Kryeqyteti u vesh mbrëmë me ngjyrën e kuqe. Sepse, kryendeshja e javës së 24-t e Kategorisë Superiore u luajt mbrëmë në stadiumin kombëtar “Air Albania” të kryeqytetit, midis Partizanit dhe Tiranës, e përfundoi me fitore të madhe, të pastër e domethënëse të “demave të kuq”. Ishte një nga duelet më të diskutuara të sezonit të deritanishëm, jo vetëm nga dhuna dhe tensioni që e karakterizoi nga fillimi e deri në fund, por edhe nga protestat e vazhdueshme të bardhebluve për mohim penalltie dhe anulim goli. Përtej kësaj, në fund ky derbi pati një fitues dhe ai është Partizani. Të kuqtë fituan 2-0, me gola të Mba dhe Carajt, e me trepikëshin e djeshëm shkojnë në 40 pikë, po aq sa Tirana, por tani “demat” marrin kryesimin.
Ndeshja
Sa i takon ndeshjes, e ndjekur nga në numër i konsiderueshëm tifozësh, ajo nisi shumë keq, pasi tifozët goditën portierët kundërshtarë në të njëjtin moment. U ndëpre ndeshja që në minutën e 4-t, pasi kapsollat dëmtuan Rexhepin dhe Bekajn. E megjithatë rinisi takimi, por jo për shumë kohë, pasi gjyqtari Juxhin Xhaja, për shkak të kapsollave ndërpret ndeshjen sërish dhe fton kapitenët të qetësojnë tifozët. Pas 10 minutash tym e flakë në stadium e në fushë, rinisi ndeshja, e cila dhuroi emocione në portat respektive, për shkak të angazhimit maksimal të të dy skuadrave. Partizani është më kërkues dhe në minutën e 20-të Hadroj krosoi në zonë dhe në qendër të saj goditi saktë me kokë Mba, duke kaluar në avantazh të kuqtë. Tirana rimerr epërsi në mesfushë, por e ka të pamundur të gjejë hapësirë shënimi. Të kuqtë menaxhojnë mirë dhe kundërsulmojnë. Në minutën e 41-të vjen një moment i diskutueshëm, por që e zgjidhi VAR. Gjyqtari akordon penallti, por më pas e anulon atë pasi ndërhyrja e mbrojtësit të Partizanit ishte e saktë. Pjesa e parë mbyllet kështu 1-0 për “demat”. Në pjesën e dytë Tirana shënoi gol me anë të Hasanajt, por goli anulohet për pozicion jashtë loje. Pas këtij momenti ndeshja ndërpritet sërish për shkak të tymit të krijuar nga fishekzjarret. Minuta të tëra ndërprerje e ndeshja rrezikon të anulohej, por presioni i skuadrave detyron Xhajën ta rinisë takimin. Partizani fiton penallti në minutën e 62-të me Mba. Pati tension, por Telushi nga pika e bardhë ndalet nga Bekaj. Në minutën e 75-të gjyqtari e ndalon sërish lojën, pasi tymi pengonte shikimin. Me rikthimin e lojës Partizani gjen edhe golin e dytë. Behitraçe kthen topin me kokë tek portieri Bekaj, por të kuqtë janë më të shpejtë dhe Cara përfiton dhe arrin të shënojë, duke i vënë “kapak” ndeshjes, pra Partizani fiton 2-0 dhe siguron tri pikë me vlerë për renditjen, ku tani ngjitet në vend të parë. Pas derbit të mbrëmshëm në “Air Albania”, sjelljes mjaft agresive të tifozerive, me siguri që Komisioni i Disiplinës do t’i penalizojë rëndë të dy klubet, me gjoba e ndeshje pa tifozë. Sidoqoftë, rezultati mbetet dhe me fitoren e djeshme të kuqtë e kanë hapur kampionatin e tani rikthehen pretendentë për titull. Kjo fitore jo vetëm e ndaloi Tiranën në renditje, por e hapi garën edhe për skuadrat e tjera që kanë ambicie për pjesëmarrje në Europë apo që mund të lamojnë direkt titullin, sikurse janë Vllaznia dhe Egnatia.
