Operacioni i këmbës së Erion Veliajt është kthyer në një çështje ku janë përfshirë pothuajse të gjithë protagonistët e politikës shqiptare. Nga Edi Rama te Belinda Balluku, nga Sali Berisha te drejtuesit e burgjeve, të gjithë kanë hyrë në historinë e një ndërhyrjeje kirurgjikale që ende nuk është kryer.
Fillimisht, Veliaj dhe avokati i tij, Plarent Ndreca, denoncuan vonesat në ekzaminime dhe mungesën e trajtimit, duke paralajmëruar se dëmtimi i këmbës kërkonte operacion. Më pas, kryebashkiaku akuzoi Ramën se e kishte transferuar politikisht në Fier dhe i shkroi Ballukut për t’i dhënë leje të operohej në Tiranë.
Në debat hyri edhe Sali Berisha, i cili shprehu shqetësim për trajtimin e Veliajt, duke akuzuar Ramën dhe Ballukun për qëndrim çnjerëzor ndaj tij. Kështu, edhe kundërshtari i vjetër politik i kryebashkiakut u bë pjesë e diskutimit për shëndetin e tij.
Drejtoria e Burgjeve ndërkohë njoftoi se operacioni ishte planifikuar për 23 nëntor në Spitalin Memorial të Fierit. Por Veliaj refuzoi të paraqitej për përgatitjet, duke nxitur reagimin e drejtorit të burgut, Arben Qalliu, i cili e akuzoi se po përdorte gjendjen shëndetësore si “alibi”.
Veliaj u përgjigj se nuk refuzonte operacionin, por spitalin e caktuar, pasi nuk kishte besim te Rama. Për këtë arsye, i është drejtuar GJKKO-së për të kërkuar operimin në një spital të zgjedhur nga familja.
Tashmë, pas ndërhyrjeve politike, letrave publike dhe akuzave të ndërsjella, radha i ka ardhur Gjykatës së Posaçme të shqyrtojë kërkesën për vendin e operacionit.
Nga kryeministri te opozita, nga Balluku te drejtori i burgut, të gjithë u përfshinë në historinë e këmbës së Veliajt. Tani mbetet edhe GJKKO-ja. Mjekët mund të presin: politika ende nuk e ka mbyllur konsultën. /vna.al/
