OHËR- Në përfundim të punimeve të samitit të mbajtur në Ohër, pesë liderët e Ballkanit Perëndimor kanë dalë në një konferencë të përbashkët për shtyp me një mesazh të qartë, që kjo nismë është në interes të rajonit, dhe do të nxirë bashkëpunimin mes vendeve, por edhe lehtësimin e lëvizjes në pikat kufitare. Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç tha se konsideroi Open Balkan si fytyrën e re të Ballkanit Perëndimor.
Një thirrje nuk mungoi sërish për Kosovën që të bëhet pjesë e ‘Open Balkan’, i vetmi vend i rajonit që nuk i është përgjigjur pozitivisht kësaj nisme. Kryeministri Edi Rama i dërgoi sërish një mesazh kreut të qeverisë së Kosovës, Albin Kurtit, ku i tha se kush hezitonin që t’i bashkohet nismës, po humb kohën e vyer për të përfituar nga ajo.
Nga Ohri, Rama dhe Vuçiç iu kthyen përgjigje skeptikëve të cilët mendojnë se kjo nismë është iniciuar nga Rusia, ku theksuan se ideja e ‘Open Balkan’ lindi nga tre vendet, Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut dhe u përket qytetarëve të Ballkanit. Kjo përgjigje erdhi pas deklaratave të Ministrit të Jashtëm rus Sergei Lavrov se mbështet nismën Ballkanin e Hapur.
Ndalur në bashkëpunimin mes vendeve, Rama tha se grupi i posaçëm i punës, që u ngrit për përballimin e krizës, do të nisë menjëherë punën.
Punimet e nismës “Open Balkan” në Ohër, kulmuan me nënshkrimin e 4 marrëveshjeve të rëndësishme mes Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut. Marrëveshja e parë konsiston në njohjen reciproke të diplomave dhe gradave shkencore të lëshuara në institucionet e arsimit të lartë dhe institucionet e tjera të autorizuara. Marrëveshja e dytë ka të bëjë me një memorandum mirëkuptimi për bashkëpunimin në fushën e turizmit, ndërsa dy marrëveshjet e tjera lidhen me bashkëpunimin kulturor dhe atë administrative tatimore në Ballkanin Perëndimor.