E premte, 14 Gusht, 2026

Holanda dhe Luksemburgu i dalin kundër BE për sanksionet ndaj Kosovës, Borrell urdhëron Lajçak t’i “ulet në gjunjë” Albin Kurtit për dialog, Brukseli “zbarkon” sot në Beograd

Share

Nga Rigels Seliman

Në Bashkimin Evropian ka plasur “sherri” në lidhje me vendimet e njëanshme të Evropës për situatën e nxehtë mes Serbisë dhe Kosovës.  Ditën e djeshme kryeministri holandez, Mark Rutte, dhe ai i Luksemburgut, Xavier Bettel, dolën kundër BE për sanksionet që janë vendosur për Prisntinën. Në takimin që zhvilluan ditën e djeshme në Prishtinë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministrin Albin Kurti ata shprehën qartë se të dyja palët të ulen në bisedime për shtensionimin e situatës. Nga ana tjetër Brukseli duke parë sulmet brenda BE për masat që ka marrë ndaj Prishtinës kanë urdhëruar të dërguarin special të Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak të shkojë në Kosovë të takojë Albin Kurtin dhe t’i “ulet në gjunjë” për dialog. Pas një takimi dyorësh me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti në Prishtinë, ai tha se situata aktuale nuk është e lehtë. Lajçak tha: “Ai ka paraqitur pikëpamjet e tij, unë kam paraqitur idetë dhe propozimet e mia, takimi ka qenë i gjatë, por shumë i rëndësishëm”. “Nuk është një detyrë e lehtë dhe as një situatë e lehtë. Kam pasur takime të rëndësishme me presidentin Osmani dhe kryeministrin Kurti. Më duhet të zgjedh fjalët e mia, ka një kuptim të nevojës për të ecur përpara në tre pikat e parashtruara nga BE- zgjerimi, zgjedhjet e reja dhe kthimi në normalizim. Na mbetet të vazhdojmë diskutimet për hapat konkretë që do të ndërmerren”, tha Lajçak. I pyetur për sanksionet ndaj Kosovës, Lajçak tha se nuk është në kompetencën e tij të komentojë ato masa, duke shtuar se është e qartë se Bashkimi Evropian nuk është i kënaqur që është në një situatë që po i miraton ato. Ai shtoi se sanksionet janë të gatshme edhe ndaj Serbisë, nëse konstatohet se Beogradi nuk po vepron në përputhje me kërkesat e BE-së. “BE e ka bërë të qartë se ka sanksione të gatshme edhe për Serbinë, të cilat do të zbatohen nëse kuptohet se Beogradi nuk po vepron sipas kërkesave të Unionit. Është vendim i vendeve anëtare. Dëshira ime është që të mos ketë sanksione as për Kosovën, as për Serbinë, por që të dyja palët të vijnë në Bruksel dhe të negociojnë se si të zbatohen marrëveshjet”, tha Lajçak.

Zyrtari i BE sot në Beograd

Emisari i Brukselit për dialogun Kosovë-Serbi do të shkojë  sot për vizitë në Serbi. Siç bëhet e ditur në një njoftim të presidencës serbe, takimi mes tij dhe kreut të shtetit serb, Aleksandër Vuçiç do të ndodhë të sot në orën 11:00. Këto vizita, Lajçaku i zhvillon me kërkesë të kryediplomatit evropian, Josep Borrell. Kështu ka konfirmuar të hënën zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano. “Është një pjesë integrale e punës së një Përfaqësuesi të Lartë të BE-së të udhëtojë për të parë partnerët në terren. Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Miroslav Lajçak është rregullisht në Beograd, Prishtinë, kryeqytetet e BE-së dhe vende të tjera, përfshirë jashtë BE-së, për të kryer punën e tij të përditshme për të çuar përpara dialogun”, ka bërë të ditur Stano. Gjithashtu dje krerët e institucioneve evropiane kanë ripërsëritur domosdoshmërinë për qetësimin e situatës në veri të Kosovës dhe vazhdimin e procesit të normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën, pas takimit me kryeministren e Serbisë, Ana Bërnabiç. Bërnabiç vizitoi Brukselin, ku u takua me presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, dhe presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Michel, përmes një postimi në Tëitter ka theksuar se i ka përcjellë kryeministres serbe mesazhin nga samiti i javës së kaluar për domosdoshmërinë e shtensionimit urgjent të situatës në veri të Kosovës dhe vazhdimin e dialogut me ndërmjetësimin e BE-së. Edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka theksuar domosdoshmërinë e vazhdimit të dialogut me Kosovën. Ana Bërnabiç u takua edhe me Komisionerin Evropian për Zgjerim, Oliver Varhelyi. Krahas marrëdhënieve me Kosovën, në të gjitha takimet u theksua mbështetja për rrugën evropiane të Serbisë, por gjithashtu u nënvizua domosdoshmëria e ndërmarrjes së reformave që janë kyçe për procesin e anëtarësimit të Serbisë. Sa i përket situatës në veri të Kosovës, kryeministrja e Serbisë tha se “topi është në fushën e Prishtinës”.

Te tjera

Lajme te tjera