Dy zyrtarët e lartë eurpianë, Ursula Von Der Leyen dhe Antonio Costa, pritën në Bruksel liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor për t’i dhënë një tjetër shtysë zgjerimit e një sinjal vendeve të rajonit se BE po punon në këtë drejtim.
Samiti i përvitshëm, BE-Ballkani Perëndimor kishte pikërisht në fokus përparimin e vendeve të rajonit dhe përmbushjen e reformave, progres që Presidentja e Komisionit Evropian e vlerësoi veçanërisht për Shqipërinë e Malin e Zi.
“Po shohim përparim inkurajues. Mali i Zi po i afrohet vijës së finishit të negociatave të anëtarësimit. Shqipëria vijon të ecë drejt këtij objektivi me një ritëm mbresëlënës. Dëshirojmë që edhe vendet e tjera të ndjekin këtë shembull”, tha Ursula von Der Leyen.
BE e vlerëson progresin e vendeve kandidate, duke e përkthyer në mbështetje konkrete tha Von der Leyen, duke parlajmëruar disbursimin e mbi 300 mln eurove për Shqipërinë e dy vende të tjera.
“Një vit më parë, partnerët kishin realizuar 38% të reformave të parashikuara, ndërsa sot kemi arritur në 63%. Këto reforma sjellin ndryshime konkrete dhe mund të zhbllokojnë 338 milionë euro të tjera për Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut gjatë javëve të ardhshme”, shtoi ajo.
Ndërsa Presidenti Costa parakusht për anëtarësimin cilësoi edhe fqinjësinë e mirë.
“Bashkëpunimi rajonal, pajtimi dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë janë parakushte kyçe për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Pres me padurim përparimin e mëtejshëm në zgjidhjen e çështjeve dypalëshe. Sfidat që burojnë nga e kaluara duhet të kapërcehen”, tha Costa.
Më herët, në nisje të punimeve kyeminsitri Rama kërkoi nga Bashkimi Europian të ulë në një tryezë të gjitha vendet kandidate, ndërsa tha se Shqipëria duhet parë si kandidatja më serioze për progresin e bërë në luftën kundër korrupsionit.
“Mbetem i bindur se BE-ja duhet të ketë guximin të bëjë një hap të guximshëm përpara, duke sjellë të gjitha vendet kandidate rreth tryezës, pa ndryshuar procesin e bazuar në meritë. Ajo çfarë Shqipëria po bën në luftën kundër korrupsionit është e pashembullt në rajon. Është shumë e qartë që nuk ka më askush që nuk është mbi ligjin në Shqipëri e kjo është saktësisht arsyeja pse Shqipëria duhet parë me një sy mjaft pozitiv”, tha Rama.
I pranishëm në punimet e këtij samiti ishte edhe Kryeministri, Albin Kurti i cili e cilësoi të vonuar dhënien e statusit të vendit kandidat për Kosovën. Ai kërkoi që BE-ja t’i japë Kosovës statusin mbi bazën e përparimit të saj në zhvillimin demokratik, sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit. Ndërsa Serbia, mungoi edhe këtë radhë për shkak të periudhës së tranzicionit pas zgjedhjeve. Në dhjetor të vitit të kaluar, presidenti i atëhershëm Aleksandër Vuçiç e bojkotoi samitin pas mos hapjes së grupkapitullit të tretë të negociatave me BE-në.
