E shtunë, 28 Nëntor, 2026

SHBA i shpall luftë parave të pista të politikanëve shqiptarë / SPAK merr çelësat e serverëve amerikanë, në shënjestër milionat offshore, portofolet e kriptomonedhave dhe pasuritë e fshehura të zyrtarëve të korruptuar, Uashingtoni zbulon armën e re që mund të rrëzojë perden e sekreteve financiare dhe të nxjerrë në dritë gjurmët digjitale të parave të dyshimta

Share

Rigels Seliman

Qindra milionë dollarë të fshehura me mjeshtëri në parajsat fiskale offshore dhe të maskuara në portofole kriptovalutash nga politikanë të korruptuar shqiptarë dhe grupe kriminale, tashmë janë nën lupën e drejtpërdrejtë të hetimeve. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë zbarkuar me ekspertizën më të lartë në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), duke u hapur hetuesve shqiptarë aksesin dhe mekanizmat për të rënë në gjurmët e të dhënave digjitale që ruhen në serverët amerikanë të Departamentit të Drejtësisë dhe kompanive teknologjike.

Ky zhvillim i fortë vjen pas takimit të zhvilluar më 24 Nëntor në ambientet e SPAK-ut, ku ambasadori amerikan në vendin tonë, Eric Wendt, së bashku me kreun e SPAK, Klodjan Braho dhe drejtuesin e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), Joni Keta, vendosën në qendër goditjen e pasurive të pista dhe rrjeteve të krimit të organizuar.

Mesazhi që vjen nga Uashingtoni sinjalizon ditë të zeza (vështira) për zyrtarët e korruptuar apo hajdutët siç njihen ndryshe në zhargonin popullor, në të dy krahët e politikës, si në mazhorancë ashtu edhe në opozitë, të udhëhequr nga Edi Rama dhe Sali Berisha, të cilët kanë besuar se paratë e vjedhura nga tenderat e manipuluar dhe trafiku i drogës mund të zhdukeshin pa lënë gjurmë përmes teknologjisë.

Serverët e SHBA-së hapin dosjet, si do të gjurmohen llogaritë offshore dhe kriptovalutat e zyrtarëve shqiptarë

Prej vitesh, një pjesë e konsiderueshme e organizatave kriminale dhe politikanëve të korruptuar në Shqipëri, duke filluar nga kryeministri Edi Rama, ish-kryeministri Sali Berisha, ish-presidenti Ilir Meta, apo edhe ish-zv/kryeministrat Belinda Balluku dhe Arben Ahemtaj, etj, dyshohet dhe akuzohen, se kanë zgjedhur t’i largohen sistemit tradicional bankar, duke i investuar dhe fshehur milionat e dyshimta në llogari offshore, kompani guackë dhe kriptomonedha. Ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Eric Wendt, zbardhi detajet e seminarit dhe bashkëpunimit të ri, duke paralajmëruar se kjo skemë fshehjeje po merr fund.

Sipas diplomati amerikan, provat vendimtare, që nga postat elektronike, llogaritë e rrjeteve sociale e deri te hapësirat e ruajtjes në re (cloud), ndodhen pikërisht në serverët në Shtetet e Bashkuara. Për t’i bërë këto të dhëna të përdorshme në gjykatat shqiptare, eksperti i Departamentit të Drejtësisë për krimet kibernetike dhe pronësinë intelektuale, Taylor Phillips, ka trajnuar hap pas hapi hetuesit, prokurorët dhe gjyqtarët se si t’i ruajnë dhe kërkojnë këto prova në kohë reale, përpara se ato të zhduken brenda pak ditësh.

“Zyrtari i korruptuar fsheh ryshfetin në portofole kriptovalutash dhe në llogari jashtë vendit. Kriminelët kanë kaluar në platformat digjitale, por edhe zyrtarët e drejtësisë duhet ta bëjnë këtë”, theksoi Wendt, duke i kërkuar hetuesve të BKH-së dhe prokurorëve të SPAK-ut që të lidhin çdo adresë IP dhe portofol kriptovalutash me personin real që fshihet pas tyre.

Paralajmërimi i fortë për tenderat e manipuluar, askush nuk është mbi ligjin, koha për të ndjekur paratë

Por përtej aspektit teknik të gjurmimit digjital, qëndrimi i Uashingtonit përmban një ngarkesë të fortë politike dhe ekonomike. Ambasadori Eric Wendt bëri të qartë se korrupsioni në Shqipëri po dëmton drejtpërdrejt interesat strategjike amerikane, pasi kompanitë nga SHBA-ja hezitojnë të investojnë në energjetikë, infrastrukturë, turizëm dhe teknologji për shkak të tenderave të manipuluar dhe praktikave korruptive që prishin garën e barabartë. Sipas tij, kur ofertuesi amerikan detyrohet të tërhiqet përballë aferave korruptive, Shqipëria humb vende pune dhe sakrifikon rritjen e saj ekonomike.

Njëkohësisht, diplomati amerikan lidhi luftën ndaj trafikut ndërkombëtar të kokainës me sigurinë kombëtare të SHBA-së, duke kujtuar se grupet kriminale që operojnë në Evropë furnizohen nga të njëjtat kartele të Amerikës së Jugut që Uashingtoni i ka shpallur organizata terroriste të huaja. Me një thirrje të drejtpërdrejtë drejtuar zinxhirit të drejtësisë, hetuesve, prokurorëve dhe gjyqtarëve, ambasadori kërkoi që vendimet të bazohen vetëm te ligji dhe provat, duke injoruar pozicionin, lidhjet apo pushtetin e të akuzuarve. “Zyrtarët e korruptuar dhe kriminelët e organizuar vënë bast se ju nuk mund ta ndiqni atë gjurmë përtej kufijve.

Ndiqni provat. Ndiqni paratë”, ishte porosia e prerë që mbyll çdo shteg shpëtimi për të korruptuarit e politikës dhe krimit. Megjithatë, çdo detaj i strategjisë amerikane që pritet të godasë llogaritë e fshehta të zyrtarëve të korruptuar, mesazhet e plota, detajet teknike të ndjekjes së provave digjitale dhe paralajmërimet e drejtpërdrejta për të paprekshmit e politikës e të krimit zbardhen më qartë në fjalën e plotë të ambasadorit të SHBA-së, Eric Wendt, të cilën po e pasqyrojmë më poshtë. 

Fjala e plotë ambasadorit të SHBA, Eric Wendt

“Kryeprokuror i Posaçëm Braho, Drejtor Keta, gjyqtarë, prokurorë e hetues të nderuar, Sot, shumë krime të rënda lënë gjurmë digjitale. Kjo përfshin edhe çështjet e krimit të organizuar dhe të korrupsionit që trajtoni ju në SPAK. Këto çështje kanë rëndësi për Shtetet e Bashkuara. Kompanitë amerikane duan të investojnë në Shqipëri, në energjitikë, infrastrukturë, turizëm dhe teknologji. Firmat amerikane do të vijnë kur të kenë besim që kontratat respektohen, tenderat janë të drejtë dhe sistemi i drejtësisë siguron zbatimin e barabartë dhe të drejtë të ligjit për të gjithë. Askush nuk është mbi ligjin dhe askush nuk është nën ligjin.

Thjesht zbatojeni ligjin barazisht. Kur një tender manipulohet ose kur praktikat ligjore apo të biznesit janë korruptive, fusha e lojës nuk është e barabartë dhe ofertuesi amerikan tërhiqet. Kur ai investitor largohet, Shqipëria humb vende pune dhe sakrifikon rritjen ekonomike. Çështjet e krimit të organizuar ndërkombëtar kanë rëndësi, sepse rrjetet që e çojnë kokainën në Evropë – rrjetet që ju po i luftoni – e blejnë atë nga të njëjtat kartele të Amerikës së Jugut që helmojnë komunitetet amerikane. Shtetet e Bashkuara i kanë përcaktuar shumë nga ato grupe si organizata terroriste të huaja. Çdo kontenier që sekuestroni, çdo llogari bankare që bllokoni dhe çdo kre krimi që sillni para drejtësisë iu heq karteleve paratë dhe pushtetin.

Dhe, çdo rrjet që çmontoni na bën të gjithëve më të sigurt: Shqipërinë, Shtetet e Bashkuara dhe fqinjët tanë. Ligjzbatuesit amerikanë do të vazhdojnë t’i luftojnë këto rrjete, por veprimet  shqiptare, nënkuptojnë se atyre nuk u duhet të luftojnë vetëm. Paraja kriminale nuk ndalon te kufijtë. Ajo lëviz nëpër banka, këmbyes kriptovalutash dhe kompani guackë dhe shpesh arrin në sistemin financiar amerikan.

Trafikanti i drogës koordinon dërgesat në aplikacione të enkriptuara. Zyrtari i korruptuar fsheh ryshfetin në portofole kriptovalutash dhe në llogari jashtë vendit (offshore). Pastruesi i parave transferon fonde përtej kufijve brenda pak sekondave. Kriminelët kanë kaluar në platformat digjitale. Edhe zyrtarët e drejtësisë duhet ta bëjnë këtë. Këto beteja kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit shpesh kalojnë nëpërmjet provave digjitale. 

Tani, sfida praktike. Disa nga provat që ju nevojiten ndodhen në serverë në Shtetet e Bashkuara: postë elektronike, llogari të rrjeteve sociale dhe hapësira ruajtjeje në re (cloud) që mbahen nga kompani amerikane. Ju mund t’i merrni ato prova. Por, ju duhet të njihni rregullat: çfarë duhet të ruani, çfarë duhet të kërkoni, si ta bëni kërkesën dhe si të veproni shpejt. Të dhënat mund të zhduken brenda disa ditësh. Një kërkesë për ruajtje e dërguar sot mund të shpëtojë një çështje që përndryshe do të rrëzohej vitin e ardhshëm. Taylor Phillips, ekspert i Departamentit të Drejtësisë për krimet e hakerimit kompjuterik dhe të pronësisë intelektuale, do t’jua shpjegojë këtë proces hap pas hapi. Dua t’i drejtohem drejtpërdrejt secilit grup në këtë sallë.

Hetuesve: Ju jeni hallka e parë e zinxhirit. Mënyra se si i identifikoni, ruani dhe sekuestroni provat digjitale vendos nëse ato do të mbijetojnë në gjykatë. Prokurorëve: Ju i ktheni të dhënat në një rrëfim që gjykata mund ta ndjekë. Ju lidhni një adresë protokolli të internetit (IP), një portofol kriptovalutash dhe një mesazh elektronik me një person real. Gjyqtarëve: Ne e respektojmë plotësisht pavarësinë tuaj. Asgjë në këtë program nuk ju kërkon ta shihni ndonjë çështje në një mënyrë ose në një tjetër. Qëllimi ynë është i thjeshtë: t’ju ndihmojmë t’i testoni me rigorozitet provat digjitale, të gjykoni besueshmërinë e tyre dhe t’i peshoni me vetëbesim. Tri role. Një zinxhir. Ju lutem, shfrytëzojeni plotësisht këtë seminar. Sillni pyetjet më të vështira që keni.

Kështu trajnimi shndërrohet në rezultate. E nisa duke thënë se shumë krime të rënda lënë një gjurmë digjitale. Zyrtarët e korruptuar dhe kriminelët e organizuar vënë bast se ju nuk mund ta ndiqni atë gjurmë përtej kufijve, nëpër aplikacione të enkriptuara dhe brenda portofoleve të kriptomonedhave. Ky seminar ka për qëllim t’iu provojë që e kanë gabim. Ndiqni provat.

Ndiqni paratë. Ndërsa i bazoni vendimet tuaja vetëm te provat dhe ligji – kurrë në bazë të pozicionit, lidhjeve apo rëndësisë së një personi – me agjencitë tuaja apolitike dhe të pavarura nga çdo ndikim i jashtëm i papërshtatshëm, Shtetet e Bashkuara janë krenare të qëndrojnë krah jush. Faleminderit”, është shprehur ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Eric Wendt, sipas njoftimit të shpërndarë dje nga Ambasada Amerikane në vendin tonë në rrjetet sociale dhe faqen e saj zyrtare. /gazeta sot/

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Te tjera

Lajme te tjera