cili me sa duket do të zgjidhet nesër dhe me shumë gjasa do të dalë nga socialistë. Keni një koment dhe pse dështuan negociatat mes opozitës dhe mazhorancës për zgjedhjen e një presidenti konsensual?

Procesi i zgjedhjes së Presidentit të Republikës ka qenë dhe është një proçes shumë i rëndësishëm në veprimtarinë e Kuvendit të Shqipërisë. Partia Socialiste e Shqipërisë ka patur seriozitet si dhe ka ofruar konsensus të plotë për zgjedhjen e presidentit që në nisje të këtij procesi. Opozita parlamentare ka patur mundësinë dhe gjithë të drejtën për të bashkëpunuar me mazhorancën për zgjedhjen e një presidenti apo presidenteje konsensuale dhe nuk e ka shfrytëzuar këtë shans dhe mundësi që i ka dhënë Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë në 3 raundet e para, ku kërkohej një votim  me jomë pak se tri të pestat e votave të të gjithë anëtarëve të kuvendit, ndërsa në raundin e katërt dhe të pestë kërkohet një votim me  më shumë se  gjysma e votave të gjithe anëtarëve të Kuvendit. Pavarësisht se Partia Demokratike ka propozuar disa emra në mbledhjen e  grupit të Saj parlamentarë, në tryezën e diskutimeve ajo nuk ka patur një emër konkret dhe nuk e ka siguruar mbështetjen për asnjë kandidatë me 20 firma deputetësh. Grupi Parlamentarë i Partisë Socialiste ka udhëhequr procesin e zgjedhjes se presidentit dhe ka bërë një proçes shumë serioz duke marrë propozime brenda grupit të saj parlamentarë me anë të një votimi ku secili prej deputetëve kishte mundësinë të propozonte dhe votonte me fletë votimi tre emra, gjithashtu ka zhvilluat takime me shoqërinë civile  duke i dhënë edhe atyre mundësinë e përfshirjes dhe dhënies së  propozimeve. Po kështu i dha mundësinë edhe publikut  të gjerë sinë rastin e Këshillimit Kombëtarë të bëhet pjesë e këtij procesi, pasi populli nuk mund të përjashtohet nga e drejta e propozimit të kryetarit të shtetit i cili përfaqëson unitetin e popullit duke u dhënë atyre mundësinë e propozimeve në adresën zyrtare [email protected].

-Kemi parë që Partia Socialiste e ka përjashtuar Sali Berishën nga çdo nismë dhe aksion që ai ndërmerr. Pse po veproni kështu?

Duke u nisur nga fakti që zoti Sali Berisha është shpallur ”non  grata” nga SHBA, nga aleati ynë strategjik, grupi ynë parlamentar ka marrë vendimin se çdo propozim i cili mban firmën e zotit Sali Berisha nuk mund të merret në konsideratë dhe do të rrëzohet nga ana jonë, për aq kohë sa zoti Sali Berisha të jetë pjesë e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Zoti Berisha nuk mund të jetë palë ose pjesë e asnje procesi demokratik. Është bërë e qartë se edhe një pjesë e grupit të Partisë Demokratike nuk e pranojnë si pjesë të grupit si e dhe nuk e mbështesin atë.

-A ka qenë e sinqertë PS në këtë ofertë apo ishte strategji e saj për të djegur tre raundet e para?

Personalisht mendoj që Partia Socialiste dhe Grupi i Saj Parlamentarë kanë qenë shumë të sinqertë, shumë të hapur dhe shumë korrekt në lidhje me kryerjen e procedurave të zgjedhjes së Presidentit të Republikës. Tre raundet e para janë djegur nga vetë opozita e cila edhe për problemet që ka brenda vetes nuk ka mundur të sigurojë mbështetjen me 20 firma për një kandidatë kur në fakt ka patur mundësi të mbështesë më shumë se një kandidatë duke u nisur nga numri i deputetëve në tre grupet parlamentare të opozitës. Partia Socialiste e Shqipërisë në çdo rast ka respektuar dhe respekton marrëveshjet e këtë opozita e di shumë mirë, pasi nëse do i referohemi marrëveshjes së 17 majit ishte vullneti i kësaj mazhorance dhe i kryeministrit Rama i cili e ka respektuar pikë për pikë atë. Procesi i zgjedhjes së presidentit ka ardhur normalisht e pa asnjë nxitim dhe  kjo procedurë ka nisur me kërkesën e kryetarit të grupit zotit Taulant Balla drejtuar kryetares së kuvendit për fillimin e procedurave për zgjedhjen e presidentit, proçes i cili sipas kushtetutës fillon jo më vonë se 60 ditë para mbarimit të mandatit presidencial paraardhës. Me vullnetin dhe dëshirën që ky proces të eci normalisht është miratuar grupi negociatorë pjesë e të cilit janë kryetari i Grupit Parlamentarë zoti Taulant Balla, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste të Shqipërisë zoti Damian Gjiknuri dhe ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin zonja Elisa Spiropali. Fillimisht nga ana e opozitës me kërkesë të zotit Alibeaj dhe zonjës Doda u kërkua shtyrja e fillimit të proçesit,  po kështu u kërkua që raundet nga njëri -tjetri të jenë jo më pak se 7 ditë, si dheu diskutuan në konferencën e kryetarëve kriteret e paraqitura nga zoti Alibeaj të cilat duhen plotësuar nga kandidatët për presidente. Janë këto disa nga faktet dhe argumentet që tregojnë se angazhimi i grupit tonë Parlamentarë nuk ka qenë një strategji po ka qenë një proçes shumë transparentë dhe i përgjegjshëm.

-Sipas jush, si pritet të zgjidhet presidenti i 11-të…

Me bindjen dhe me opinionin tim presidenti i ri i Republikës së Shqipërisë do jetë i përgjegjshëm, seriozë, dinjitozë, me integritet të lartë i cili do përfaqësojë unitetin e popullit dhe nuk do jetë një president i cili i ngjan zgjedhjes së presidentëve të mëparshëm. Ai do të gëzoj respektin e qytetarëve dhe do jetë garant i Kushtetutës.

-A do jetë kandidati për president nga strukturat e Partisë Socialiste apo ekziston mundësia që të jetë edhe i djathtë?

Është shumë e rëndësishme që presidenti i ri i Republikës të përfaqësojë unitetin e popullit, të jetë mbi palët dhe të jetë i pranuar nga të gjithë. Nuk ka shumë rëndësi bindja e majtë apo e djathtë. E rëndësishme është që Shqipëria të ketë një kryetar shteti, i cili të na përfaqësojë denjësisht si edhe një president që i ka hije Shqipërisë.

-Dakord dhe si gjithmonë jeni shteruese. Por ndërkohë ka zëra se kandidati për presidentin e ri, i cili do paraqitet nga Partia Socialiste mund të votohet edhe nga Partia Demorkatike?

Të gjithë duhet të presim me durim dhe qetësi orën 18.00 të ditës së shtunë kur do të zhvillohet raundi i katërt për zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Partia Socialiste e Shqipërisë dhe Grupi Parlamentarë do i qëndrojnë deri në fund deklaratave të dhëna përgjatë këtij procesi, që kandidati për President i Republikës së Shqipërisë të plotësojë kriteret e përcaktuara në Kushtetutë dhe nuk do të jetë pjesë e grupit tonë parlamentarë. Ne jemi në mandatin e tretë të qeverisjes dhe duhet të jemi seriozë në sytë e të gjithëve, si për ato që kemi thënë ashtu edhe për ato që bëjmë pasi në këto vite qeverisje kemi treguar me fakte dhe me vepra  se “Bëjmë atë që themi, dhe themi atë që bëjmë”. Ne jemi forcë politike serioze prandaj dhe kemi marrë besimin e qytetarëve dhe nuk duhet ta shpërdorojmë besimin e tyre.

Intervistoi: Rigels Seliman

Te tjera

Lajme te tjera