E diel, 16 Gusht, 2026

Përmbysje spektakolare në sekondat e fundit, Barcelona fiton El Clasico me Realin e Madridit dhe i afrohet titullit

Share

El Clasico-n e fiton Barcelona, e cila mundi rivalin e saj të përjetshëm, Realin e Madridit, me rezultatin 2-1 dhe me 12 pikë difeencë në renditje po marshon e qetë drejt titullit. Në fakt, Barcelona e nisi shumë keq duelin e mbrëmshëm në “Kamp Nou”, pasi Araujo shënoi autogol në minutën e 9-të. Kjo e vuri nën presion të brendshëm ekipin katalanas, që u përpoq të imponohej me një sforco të pazakontë. Barcelona arriti të barazojë shifrat në minutën e fundit të pjesës së parë, me anë të Serxhi Robertos. Në fakt, nisur nga statistikat e lojës në këtë pjesë të parë, Barcelona ishte dukshëm më cilësore në fushë, me shumë goditje në portë, me dominim në të gjithë treguesit sportivë që lidhen me aksionet sulmuese, goditjet nga këndi, pasimet etj, por Reali diti të mbrohet me kujdes deri në momentin e golit të Robertos. Pjesa e parë mbyllet kështu 1-1. Në pjesën e dytë Barcelona e shtoi presionin e saj në fushë, duke luajtur me intensitet në krahë, por edhe në qendër. Kurse Ançeloti, edhe pse në skemë (4-3-3) luajti njëlloj si Barça, tentoi të bënte befasinë nëpërmjet pasimit të gjatë, falë eksperiencës së sulmuesve. Loja dominohej nga vendasit dhe sa më shumë kalonin minutat aq më e vështirë bëhej për të dy ekipet të shkonin tek fitorja. Në minutën e 85-të, i futur në fushë si zëvendësues, Asensio i Realit, shënon golin e dytë por ai anulohet pas ndërhyrjes së VAR-it. Minutat e fundit ishin emocionuese, por kur dukej se gjithçka do të mbyllej në barazim, Barcelona gjen golin e dytë. Kesie shënoi në minutën e 2-të shtesë golin e fitores, duke bërë që Barcelona të dalë me tri pikë, plotësisht të merituara. Pas këtij suksesi dhe 26 javësh garë, Barcelona mban vendin e parë të paprekur me 68 pikë, ndjekur nga Real Madrid me 56 pikë. Me këtë fitore Barça praktikish hodhi një hap drejt titullit. Ndërkohë, mbrëmë në Itali pati dy derbe të fuqishëm. Në Milano luhej Inter-Juventus, kurse në Romë përballej Lacio me Romën. Derbin e kryeqytetit e fitoi Lacio me rezultatin e ngushtë 1-0. Zakanji shënoi në minutën e 65-të golin e vetëm të ndeshjes por mjaftueshëm për t’i dhënë Lacios tri pikë që e konsolidojnë në zonën Champions, kurse Roma e Murinjos gjithnjë e më tepër u largohet objektivave. Duhet thënë se në ndeshjen e djeshme Roma luajti me 10 vetë që nga minuta e 32-të, pasi Ibanez mori kartonin e dytë të verdhë dhe rrjedhimisht doli me të kuq. Në duelin e Milanos, ishte Juventus që shënoi i pari me anë të Kostiç në minutën e 23-të. Rezultati nuk do të ndryshonte deri në fund dhe Juventusi fitoi 1-0.

Te tjera

Lajme te tjera