Rreziku rus ka bërë që Bashkimi Evropian “të lëvizë duart” për Ballkanin Perëndimor dhe zgjidhja e konfliktit mes Serbisë dhe Kosovës është në plan të parë. Përfaqësuesi Special i BE, Miroslav Lajçak, ka konfirmuar ditën e djeshme se takimi i radhës mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, me ndërmjetësimin e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, do të mbahet në Ohër. Lajçak, pas takimit me nënkryetarin e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut për Çështje Evropiane, Bojan Mariçik, falënderoi Maqedoninë e Veriut për mbështetjen që po i jep procesit të dialogut Kosovë-Serbi. “I jam mirënjohës Maqedonisë së Veriut për mbështetjen e saj të fuqishme për dialogun dhe pres me padurim takimin e ardhshëm të dialogut në Ohër në fund të këtij muaji”, tha ai. Është bërë e ditur se ky takim do të mbahet më 18 mars, kur Borrell pritet të vizitojë Maqedoninë e Veriut.
Detaje nga takimi
Nga ana tjetër zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka njoftuar për vizitën e Miroslav Lajçakut për javën e ardhshme dhe ka bërë të ditur se i dërguari i BE-së i ka përcjellë 15 modele për mbrojtjen e të drejtave të pakicave. “Duhet të shohim se cili model na përshtatet, nuk do të kopjojmë, ka modele që logjikisht nuk mund të aplikohen në Kosovë. Takimi i radhës mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit serb do të jetë më 18 mars, ku do të diskutohet për aneksin e përbashkët, ky është plani”, ka konfirmuar Bislimi. Bislimi shton se duhet të presim deri më 18 mars për të përfunduar aneksin dhe se do të shohim se cili është propozimi i palës kosovare për planin franko-gjerman.
Të pranishëm të gjithë liderët e 27 vendeve
Sipas Bislimit, në momentin që palët bien dakord për aneksin, atëherë BE-ja merr përsipër procedurat e nënshkrimit apo finalizimit. Do të ketë një ceremoni, ka shumë mundësi që në ceremoni të marrin pjesë të gjithë kryeministrat e 27 vendeve të BE-së, për të rritur angazhimin politik të Bashkimit Evropian që qëndron pas këtij dokumenti. Kjo është një ide apo një plan, për këtë duhet të pajtohet zoti Borelj, tha Bisljimi. Nuk ka normalizim të plotë pa njohje reciproke, për ne zgjidhja optimale do të ishte që normalizimi të ndodhte sa më shpejt që si qytetarët e Kosovës, ashtu edhe qytetarët e rajonit, si dhe vetë BE-ja të jenë përfituesit përfundimtarë. për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, tha Bislimi. Fatkeqësisht, shtoi ai, ka vetëm një palë që mendon se mund të përfitojë nga mbajtja e tensioneve, në vend të normalizimit, dhe ajo është Serbia. Bislimi beson se prona e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë nuk është e kërcënuar dhe pretendon se “trashëgimia e përbashkët” është mbrojtur edhe nga shqiptarët, raporton Kossev. Ne kemi një trashëgimi shumë të pasur në Kosovë, besojmë se nuk është e kërcënuar as trashëgimia e Kishës Ortodokse Serbe, në fakt historikisht janë mbrojtur nga shqiptarët, është një trashëgimi e përbashkët. Mund të flasim në bazë të Kornizës së Këshillit të Evropës, tha Bisljimi. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke qëndruar në Shkup më 1 mars, vlerësoi se zgjedhja e Maqedonisë së Veriut si vend për takimin e radhës në kuadër të dialogut Beograd-Prishtinë në nivel të lartë politik është simbolike. Kujtojmë se Kosova dhe Serbia kanë rënë dakord të mbështesin një plan të propozuar të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve, por, në shenjë të mosmarrëveshjeve të vazhdueshme rreth zbatimit të tij, nuk e nënshkruan atë. Presidenti Vuçiç ka thënë se ai nuk ka dashur ta nënshkruajë pasi aty është pika, e cila kërkon edhe që Serbia të mos kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare, e kjo nënkupton edhe Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Kryeministri Kurti, të hënën mbrëma, pas takimit, kishte thënë në Bruksel se ai ishte i gatshëm të nënshkruante këtë marrëveshje menjëherë, por presidenti i Serbisë nuk ishte i gatshëm.
Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç do takohen më 18 mars në Maqedoninë e Veriut, marrëveshja evropiane mund të nënshkruhet në Ohër në prani të 27 liderëve të BE
Share
Te tjera
