Në Bosnjë-Hercegovinë duket se është e pamundur të ketë qetësi. Edhe nëse ka, siç kanë treguar rastet e fundit, zgjat shumë pak. Së fundmi, një tjetër çështje ka ndezur debate, polemika madje edhe përplasje në vend. Shkak është bërë një vendim, i cili siguronte mundësinë e punës së papenguar me një numër më të vogël gjyqtarësh. Mirëpo, ky vendim nuk është pritur aspak mire nga lideri serb i Bosnjës, Milorad Dodik, një besnik i Vladimir Putinit. Të martën ai i vendosi një ultimatum Gjykatës Kushtetuese të Bosnje-Hercegovinës, duke i kërkuar që të tërheqë vendimin sa më shpejt, ndryshe sipas tij do të. Dodik ka thënë se për autoritetet e Republika Srpska është një veprim anti-serb dhe për këtë ata kanë kërcënuar me hakmarrje. Metoda pa dyshim shumë familjare, kur bëhet fjalë për Dodik.
Vendimi i Gjykatës
Në maj, Parlamenti i RS-së i kërkoi të vetmit gjyqtar serb të mbetur në Gjykatën Kushtetuese të BiH, Zlatko Knezheviç, të jepte dorëheqjen dhe më pas ai njoftoi se do të kërkonte pension të parakohshëm. Vendi i gjyqtarit të dytë nga RS ka qenë vakant që më herët dhe as pozita e një gjyqtari kroat nuk është plotësuar.Me vlerësimin se bëhet fjalë për presion të rrezikshëm politik që çoi në krizën më të madhe në 28 vitet e fundit të punës së Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë-Hercegovinës, gjyqtarët e saj të hënën ndryshuan vendimin për mënyrën e thirrjes së seancave dhe vendimmarrjes, e cila thjeshton procedurat e përcaktuara tashmë. Praktikisht, kjo do të thotë se gjykata do të jetë ende në gjendje të vendosë me pjesëmarrjen e shumicës, pra pesë nga nëntë gjyqtarë, por nuk do të ketë nevojë për shtyrjen e seancave nëse një nga gjyqtarët nuk paraqitet.Gjykata Kushtetuese e Bosnjë-Herecegovinës përbëhet nga katër gjyqtarë të emëruar nga Parlamenti i Federatës së BiH, dy nga Parlamenti i RS, ndërsa tre gjyqtarë të huaj emërohen nga Kryetari i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Plani tinëzar
Gjykata mund të vendosë nëse të paktën pesë gjyqtarë votojnë për të, por RS planifikoi ta delegjitimonte atë duke mos pasur më gjyqtarë serbë në përbërjen e saj. Përgjigja e Gjykatës Kushtetuese ndaj atij plani në Republikën Srpska u shënua menjëherë si një lloj grushti shteti, kështu që pas më pak se 24 orësh Dodik thirri liderët e partive të shumicës në pushtet në Republikë Srpska dhe mori pëlqimin e tyre për të vendsur një ultimatum ndaj Gjykatës Kushtetuese, pra të kërkojë që brenda tre ditësh të tërheqë një vendim që nuk u pëlqen politikanëve në RS. Dodik u tha gazetarëve në Banja Luka se sjellja e Gjykatës Kushtetuese është antikushtetuese dhe pjesë e një “plani tinëzar për të përmbysur RS” pas të cilit, pretendon ai, qëndrojnë SHBA dhe Britania e Madhe, por jo Komisioni Evropian, për të cilin ai tha se “po i reziston presioneve të Uashingtonit dhe Londrës”. “Gjykata Kushtetuese sillet në mënyrë arrogante dhe antiserbe dhe dëshiron të përjashtojë RS nga procesi i vendimmarrjes kushtetuese,” tha Dodik. Ai shtoi se tani në RS kanë “menduar” dhe janë të vendosur të zbatojnë një sërë masash nëse nuk respektohet ultimatumi i tyre.
Kërcënimet e Dodik
Dodik kërcënoi se në atë rast, javën e ardhshme, parlamenti i RS do të miratojë një ligj për mosnjohjen e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të BiH dhe për mbrojtjen e personave që mund të ndiqen penalisht për shkak të moszbatimit të atyre vendimeve. Kjo do të pasohej nga miratimi i një kushtetute të re të RS brenda 90 ditëve, si dhe një ftesë për serbët e punësuar në autoritetet e BiH për t’i lënë ato punë. “Tani shtetësia e RS do të afirmohet qartë dhe ne do të mbrojmë të drejtat tona me mjete politike”, tha Dodik, duke shtuar se në këtë fazë kjo nuk do të thotë shkëputje e RS nga BiH “përveçse nëse është e nevojshme”. Bosnja ka qenë në një krizë të stërzgjatur politike lidhur me lëvizjet ndarëse nga Republika Srpska. Kujtojmë se Dodik ka përmendur shpesh mundësinë e shkëputjes nga Bosnjë Hercegovina. Në muajin prill ai u shpreh se si pasojë e presionit ndërkombëtar, së fundmi po e mendon seriozisht mundësinë e shpalljes së pavarësisë dhe shkëputjes nga Bosnja. Megjithatë, situata duket se ka ndryshuar tani dhe e ardhmja duket më e paqartë se kurrë.
