E mërkurë, 23 Shtator, 2026

Alis kurorëzohet fitues i Fest 64, do të përfaqësojë Shqipërinë në Vjenë

Share

Festivali i 64-t i Këngës në RTSH, uli dje siparin e tij, duke shpallur si fitues të këtij edicioni, Alis me këngën “Nan”.

Në vend të dytë dhe të tretë u renditen respektivisht: Inis Neziri dhe Sheila.

Alis, me këtë fitore, bëhet automatikisht përfaqësues i Shqipërisë në edicionin e ardhshëm të Eurosong-ut, që do të mbahet në Vjenë të Austrisë. “Nan” mori 152 pikë, 68 prej të cilave nga juria, dhe të tjerat nga votimi i publikut përmes sms-ve.

Në natën e katërt e njëkohësisht të fundit të festivalit konkurruan 23 këngëtarë. Por përveç tyre, performuan edhe të ftuarit specialë. Një prej tyre, ishte këngëtarja e dashur për publikun shqiptar, Bleona Qerreti, e cila u ngjit në skenë me hitin e saj të paharruar “Lërmëni”. Organizatorët kishin përgatitur disa surpriza për publikun në sallë dhe atë pas ekranit të televizorit. Një moment emocionues i këtij festivali ishte dueti mes dy të mëdhenjve të muzikës pop shqiptare, Elsa Lila dhe Aleksandër Gjoka. Pas performancës muzikore ata falenderuan publikun për mbështjeten e vazhdueshme. “Është falë jush që ne artistët ekzitojmë”, tha Elsa Lila, pas interpretimit të këngës “Vibracione”.

Të ftuarit e tjerë ishin këngëtarët e grupit “Shkodra elektronike” të cilët prezantuan krijimin e ri, “Fosforon”.

Ndërkohë një tjetër pikë kulminante e Festivalit të 64-t të Këngës në RTSH, ishte prania e të ftuarit special Tommy Cash, këngëtari estonez, me këngën hit-botëror, “Espresso macchiato”, i cili elektrizoi skenën e Pallatit të Kongreseve. Tommy Cash në përfundim të këngëve që interpretoi i premtoi publikut se do të kthehet për të ndenjur më gjatë dhe për të dhënë një koncert të vërtetë.

Te tjera

Lajme te tjera