Nga Rigels Seliman
Teksa rutina vazhdon dhe jeta në Shqipërinë e varfër, të zhvatur, të grabitur, të lodhur nga korrupsioni e krimi ecën zvarrë, krejt papritur në mexhelis plasën dy skandale që duket sikur kanë ardhur nga dy botë të ndryshme, por në të vërtetë tregojnë të njëjtën gjë: sa shumë janë çarë kufijtë e kësaj shoqërie.
Në të parin personazhet kryesore janë Gysi dhe Vlora, ndërsa në të dytin del në skenë AD kompozitori, që rrjeti po e quan “hamshori”. Njëri skandal prek shtetin dhe sekretet e tij, tjetri prek intimitetin dhe moralin e shoqërisë. Por të dy bashkohen në një pikë: në Shqipëri duket se gjithçka ka dalë në pazar, nga sekreti shtetëror deri te jeta e dhomës së gjumit.
Në qendër të skandalit të parë janë Ergys Agasi dhe ish-drejtoresha e SHISH, Vlora Hyseni. Sipas materialeve të publikuara duke iu referuar dosjes së SPAK, në makinën e Agasit janë sekuestruar nëntë faqe me të dhëna të ngjashme me ato të prodhuara nga SHISH, ndërsa Hyseni ka pranuar komunikimin e vazhdueshëm me të. SPAK e dyshon Hysenin për zbulim të të dhënave sekrete dhe përkrahje të autorit të krimit, ndërsa ndaj saj është caktuar masa “arrest në shtëpi” dhe pezullimi nga detyra. Pastaj vijnë mesazhet, telefonatat, videot, komunikimet në Signal dhe ajo gjuhë që, përtej çdo interpretimi juridik, të lë me një pyetje të thjeshtë: çfarë po bënte kreu i inteligjencës së shtetit duke komunikuar në atë mënyrë me një person nën hetim? Në dosjen e bërë publike në media përmenden dhjetëra thirrje dhe komunikime intensive mes të dyve, ndërsa disa prej mesazheve kanë një gjuhë dukshëm personale dhe intime. Kaq mjaftoi që mexhelisi shqiptar të shpallte verdiktin e vet: Gysi dhe Vlora qenkan bërë histori dashurie.
Por këtu duhet ndalur një çast, sepse një shoqëri serioze nuk mund ta zëvendësojë provën me thashethemin dhe as hetimin me titullin rozë. Nëse kanë qenë apo jo dashnorë, kjo është një çështje që nuk mund të shpallet fakt pa prova. Ajo që është shumë më e rëndë se çdo romancë është pyetja nëse një zyrtare që drejton institucionin më të ndjeshëm të sigurisë ka nxjerrë apo jo informacion të klasifikuar jashtë kanaleve shtetërore. Sepse një dashuri e supozuar mund të jetë histori private, ndërsa një sekret shtetëror i nxjerrë nga kasaforta e shtetit është histori e Republikës. Nëse është e vërtetë se informacioni i SHISH ka përfunduar te një person që ishte në shënjestrën e drejtësisë, atëherë nuk kemi më një thashethem rozë, por një alarm të kuq për funksionimin e shtetit. Dhe kur bëhet fjalë për një vend anëtar të NATO-s, pyetja bëhet edhe më e rëndë: kush i ruan informacionet që aleatët dhe shteti shqiptar i konsiderojnë të mbrojtura? Çfarë vlere ka një radar nëse dikush mund ta fikë për këdo që i kërkon? Çfarë vlere ka një shërbim inteligjence nëse sekretet e tij mund të bëhen monedhë në marrëdhënie personale? Dhe çfarë sigurie mund t’u kërkojmë qytetarëve kur ata shohin se vetë majat e institucioneve dyshohen për shkeljen e kufijve që duhet të mbrojnë?
Në çdo vend normal, rrjedhja e informacionit nga kreu i shërbimit sekret drejt personave nën hetim do të çonte në dorëheqje të menjëhershme të gjithë zinxhirit komandues dhe në mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Por te ne, skandali i sigurisë kombëtare trajtohet si një telenovelë turke ku publiku pret episodin e radhës për të parë se cili zyrtar po bën ‘chat’ me kë. Kjo është shuradhja përfundimtare e shtetit: kur krimi shtetëror zhvishet nga rrezikshmëria dhe kthehet në humor me meze e raki.
Pastaj, sikur Shqipërisë t’i mungonte vetëm një dozë tjetër absurdi, në skenë del AD hamshori. Ndërsa vendi po diskuton nëse sekretet e shtetit kanë rrjedhur nga zyra e inteligjencës, në rrjet shpërthyen video intime, ku pretendohet se shfaqen një kompozitori i njohur me pseudonimin “AD” dhe persona të njohur të botës së artit.
Policia ka nisur hetimet për publikimin dhe shpërndarjen e materialeve dhe ka marrë në pyetje kompozitorin, i cili është perosanzhi kryesor në videot e bëra publike.
Dhe këtu Shqipëria bëhet sërish Shqipëri: një ditë flasim për sekretet e shtetit, ditën tjetër për sekretet e shtratit. Por problemi nuk është se një burrë apo një grua ka një jetë intime. Problemi është se në këtë vend edhe intimiteti është kthyer në mall konsumi, ndërsa privatësia është bërë një luks që mund të vidhet, kopjohet dhe shpërndahet me një klikim. Nëse videot janë marrë pa dijeninë e personave të përfshirë, kemi përballë një shkelje serioze të privatësisë; nëse janë shpërndarë për poshtërim apo përfitim, atëherë kemi një tjetër simptomë të shoqërisë së sëmurë nga etja për spektakël. Policia po heton pikërisht burimin dhe mënyrën e shpërndarjes së materialeve. Ndërkohë, publiku shqiptar, si gjithmonë, nuk pret hetimin: e ka dhënë verdiktin, ka zgjedhur protagonistët, ka bërë humorin dhe ka shpërndarë materialet.
Ajo që e bën situatën edhe më groteske është bashkëekzistenca e këtyre dy krizave në të njëjtin ekran: në njërën anë kërkohet profesionalizëm nga drejtësia për të zbardhur sekretet e shtetit, e në anën tjetër shfaqet një voyagerizëm kolektiv që gërmon në dhomat e gjumit të njerëzve të artit. Ne jemi bërë një shoqëri ku prej sekreteleve shtetërore nuk tmerrohet më askush, por videot e dhomave të gjumit shpërndahen me shpejtësinë e dritës.
Dhe kështu, brenda pak ditësh, Shqipëria u gjet mes dy lloj “sekretesh”: sekretit shtetëror dhe sekretit intim. Njëra palë pyet nëse informacioni që duhet të ruajë shteti përfundoi në duart e gabuara, ndërsa pala tjetër pyet kush me kë ishte në shtrat.
Në njërën anë kemi një institucion që duhet të ruajë Republikën, në tjetrën një shoqëri që duhet të ruajë dinjitetin e njeriut. Në të dyja rastet kufiri është shkelur ose pretendohet se është shkelur. Dhe ndoshta kjo është drama e vërtetë shqiptare: nuk na shqetëson më aq shumë fakti që kufijtë po shkelen, sa na intereson të dimë kush është brenda videos. Ne po jetojmë në një vend ku skandali ka zëvendësuar lajmin, thashethemi ka zëvendësuar provën dhe spektakli ka zëvendësuar përgjegjësinë.
Shteti duhet të përgjigjet për sekretet e tij, ndërsa shoqëria duhet të përgjigjet për mënyrën se si sillet me intimitetin e tjetrit. Sepse një shtet që nuk ruan sekretet e veta është i dobët, por një shoqëri që nuk ruan dinjitetin e njerëzve të saj është po aq e varfër moralisht. Dhe Shqipëria, ndërsa qytetari i zakonshëm lufton për bukën, paguan taksat, përballet me korrupsionin dhe ikjen e fëmijëve, sheh nga ekrani këtë paradë surrealiste ku njëra ditë diskutohet nëse janë fikur radarët për Gysin dhe ditën tjetër nëse AD-i ka filmuar këtë apo atë këngëtare. Kjo nuk është thjesht kronikë rozë dhe as vetëm skandal politik. Është fotografia e një vendi ku shteti duhet të rikthejë autoritetin mbi sekretin, ligji mbi informacionin dhe shoqëria mbi turpin.
Sepse kur shteti humb sekretin dhe shoqëria humb turpin, ajo që mbetet në mes nuk është më Republika, por vetëm mexhelisi që pret skandalin e radhës.
Sqarim: Në zbatim të parimeve kushtetuese dhe ligjore, çdo person i përmendur në këtë shkrim prezumohet i pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.
