Dhoma Amerikane e Tregtisë ka ngritur dje ngre alarmin për “Amnistinë Fiskale”, teksa ka zbuluar se nisma krijon hapësira për pastrim parash. Ka qenë kreu i Dhomës, Enio Jaço, i cili duke folur dje në një konferencë në fokus të së cilës ishte situata ekonomike dhe biznesi, ka treguar cilat janë problemet kryesore që sjell miratimi i nismës për amnistinë fiskale. Sipas tij, ky draft nëse miratohet dhe pa mbështetjen e institucioneve të rëndësishme ndërkombëtare, krijon hapësira për pastrim parash, evazion fiskal dhe konkurrencë të pandershme. ““Në lidhje me amnistinë fiskale ne e dimë që ka pasur një draft së fundmi që është futur në konsultim publik, ky draft ne duam më tepër kohë për ta analizuar plotësisht por opinioni tani është që drafti ekzistues ka ndryshim nga të mëparshmet por nuk janë ndryshimet esenciale. Problemi që kemi pasur ne me ligjin e amnistisë ka qenë në parimin kryesor hapësirën e mundësinë që krijon për pastrim parash dhe evazion fiskal. Ky është problemi kryesore që ne kemi. Por nuk e kemi vetëm ne e kanë shumë partnerë ndërkombëtarë. Nëse ky ligj ka marrë aprovimin apo mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, struktura si FMN, BE, Moneyval atëherë ne do ishim mbështetës se ato janë struktura kryesore që shikojnë detajet me rëndësi. Nëse e kundërta është e vërtetë problemet e shqetësimet tona vijojnë të jetë si më parë e janë shumë serioze për këtë ligj”, deklaroi ai.
Të miratohet ligji anti-ryshfet, ka shkelje të rënda me prokurimet publike
Më tej kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Enio Jaço theksoi ndër të tjera se në 2021, ka pasur një rritje të investimeve amerikane me 62 milionë euro. Ai bëri të ditur se investimet amerikane në rajon i kryeson Serbia dhe Maqedonia e Veriut. Duke u ndalur tek efektet e krizës si pasojë e luftës në Ukrainë, Jaço shtoi se në 4 vitet e fundit, ka rënie besimi të bizneseve në terrenin ekonomik. “Në 4 vitet e fundit, rënie besimi e bizneseve në terrenin ekonomik. Shqipëria ka në dorë përmirësimin e klimës”, tha ai. Po ashtu, Jaço u shpreh se i kanë dorëzuar qeverisë Axhendën e Investimeve me 40 ndërhyrje ligjore. “Zbërthimi teknik, pjesa më e mprehtë e procesit. Të krijohet një strukturë e përmirësuar për Tërheqjen e Investimeve”, u shpreh ai. Jaço tha se parlamenti duhet të miratojë një ligj anti-ryshfet, ku të përfshihen zyrtarët e lartë dhe të mesëm. Ai tha se ka shkelje të rënda në prokurimet publike. “Propozojmë miratimin në Parlament të një paketë anti korrupsion, kjo paketë ka për qëllim parandalimin e korrupsionit në organet ligjvënëse që kanë karakter prapaveprues. Në kushtet e Shqipërisë duhet të jemi sa më konservatorë kemi pasur shkelje të dukshme, raste korruptive, të jemi sa më konservatorë e jo liberalë për standartet e prokurimeve”, theksoi Jaço.
Ja 8 rekomandimet e Dhomës Amerikane për përmirësimin e klimës së biznesit
Ndërkohë zoti Enio Jaço ka dhënë 8 rekomandimet e Dhomës Amerikane për përmirësimin e klimës së biznesit duke nisur nga miratimi i paketës antikorrupsion deri te procedurat e prokurimit publik dhe përpjekjet për të shmangur pastrimin e parave.
Deri tani adresimi i problemeve dhe rekomandimeve të dhëna ka qenë i ngadaltë. Nëse do realizoheshin 75% e rekomandimeve, do jepte mundësinë e një klime biznesi të favorshme, por kemi vetëm 33% të rekomandimeve të plotësuara. Ne kemi dhënë 40 rekomandime të rëndësishme.
- Së pari strukturë për të tërhequr investime të huaja, kush tërheq investime të huaja ka benefite të mëdha në ekonomi. Investimet sjellin të ardhura, punësim, investim në teknologji. Duhet të strategji transparente në investime se kush janë prioritet. Ne mendojmë se duhet të ketë procedura të shkurtuara lidhur me investimet, lidhur me lejet e ndërtimit. Shembulli më i mirë është Maqedonia e Veriut dhe Serbia që janë të përqendruar në procedura të thjeshta dhe të shkurtra. E kundërta ndodh në Shqipëri. Duhet të ketë iniciativa të qarta për investimet. Të ketë ulje të përqendrimit të tregut dhe rënie të monopolit në disa sektor.
- Së dyti kërkojmë miratimin e një pakete anti korrupsion në Kuvend. Kjo ka qëllim parandalimin e korrupsionit edhe është komplementare nga organet ligjvënëse. Ne propozojmë miratimin e legjislacionit anti ryshfet. I lidhur ngushtë me antikorrupsionin është reformimi. Me eliminimin në maksimum të rasteve përjashtimore, ne mendojmë që në kushtet e Shqipërisë duhet të jemi sa më konservatorë se kemi pasur raste të dukshme të shkeljeve. Kërkojmë një sistem të riformatuar të prokurimet publike. Duhet të ketë sa më pak raste përjashtimore që anashkalojnë procedurat standarde të prokurimit publik.
- Duhet aktivizim i shoqërisë civile. Ne kemi ndoshta një nga ligjet më të mira të të konsultimit publik por problemi është që nuk zbatohet në mënyrën e duhur. Ne rekomandojmë numër instrumentesh që ka për qëllim zbatimin e duhur të ligjit. Sa më mirë të funksionojë, aq më shumë rritet besimi i publikut.
- Së pesti sistemi tatimor duhet të përputhet me standardet ndërkombëtare. Sistemi tatimor është i rëndësishëm për bizneset. Parimet tona janë standardet e kontabilitetit. Duhet të jetë i parashikueshëm që do të thotë se bizneset kanë nevojë të bëjnë planifikimin e tyre. Nëse ligjet ndryshojnë çdo vit, e vështirë të bëjnë parashikim. Vendet më të mira ndryshojnë ligjin jo më shpesh se një herë në 4 vjet.
- Drafti për tatimin mbi të ardhurat nuk përmbush standardet e kontabilitetit ndërkombëtar. Nuk është në përputhje me formalizimin e ekonomisë. Disa pika janë në kundërshtim me fiskalizimin, dhe disa pika nuk janë në përputhje me konkurrueshmërisë. Është një draft shumë kompleks.
- E gjashta, e 7 dhe e 8 janë stimuluese për ekonominë. Së 6 kanë të bëjnë me krijimin e hapësirave për eksportet shqiptare. Ka akoma më shumë mundësi për ti zgjeruar më tej eksportet dhe diaspora mund të luaj nje rol tepër të rëndësishëm.
- Së 7 duhet më shumë vëmendje tek ekonominë digjitale për ta stimuluar më tej atë. E para është nënshkrimi elektronik që duhet te përdoret në masë. Duhet të punohet me shumë për të luftuar pastrimin e parave. Shqipëria prej vitesh në listën gri të Moneyval.
- Së 8 duhet të rritet aftësia profesionale për fuqinë punëtore. Është një problem global por që duhet të zgjidhet. Duhet bashkëpunim i sektorit publik e privat për të ndaluar largimet nga vendi.
/Rigels Seliman/
8 rekomandimet e Dhomës Amerikane për Qeverinë
- Strukturë për tërheqjen e investimeve të huaja;
- Miratimi i paketës antikorrupsion
- Sistemi i riformatuar për prokurimet publike
- Aktivizimi i shoqërisë civile
- Sistemi tatimor të përputhet me standardet ndërkombëtare
- Të rishikohet drafti për tatimin mbi të ardhurat
- Krijimi i hapësirave për eksportet shqiptare
- Stimulimi i ekonomisë digjitale